Episode pas “teatrit” bashkëqeverisjes PD – PS

553
Përparim HALILI
Mund t’i konsideroni grimca humori këto episode që po publikojmë sot, por janë fytyra e plotë dhe e vërtetë e pazarit të 18 majit 2017, bërë mes krerëve të PS e PD. Ndërsa “Rilindja” ka nisur fushatën elektorale, duke sqaruar pazarin e bërë me PD, në selinë e PD po hartohen listat e kandidatëve për deputetë. Rezultati i pazarit të tyre, ka edhe episodet që e shoqërojnë këtë “çudi” e cila pas 27 vitesh copëzim të PPSH në “partiza armike” sipas skemës gorbaçioviane “Katovica” e ribashkoi atë në “një trup të vetëm”. Kjo marrëveshje, ka krijuar kaos e iritim brenda dy kampeve partiake, të cilët edhe rrëfejnë episodet që ndodhin brenda tyre, të cilat do t’i publikojmë vazhdimisht në këtë rubrikë të “Telegraf”
Anëtarët e PS-Divjakë, kujtesë Erjon Braçes: “Baftjari” u bë ministër i “Rilindjes”!
Patjetër që kujtohet ironia që deputeti Erjon Braçe bënte në parlament dhe në rrjetet sociale me çadrën e PD, duke e krahasuar protestën e opozitës me këngën e Baftajrit. Në ato ditë ironie, gjithë deputetët e Rilindjes qeshnin me të madhe kur Braçe, pas çdo diskutimi dhe replike të deputetëve të PD, kujtonte Baftjarin e çadrës. Pas pazarit Rama-Basha, deputeti Braçe, jo vetëm që nuk e përmend më Baftjarin, por as nuk shkoi në seancën parlamentare ku u votuan ministrat e “graduar” prej këtij pazari! Mirëpo edhe pse Braçe hiqet sikur e ka harruar Baftjarin, ia kanë kujtuar disa militantë të “Rilindjes”. Sipas informacionit, thuhet se në adresën elektronike të deputetit Erjon Braçe, ka shkuar një mesazh i dërguar prej disa anëtarëve të PS-Divjakë, ku Erjoni është deputet dhe rikandidon për një mandat tjetër. Në mesazh, sipas deklarimit të atyre që ia kanë dërguar, deputetit Braçe i bëhet një kujtesë që edhe të bënë për të qeshur, por që thuhet se ka acaruar vetë deputetin, në të cilin thuhet: “Erjon, Baftjari i çadrës u bë ministër në pushtetin e “Rilindjes”! 
Basha, garanton militantët: Me skenarin tim, të gjithë do bëheni nga 1 javë ministër 
Pazari që bëri kreu i PD pas 90 ditësh protestë në çadrën e lirisë ka krijuar pakënaqësi jo vetëm tek grupe e individë brenda kupolës së kësaj partie e opozitës së grumbulluar rreth saj, por edhe brenda anëtarësisë në Tiranë e në zona. letrat e shumta që kanë ardhur në “Telegraf” prej militantëve, anëtarëve e drejtuesve lokalë të PD, të cilat siç thuhet, i janë dërguar si reagime edhe kryetarit Basha dhe… “Për dijeni, doktorit”. Këto reagime, shprehin iritimin për këtë marrëveshje paqeje, të blerë me 6 kolltukë ministrorë me afat sa 1 “kartë rimbushëse telefoni”, shitur prej “Eskobarit të drogës” (siç është cilësuar prej PD, Bashës dhe Berishës). Mirëpo, reagimeve të shumta të militantëve e drejtuesve lokalë të PD në zona, kreu i PD dhe disa (k)analistë të përjetshëm të saj, po i sqarojnë se kjo “bashkëqeverisje PS-PD nuk është bashkëqeverisje, por është lëvizje taktike me ministra e drejtorë teknik”. Disa prej reaguesve, na kanë konfirmuar se kreu i PD, u ka thënë si me humor: Kjo lojë me vendosje dhe heqje ministrash teknik, do të vazhdoj aq gjatë, sa secili prej jush do të ketë shansin të bëhet 1 javë ministër… teknik! 

“Rilindja” dhuroi 6 poste ministrore, ktheu në “puthje” 300 mijë “shuplaka”
Shqiptarëve e sidomos militantëve të PS, u ka bërë përshtypje fakti, që kreu i “rilindjes” i cili ka dalë në fushatë për të përsëritur fitoren e 23 qershorit të 2013-ës të arritur me 1 milion “shuplaka” kundër PD, nuk po i përmend më 1 milion “shuplakat”! Nuk i ka harruar, por një pjesë të tyre e ka shitur tek të “shuplakosurit”. këtë fakt e transmetojnë nën zë militantët e PS dhe krerët e tradhtuar të “rilindjes” të cilët janë të detyra të lëpijnë atë që kanë pështyrë prej 12 vitesh (8 në opozitë e 4 në pushtet), por që janë të detyruara ta lëpijnë mbasi e lëpiu i “komandanti” i tyre, madje edhe duke u sjell sikur u “shijon”! Nga 1 milion shuplaka që Rilindja i dha PD më 2013-ën, kreu is aj i ktheu 300 mijë prej tyre… në “puthje”. Pa pyetur për ata që e votuan, pa përfillur “çetën e rilindjes”, kreu i saj i dhuroi PD 6 ministri që përbëjnë 300 mijë “shuplaka”! 

Marrëveshja PS-PD si në “Telebingo”/Nisi me “Ka një mesazh për ty” dhe u mbyll si gjyqet e Eni Çobanit 
Jo 99%, por 100% e anëtarëve të PD e PS, nuk e mendonin se do të përfundonte në paqe të plotë, beteja 90 ditore dhe agresiviteti 4-vjeçar me qëndrime ekstreme deri personale mes dy krerëve të PD e PS. Ndërsa të gjithë prisnin zbritjen e Ramës nga “kali”, pas mesnatës së 18 majit 2017, Rama dhe Basha u shfaqën të “hipur” të dy bashkë mbi “kalin e pushtetit”! Duke parë këtë “paqe” të vendosur brenda natës mes dy “udhëheqësve” që ishin betuar se “nuk do takoheshin as në botën tjetër”, na u kujtuan dy nga emisionet e programit të “Telebingos”. Takimet mes Bashës e Ramës, nisën tamam si ajo loja “Kam një mesazh për ty”, që personat e familjet në konflikt, i dërgojnë njëri-tjetrit për t’u takuar e sqaruar, por të fshehur pas një ekrani. Edhe për të realizuar takimin Rama-Basha u veprua si me emisionin “Kam një mesazh për ty”! Pas shumë mesazhesh me telefona e sekserë, takimi u bë! Por, si u mbyll? Edhe pse brenda dhomës ku u mbyllën, thuhet se dy krerët “u përleshën” ashpër me njeri-tjetrin, në fund u “puthën” si në gjyqet e Eni Çobanit në “Telebingo”!
Shikoni kush mban vulat…
Dje u takova me një të moshuar nga Tepelena. Kur e pyeta se ç’mendonte për marrëveshjen bashkë-qeverisëse PS-PD, ai ma ktheu përgjigjen, duke më treguar këtë histori të kohës së sundimit turk në zonën e tij: 

JA HISTORIA
“Pas ndarjes administrative që shteti osman u bëri zonave të Tepelenës këtu e 300 vite para, fshatrat dhe qytetet (kazatë), u pajisën me vula. Erdhi vula edhe në fshatin tonë, por sikur erdhi belaja. Aq e egër ishte lufta për të marrë vulën e fshatit, sa dy fiset kaluan në hasmëri dhe krerët e tyre filluan të ziheshin përditë me njeri-tjetrin edhe në mes të fshatit. Pas shumë debatesh, nga “Porta e Lartë” erdhi urdhri, që vulën të mos e mbante asnjë prej dy fiseve, por t’u lihej dy fshatarëve të vetmuar e të varfër që jetonin në një kasolle në dalje të fshatit. I thirrën të dy e u thanë: 

– “Ju do mbani vulën e fshatit dhe kur të marrin vendime dy fiset, ju do t’i vulosni ato vetëm në prezencë të të dy palëve! 
– “Ne e mbajmë vulën, por me një kusht”, -thanë ata.
– Me çfarë kushti?- i pyeti Bimbashi

– Kushti ynë është ky: “Kush të vdesë në fshatin tonë, duhet të kalojë njëherë tek kasollja jonë, pastaj të çohet në varreza”. 

Kushti u pranua e kështu nisi të veprohej. Dy fshatarët mbanin vulën, vulosnin çdo vendim në prezencë të përfaqësuesve të dy fiseve dhe sipas marrëveshjes, çdo person që vdiste në fshat, fillimisht futej në kasollen e tyre dhe pastaj çohej në varreza. 

Pas disa kohësh, dy fiset thirrën dy fshatarët dhe i pyetën: – Ore, çfarë u thoni të vdekurve ju kur i fusni në kasolle?”
Ata u përgjigjën: Ne u themi, që të shkoni atje tek të tjerët e t’u pyesin se si shkojnë punët e fshatit, u thoni: – Shikoni kush mban vulën, ashtu shkojnë edhe punët e fshatit!  
Sigal