“Epidemi” ligjesh për 131 sëmundjet profesionale, por asnjë qindarkë për trajtimin e tyre

347


Minatorët, naftëtarët, tekstilistët, tipografët, gjeologët, prodhuesit e çimentos, metalurgët etj., tallen prej shtetit me vendime fiktive

 

Përparim HALILI

 

Sëmundjet profesionale, janë sëmundje të rënda që u shkaktohen atyre që punojnë në profesione të vështira si miniera, naftë, gurore, çimento, metalurgji, tekstile, reparte mekanike, peshkim, pastrim rrugësh e kanalizime ujërash të zeza, agrobiznes, blegtori, pasurim mineralesh, ujëra, ngarkim-shkarkim, tipografi, furra gëlqereje, fabrika mielli, linja inerte, transport mallrash, ndërtim etj. Bëhet fjalë për ata që punojnë në profesione me pesha të rënda, zhurma, ndotje higjienike e akustike, mjedisore, lëndë kimike, mbetje urbane e teknologjike, lëndë të para me rrezatime radioaktive, helme e lëndë kancerogjene. 

 

Punët me ndotje e lodhje krijojnë 131 sëmundje profesionale 

 

Këto shkaktojnë sëmundje dhe pasoja fizike për punonjësit e këtyre sektorëve, deri nxjerrjen e tyre jashtë “funksioni” për të vazhduar punën, duke shkaktuar afro 131 sëmundje, me pasojë deri edhe vdekje të parakohshme. Është një shqetësim tepër i madh, ose më saktë një abuzim gjigant edhe financiar, fakti që në Shqipëri prej 25 vitesh nuk trajtohen me shërbim mjekësor pacientët me sëmundje profesionale, madje as nuk studiohen e monitorohen fare këto sëmundje. Është një skandal e krim njerëzor që bëhet prej shtetit dhe shërbimit shëndetësor, që afro 1.3 milionë shqiptarë me sëmundje profesionale të shkaktuara prej punëve që kanë kryer, prej 25 vitesh vazhdojnë të lihen pa këtë shërbim. Kujtojmë që vendim qeverie të datës 1 korrik 2015, u tha se punonjësit e dëmtuar prej sëmundjeve profesionale, do të liheshin pa trajtim mjekësor deri në muajin shtator 2016! Tashmë jemi në fund të muajit tetor 2016, pra afro 2 muaj pas afatit fundor, të përcaktuar nga qeveria dhe nuk ka asnjë veprim konkret, asnjë zgjidhje për trajtimin e këtyre 1.3 milionë punonjësve që janë “viktimë” shëndeti prej sëmundjeve profesionale, së fundi të lëna prej korrupsionit edhe jashtë kontrollit të “Chek-up”-it. Është një vendim absurd, vazhdim i ligjeve, vendimeve e urdhrave të tjerë të miratuar në këto 25 vite, por që kanë qenë thjeshtë demagogji për popullin, pazare me OJF-të për financime, skema për abuzimeve mes klanesh në shëndetësi dhe “protokoll integrimi” fals për ndërkombëtarët, duke u përdorur sa për zhvatje fondesh dhe gjoja për zbatim konventash e ligjesh. Pse e themi këtë? Sepse asnjë nga këto VKM, urdhra, udhëzime e akte ligjore nuk është zbatuar, duke mos pasur asnjë veprimtari konkrete, asnjë evidencë konkrete, asnjë shërbim lidhur me trajtimin e personave me sëmundje profesionale. Madje, duke mos pasur as klinika, as spitale, as pavijone, as mjekë e as infermierë të trajnuar për këtë kategori sëmundjesh e pacientësh. 

 

Falsiteti dhe tallja, 10 VKM e ligje “copë letër” që nuk zbatohen

 

Pas 2 ligjeve dhe VKM-ve të miratuara përgjatë viteve 1992-1996, pas 4 ligjeve e VKM-ve të viteve 1998-2005, pas 3 ligjeve e VKM-ve të viteve 2006-2013, vetëm 16 muaj më parë, konkretisht më datën 1 korrik 2015, në “Fletore Zyrtare” Nr. 118, datë 9 korrik 2015, qeveria ka miratuar në heshtje të plotë VKM Nr. 594, datë 01. 07. 2015 për sëmundjet profesionale, por pa asnjë konsulencë publike me grupet e interesit dhe faktorët socialë, që në rastin konkret janë sindikatat dhe punonjësit e prekur nga sëmundjet profesionale. Kjo është VKM-ja e 10-të, me përmbajtje të përsëritur të 9 VKM-ve të këtyre 25 viteve. Por ka një ndryshim: Përcakton se kjo VKM nis zbatimin në datën… 1 shtator 2016. Por nuk ka nisur zbatimi, as sot në 26 tetor 2016!Pra, sipas kësaj VKM-je, trajtimi i pacientëve me sëmundje profesionale do të nis pas… 1 viti! Madje në VKM, përcaktohet edhe lista e gjatë me 113 shkaqet e sëmundjeve profesionale, që do të njihen për efekt të trajtimit të atyre punonjësve që sëmuren nga këto shkaqe. Por VKM-ja, nuk thotë asnjë fjalë për trajtimin mjekësor të atyre që janë të sëmurë, të cilët janë në punë dhe që kanë dalë nga puna e gjenden në rrugë pa bukë e pa trajtim mjekësor për sëmundjet profesionale, për më tepër edhe ata që janë punësuar ilegalisht dhe trajtohen si skllevër. Ajo që bën përshtypje në VKM Nr. 594, datë 01. 07. 2015 për sëmundjet profesionale është fakti, që trajtimi i pacientëve me sëmundje profesionale, jo vetëm që nuk po konkretizohet, por po shtyhet vit pas viti me ligje, vendime e urdhëresa qeverie fiktive. Vendimi Nr. 594, datë 01. 07. 2015,  përcakton kështu: “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 25, të Ligjit Nr. 10237, datë 18. 02. 2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Miratimin e listës së sëmundjeve profesionale, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimi Nr. 396, datë 28. 06. 2007 i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e sëmundjeve profesionale”, shfuqizohet.

3. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 1 shtator 2016. 

 

Gazeta “Telegraf”, ftesë për debat dhe denoncime

 

1. A trajtohen me shërbime mjekësore profesionale, pacientët me sëmundje profesionale në Shqipëri?

2. A ka kushte konkrete spitalore, laboratorike, farmaceutike e klinike për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve profesionale në Shqipëri?

3. A ka mjek për zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve profesionale në klinikat publike shqiptare?

4. A ka mjekë për trajtim sëmundjesh profesionale në spitalet publike shqiptare? 

5. A ka mjek familjesh për monitorimin e sëmundjeve profesionale?

6. Prej sa vitesh, nuk specializohen mjekë për sëmundjet profesionale?

7. Po në Fakultetin e Mjekësisë, a ka profil studimesh, për sëmundjet profesionale?

8. A ka në rrethe e qarqe, mjekë profesionistë për ekzaminimin dhe trajtimin e sëmundjeve profesionale?

9. A ka pavione shtrimi spitalor për pacientët me sëmundje profesionale? 

10. A janë dhënë dhe sa milionë dollarë fonde e grande financiare nga shteti dhe nga institucionet e donatorët ndërkombëtarë për ngritje dhe funksionim të spitalit qendror e pavione rajonale, për trajtimin e pacientëve me sëmundje profesionale dhe sa është ky fond?

11. A vazhdojnë të paguhen mjekë e shefa në klinika e spitale, si “mjekë e shefa pavionësh të sëmundjeve profesionale”?

12. A ka në Shqipëri, infrastrukturë për diagnostikim, mjekim dhe trajtim spitalor për sëmundjet profesionale?

13. Përse nuk zbatohen 10 ligjet, VKM dhe urdhrat për trajtimin e sëmundjeve profesionale edhe financiarisht?

14. A kanë firmat private të shërbimit e prodhimit, mjekë dhe klinika për sëmundjet profesionale dhe sa fonde sigurimi shëndetësor e kanë detyrimin të depozitojnë për punonjësit me këto lloj sëmundjesh?

15. A ka një regjistër konkret të shqiptarëve me sëmundje profesionale të kategorizuar sipas grup-moshave, seksit, shkaqeve të sëmundjeve, llojeve të sëmundjeve, skemës së kontrollit dhe trajtimit të tyre?     

 

Për çdo mendim e denoncim, na shkruani në adresën: [email protected]