Enver Shëngjergji: Drejtimi i Festivalit në RTSH është monopolizuar nga persona të papërgjegjshëm

653
Sigal

PERSONAZH/ Flet kompozitori i mirënjohur Enver Shëngjergji: Dështimi në EuroSong është dështimi më i madh i RTSH

Festivali i fundit i EuroSong 2014, ka ngjallur shumë diskutime. Por debatin më të madh po e përçon një nga fituesit e Festivaleve të Muzikës së Lehtë në RTSH, kompozitori i mirënjohur Enver Shëngjergji. Ai ka shumë rezerva ndaj këngës fituese, por nuk është kundër këngëtares. Mund të themi se këngëtarja shqiptare, Hersi Matmuja, ndonëse nuk arriti të kualifikohet për finalen e Eurovizionit, është shprehur e kënaqur me pjesëmarrjen në festivalin europian të këngës. Ajo në disa intervista pas konkurrimit ka theksuar se: “Jam e lumtur që jetës time i shtova një përjetim të tillë e shpresoj se më presin tjera. Kjo eksperiencë më dhuroi një diçka shumë të rëndësishme, se unë mundem, pastaj bota gjykon parametrat që nuk i vendosim ne, ky është fakt dhe unë mësova ta përballoj”. Për më tej përmes rrjetit social Facebook, është shprehur falënderuese ndaj të gjithë atyre që e mbështetën në këtë garë dhe që u gjendën pranë saj në këtë rrugëtim të bukur po shumë të vështirë. Në Danimarkë, përfaqësuesja e Shqipërisë nga 16 vende pjesëmarrëse, ku vetëm 10 prej tyre kanë arritur të kalojnë për në fazën tjetër gjysmë finale, nuk e arriti këtë prag.

 Si e vlerëson këtë Eurovizion për këngën shqiptare?

Sapo është mbyllur Festivali Europian i Këngës dhe të them të drejtën kam  një zbrazësi në shpirt si shqiptar, por edhe si artist. Si shqiptar, ankthi përzihej me dëshirën në momentin kur shfaqeshin në monitor shtetet fituese, të dëgjoja emrin Albania. Por kjo nuk ndodhi. Dhjetë herë m’u desh të mbetem i dëshpëruar. Por profesionistët që bëjnë vlerësimin e këtyre këngëve (Nuk përjashtoj edhe subjektivizmat) nuk e panë të arsyeshme të thonë se kënga jonë  plotëson kërkesat për një konkurrim të mëtejshëm. Si shqiptar shpresoja të ishim në finale. Zëri i brendshëm i profesionalizmit më thoshte mos shpreso. Si shqiptar shpresoja në ndonjë mrekulli, por përsëri zëri si artist më përgjigjej “rri i qetë mos u streso se ti e di mirë se nuk do jemi në natën finale”. Si shqiptar shpresova në ndonjë mrekulli apo ndonjë ”mëshirë”, por përsëri zëri i brendshëm më thoshte profesionalizmi nuk njeh mëshirë. Dhe më në fund fitoi ana profesioniste mbi atë kombëtare, mbi atë dëshirën e të gjithë shqiptarëve.

 Kujt ja faturon këtë dështim të radhës?

Atëherë do t’ju them se do të jem konkret, real, pa asnjë rezervë dhe paragjykim. Dështimin e radhës në këtë Eurovizion do t’ja faturoj:

-RTSH-së, personave përgjegjës që organizojnë këtë Festival Kombëtar. Ja faturoj Komisionit seleksionues të këngëve që paraqiten për konkurrim. Ka vend edhe për jurinë, por duhet thënë se në rastin e sivjetëm, ku kishte vetëm 16 këngë, për ta ishte e vështirë të zgjidhnin në këtë pakicë këngësh.

Vetëm këngëtares nuk i vë faj, ajo me vokalin e saj shumë të mirë dha maksimumin e saj. Por në fund të fundit ajo ishte këngë rutinë, aq brum kishte. Është dështimi i radhës e i përsëritur këto vitet e fundit. Deri kur do të vazhdohet me monopolizimin e të njëjtëve persona si organizatorë, drejtues e seleksionues të Festivaleve në RTSH? Deri kur do të çojmë në Eurosong këngë pa një fizionomi kombëtare, pa një gjuhë tonën muzikore, pa pastërtinë e melodive të  muzikës tonë. Deri kur do të paraqitemi në këtë festival si imitues të ashtuquajturës Globalizëm. Deri kur do të lemë më një anë euforizmin që na karakterizon përpara festivaleve tona?! Deri kur do të matemi me hijen e mëngjesit?!

Deri kur do të heqim dorë nga i ashtuquajturi “Spektakël shou pa bereqet?!

Çfarë i mungoi këtij Eurosongu?

 Këtij lloj festivali i mungoi më themelorja kënga e denjë konkurruese, ndaj ky Festival m’u duk si ajo pjatë që të servirin pa mish, por është e mbushur me lakra dhe një garniturë zbukuruese që nuk arrin të mbulojë defektin e asaj që është primare KËNGA.

Të gjitha vijnë nga mungesat në funksionimin profesional të Festivalit në RTSH?

Sigurisht, të gjitha prej andej vijnë. Deri kur do të sillemi e të bëjmë atë që të largojmë nga ky manifestim i këngës tonë, krijues që akoma mund të kontribuojnë në të mirë të këngës së muzikës së lehtë me prepotencën dhe mendjemadhësinë e realizueseve të saj.

 Brezi juaj kë ka pasur në drejtimin e këtyre festivaleve?

Ka pasur mendje të ndritura. Brezi im ka pasur në këto drejtime Mjeshtrin Gjon Simoni që na dëgjonte deri në fund, na orientonte, na ndihmonte dhe jo të na nënvlerësonte, megjithëse, ishim të rinj e jo me shumë përvojë.  Ka pasur njëkohësisht  për 16 vjet në krye të kësaj redaksie z. Spartak Tili. Ndërsa zotërinjtë e sotëm me një mendjemadhësi sillen me ne sikur të ishim njerëz që po shkelnim në atë zyrë për herë të parë dhe të thonë: Po të pëlqeu, ne e bëjmë ligjin këtu, ne na kanë vënë këtu. I njëjti  fenomen përsa i përket shumë këngëtarëve që janë larguar nga ky festival dhe kanë gjetur ngrohtësinë apo ndjehen më komod e të respektuar në evenimente të tjera të këngës. Kënga në këto festivale nuk është pronë  e shijeve personale të organizatorëve të saj.

 Po për pikët që japin shtete të ndryshme në Eurosong, çfarë mendimi ke?

 Kam lexuar në Facebook ankesa të shumta për  shtetet që votojnë. Ankohemi për  shumë arsye (Ka edhe vende për kritika dhe sugjerime ). Por interesant, nuk  u ankuam kur L. Çelo hyri në  dhjetëshe, as për A. Shahinin, as për Olta Bokën, as për Rona Nishliun. Me keqardhje e them se këto probleme nuk janë të sotme. Si individ i kam shprehur në dhjetëra shkrime dhe në disa ekrane televizive si RTSH, SCAN, VIZION PLUS dhe së fundi në ORA News. Por edhe kolegë të tjerë  kanë vërejtjet e tyre për këtë festival. Kësaj gjendje i duhet dhënë fund njëherë e mirë. Duhet menduar mirë një strukturë seleksionuese për të përzgjedhur këngën më të bukur të vitit që paraqitet në të gjithë eventet artistike. Shumë shtete pjesëmarrëse veprojnë në këtë mënyrë sepse në to nuk ka ndonjë festival të këngës, edhe Italia që e ka “Sanremon” nuk dërgon këngën fituese.