Enver Cakaj&Sefedin Methoxha/ Munushtiri, perla e fshatrave të Skraparit

899
Munushtiri i mbështetur pas malit të Cerovës, i bën karshillëk Tomorrit të lartë. Fshat i vogël, por me famë të madhe. Këmbët i ka mbi lumin Osum, kokën ja fshik dëbora, por nuk e mbulon. Banorët e Skraparit e quajnë një Myzeqe të vogël, transferuar në malësi. Ky fshat ka historinë e vetë, që e ka shkruar ashtu si i duhej. Ka dhe të veçantat e tij. Siç duket edhe në foto, është vendosur në një terren të pjerrët, por në fund të fshatit ndodhet një copë fushë, që i jep famën këtij fshati. Lumi nuk e ka lënë rehat në jetë të jetëve, por as ata nuk e kanë lënë të qetë lumin. Kur ishte i zoti lumi, ua merrte gjysmën e fushës, kur u bënë ata zotër, ia morën tokën lumit dhe e kthyen në pemëtore të famshme. Munushtirasit janë vigjilentë, por dhe lumi nuk harron, i paralajmëron ndonjëherë.
Tradita dhe historiku i banorëve të Munushtirit
Është mesditë dhe nëpër shtëpitë e Munushtirit gjen vetëm ndonjë plak ose plakë. Përpara shtëpisë së saj gjetëm Resmije Ymerin, një plakë e mbajtur mirë, që pastronte rrugicën. E pyetëm se mos kishte radhën e pastrimit, por ajo na u përgjigj: “Gjithmonë unë e kam radhën, të tjerët janë në punë”. Resmija është nga ato nëna, që nuk e pranon t’i afrohet pisllëku pranë shtëpisë. Ne kërkonim një mikun tonë, por kishim ardhur në kohë të papërshtatshme. Në këtë kohë bimët e arave i duan të gjithë banorët pranë. Perimet duan shërbime, pjeshkët e famshme duan vjelë. Qyteti i Çorovodës e pret furnizimin vetëm nga Munushtiri. Është fshati më afër, por edhe më prodhuesi i frutave dhe perimeve. Dallon nga të tjerët vetëm se nuk lakmon në blegtori. Tek ngjiteshim përmes banesave të fshatit gjetëm Qamil Shurdhin dhe Drita Hysenbelliun. Të dy pleqërojnë e kalojnë kohën nën hijen e një hurme e merren me muhabete të moshës së tyre. Qamili i ka kaluar të 93-vjeçët, por kujtesën e ka si djalë në vaktit. Tek po këmbenim dy fjalë me ta, një nuse zbriti shkallët e shtëpisë me tabaka në dorë për të na qerasur. Është zakon në të gjithë Skraparin. Po të erdhi një njeri, edhe i panjohur, përpara shtëpisë, nuk mund të largohet pa një gotë raki ose dhallë. Pastaj, po hyri në shtëpi, ka të tjera zakone. Oborri ku po kuvendonim i përkiste Meleq Hysenbelliut, i cili ka ardhur këtu që nga fshati Radësh. Kur filloi punë në ish-NB si bari, i thanë ta bënte pasaportizimin në cilin fshat të donte dhe ai zgjodhi Munushtirin. Meleqi nuk ishte në shtëpi, por sinjali i vajti që kishin ardhur miq.
Qamili filloi ta zbrazte arkivin e hershëm, që e ka në kujtesë. Dhe na shpuri në kohën e grekut të parë, që dogji të gjitha shtëpitë e Jugut. Atëherë 
Munushtiri ishte harmuri e murishte dhe s’mund ta quaje fshat.
– Mbase ju nuk u duhen historitë e vjetra, por unë do t’u tregoj ato që di. Merrni dhe lini. Merak të mos keni se janë të gjitha të sakta. E shikoni ju këtë fshat të mbushur me jemishe e shtëpi të reja? E kam parë tjetër soj unë. Na kanë vdekur shumë njerëz për bukë këtu. Më e rëndë ishte kur një grua kishte vdekur dhe fëmija pinte qumësht në gjirin e saj! Nuk më harrohet, jo,se e kam parë me sytë e mi. Me që jemi në kohë votimesh, do t’u tregoj se në kohën e Zogut votohej me listë. Viheshin emrat në një letër, e firmoste kryeplaku i fshatit dhe e shpinte atje ku duhej. Enver Hoxha e bëri ndryshe, votonim me kokrra, se nuk dinim shkrim. Pastaj e ndryshoi dhe ai, se nuk la njeri pa shkolluar. Kohë të rënda kaluam. Na vinte këtu Ramadan Rovica e mblidhte rininë. Jo në shtëpi, në pyll, ilegalisht. Gjithë natën vinim rrotull për të shpënë informata e ushqime partizanëve…Mos u bezdisa?
Ne nuk e kishim bezdi, po nuk donim ta lodhnim në atë moshë. Munushtiri kishte 15 partizanë dhe dy dëshmorë. Por kishte dhe një prapavijë me komandant të çetës në fshat, Hysni Merko, që i bënte të gjithë partizanë. Pas një pauze, Qamili nisi të tregonte: “ Partizanët e parë ishin Avdyl Hamzollari. Ky Avdyli na kishte dy djem, Rexhepin dhe Mestanin. Këtë Rexhepin e kapën befasisht ballistët. E morën ta pushkatonin, po në rrugë u përballën me partizanët. Kur e panë Rexhepin mes tyre, u bënë gati ta qëllonin, por ai thirri fort: “Më kanë marrë rob”. Dhe shpëtoi ai djalë. Ky Avdyli na ishte në Grupin e Skraparit, po me që ishte i moshuar, dërgoi Mestanin në këmbët tij. Mirëpo Mestani na u vra në Paraspuar. Para se të vritej i dërgoi letër të atit. E pyeste, a e mbollët misrin? Kemi dhe një dëshmor tjetër këtu, Idriz Shurdhi. Këtë erdhën e kërkuan në fshat. I thanë të atit, Isufit; “Këtë djalë duam për partizan”. Dhe iku Idrizi në Brigadën e 7-të. Si çliruan Shqipërinë, kaluan përmatanë. Atje u plagos dhe u shtrua në një spital të Bosnjës. Mirëpo nuk qe e thënë të jetonte, mbeti andej. Ne e kishim fejuar e do ta martonim sa të vinte. S’erdhi. Më thanë ta merrja unë, që të mos prishej miqësia. S’pranova unë”.
Një mbasdite ndryshe nën shoqërinë e veteranit të fshatit 
Aty pranë ishte një veteran, të cilin e kërkuam të vinte tek muhabeti i ngritur, por nuk i punonin gjunjët. Vajtëm ne tek ai. Te porta e jashtme ishte një qen i lidhur që shtrëngohej në zinxhir. Të lehurat e tyre nxorën përjashta Hatixhe dhe Laureta Ymerin. Nuk e mbanin kot atë qen. Hatixheja na shpjegoi: “Është ngjallur hajdutëria. Le që të vjedhin, po edhe të vrasin. Qenin e kemi si lajmëtar”. Tajari nuk lëvizte më tutje. Përpara shtëpisë një divan dhe një tryezë, që do të thoshte, më mirë se këtu nuk ka. Megjithëse këmbëngulja e tyre ishte për të vajtur brenda, ne qëndruan aty. Sipas traditës quhet që ke vajtur te miku kur je shtruar këmbëkryq në odën e miqve. Tajari kishte të tijat për t’i thënë. Natyrisht do ta fillonte nga lufta. Ai e kishte filluar në Grupin e Skraparit dhe e kishte mbaruar në Brigadën e 7-të Sulmuese.
-Nuk isha vetëm unë. Qemë shtatë djem nga Munushtiri, që lamë dhitë në pyll dhe ikëm nëpër brigada. Një natë fjetëm në Devri. Ju e dini, atje s’ka as shtëpi, as kasolle. Dimër ishte, po ndezëm zjarre dhe bëmë nga një sy gjumi. Gjumë i thënçin. Morëm rrugën për nga Potomi. Në fshatin Sukarës vajtëm tek shtëpia e Xhelalit. Kishim uri për bukë, po edhe ata ishin si ne. Nuk na lanë të uritur, na dhanë një copë përvlak misri. Gjellën e kishte brenda. Laureta bëri adetet që u takojnë mysafirëve. Na solli nga një gotë dhallë dhe një pjatë me fruta. Hatixheja nuk i kurseu lavdërimet për nusen:
– Ka qëlluar fat për ne pleqtë. Ç’shikojmë e dëgjojmë tej e këtej, nuk na vjen për nuse kurrë. Harrojnë korbat, që do të bëhen si ne.
Te Meleqi na prisnin edhe pse ne këmbëngulëm të iknim. Atje gjetëm edhe Hajri Shurdhin, Bilbil Shurdhin, Deli Sulën dhe Pano Nasin. Nuk deshëm të uleshim, po Meleqi nuk na i dha dorën përcjellëse. Ne donim të largoheshim se ai po i lyente shtëpitë. Por Meleqi e solli tryezën tek hija e hurmës. Në çast tryeza u mbush plot. Meleqi mori gotën.
– Ju lumshin këmbët që na erdhët! Këngë nuk do të bëjmë dot, po dolli do të bëjmë.
Muhabeti u shtrua skraparliçe. Ishte dhënë urdhri, që të piheshin gotat plot. Ne i lamë gotat. Xha Qamili i qëndroi zakonit dhe urdhrit. Na çuditi për moshën që kishte. Mirëpo rakia të sjell në qejf. Kishte të drejtë. Gjithë ditën rrinte vetëm nën hijen e asaj hurme. Sot ka njerës. Meleqi na tregoi historinë e shtëpisë.
– Kur erdha sefte në fermë, më thanë të zgjidhja në cilin fshat do ta bëja pasaportizimin. Unë zgjodha Munushtirin. I njihja mirë këta njerëz dhe më hahej muhabeti me ta. Mirëpo të mirin duhet ta mbash mirë. Nuk doja të përfitoja nga zemërgjerësia e tyre. Dhe çfarë bëra? Që të mos i mbetej qejfi askujt erdha i bëra shtëpitë këtu, ku nuk ishte e askujt. Ky vendi këtu ka qenë shkëmb e rripa. U çuditën ata që më panë. Mu deshën të merrja tre traktorë për ta bërë vend për të banuar. Më shumë kushtuan gërmimet e muret mbrojtëse se shtëpia…Pa merrni ndonjë gotë se harruam!
Shtëpia dykatëshe na i mbajti sytë atje. E bukur sa shpirti i Meleqit. Poshtë shtëpisë ca mure mbrojtës dhe pemë e perime të mbjella rishtazi. Përpara shtëpisë një shtratore me rrush. Ai vend i shkretë ishte bërë strofka kryesorë ku mblidheshin e kuvendonin munushtirllinjtë. Meleqi behar në shpirt, nuk kursente asgjë për atë shoqëri. Të gjitha punimet këtu kanë vetëm djersën e Meleqit. Në doni të dini se sa djersë ka derdhur, shikoni shtëpinë dhe rrethinat. Meleqi është i zoti i punës. Ai nuk ka tokë në Munushtir, po vrau mendjen tok me djemtë, dhe gjetën zgjidhjen për të jetuar. I hynë sektorit të blegtorisë. Dhe ky, Meleqi, nuk merret me punë angari. Arriti të bëjë 1000 e ca kokë bagëti. Bleu kullotë, rregulloi dhe meranë e dimrit në Sarandë. Bagëtitë i veron në fshatin e tij, Radësh. Thonë se bagëtia të bën bagëti, po Meleqi merret edhe me veprimtari patriotike. Ai është kryetar i organizatës së familjeve të dëshmorëve në fshat. Me shpenzimet e tij vuri një pllakë përkujtimore për dëshmorët e fshatit. Mirëpo ca vagabondë, mbase ata që e kanë detyrë funksionale e ligjore, ja thyen pllakën natën. Po Meleqi është këmbëngulës për atë që nis dhe e rivuri sërish pllakën. Ishte sërish Meleqi që sponsorizoi për botimin e një libri për tre fiset e Radëshit. Ndonëse atë libër e kanë shkruar të tjerët, quhet vepër e Meleqit.
Munushtiri është perla e tërë fshatrave të Skraparit. Që nga ky blloku i pjeshkëve të famshme, janë nisur fidanët për të furnizuar fshatrat dhe më tutje. Këtu i ka marrë fidanat e pjeshkëve edhe i ndjeri Haxhi Lleshi. Si merakli për frutikulturën ai nuk rrinte pa vajtur në Munushtir sa herë e sillte puna në Skrapar. Blloqe pemësh e perime kanë të gjitha fshatrat, po Munushtiri e furnizon qytetin me to. Kur të vini në Munushtir, mos harroni ta vizitoni këtë pemëtore të shkëlqyer. Të vjen keq të këputësh një kokërr, sepse i prish bukurinë tërë bllokut. U lumtë mendja dhe duart, o munushtirasit e mirë! 
Sigal