Enver CAKAJ/ Lëviz Çorovoda, lëviz…

641
Sigal

Reportazh/ Në Çorovodë çdo ditë diç lëviz në rindërtimin e qytetit

Nuk e dimë, kanë dashur ta groposin këtë qytet, që e kanë hedhur në këto thellësi, apo erozioni i viteve e ka bërë të tillë Çorovodën. Nëse kjo nuk ka gjetur shpjegime, atë ja kanë dhënë vetë banorët e tij, që nga pylli, ku gjuanin derra, e kthyen në një vend të banuar. Sidoqoftë populli i këtyre anëve i është përshtatur vendit ashtu si ishte e si u bë. Dy degët e lumit Osum, që e ndajnë qytetin, ndonëse u kanë krijuar probleme për të komunikuar me anën tjetër, i japin një bukuri të rrallë qytetit, por dhe e freskojnë në ditët e nxehta. Aty ku sot është ura kryesore kanë qenë vetëm dy drurë, ku njerëzit kalonin në anën tjetër. Edhe nëpër këto kalohej me frikë. Kur binin shira të dendur, i merrte ata dy drurë dhe komunikimi ndërpritej. Në vitin 1944 dy korrierë të ardhur në këmbë nga Berati do të sillnin një letër të rëndësishme, por ata dy drurë i kishte marrë lumi. Letra duhej çuar me çdo mënyrë, por lumi nuk i lejonte. Korrierët e thirrën atë që do të merrte letrën, por të dy qëndronin në anët e kundërta të lumit. Njerëzit kanë vrarë mendjen dhe nga nevoja e kanë gjetur zgjidhje. Një gur e mbështollën me letrën, e lidhën me shami dhe e hodhën përmatanë. Duhet të prisnin sa të bindej lumi, që të lidheshin me njëri-tjetrin. Komandën e atij qyteti e kishte lumi. Ndërtimi i një ure donte fonde, por ata s’kishin as bukë. Po njerëzit kur do të bëheshin zot i vendit?

Çorovodës i thoshin qytet, por nuk kishte asnjë element të qytetërimit. Madje këndohej dhe një këngë: “Çorovodë e kuqe,/Qytet pa dyqan…” Pa rrugë, pa makina, pa asnjë shërbim publik, pa banesa. Në vitin 1947 në buxhetin e vitit ishin planifikuar të shtroheshin 200 metra rrugë me kalldrëm, por në raportin vjetor, që i dërgohej qeverisë, shkruanin: “Kalldrëmin nuk e realizuam dot, se nuk kishim karrocë. Këtu nuk ka njeri për të ngarë karrocën!”. Qyteti i gjithë gurë, duheshin vetëm punëtorë t’i thyenin e shtronin. Posta, nëpërmjet të cilës do të kalonte korrespondenca, që do të lidheshin, mungonte. I ndjeri Qani Naço, me një mushkë shkonte në Berat e merrte letrat zyrtare e të thjeshta. Çfarë kërkonin këta njerëz në ato vite? Po të kishin bukë, vajguri dhe kripë, ishte luksi më i madh. Nuk u kishte shkuar ndërmend për të pasur një llambë elektrike në mes të tavanit. Telegramet, që i drejtoheshin Qarkut të Beratit për këto, s’kishin të sosur. Ata u ndjenë komod kur në Çorovodë hyri makina e parë. Kjo do të sillte bukën e tyre më pranë. Dhe e para punë që bënë ndërtuan një depo të madhe drithi, që e dërgonte shteti. Fshatarët nuk kishin fuqi të lëviznin shtresat e thella të tokës e t’i hapnin rrugë bukës, por mbanin radhën në depon e qytetit për të marrë drithë. Shteti me makinë e ata me kafshë, e boshatisnin brenda javës depon. Se çfarë bëhej në vend, nuk kishte asnjë mjet informimi. Çorovoda me rrethinat të ngjante me një ishull të pa zbuluar. E vetmja muzikë që kishin, ishte ajo e lumit Osum. Tjetër gjë s’pipëtinte.

-Historiku i Çorovodës

Urrejtja për ato ushtri barbare, që e fukarepsën këtë vend me vrasje e vjedhje, u ishte ngulitur në kokë aq shumë, sa kur u çlirua qyteti, të parën gjë që bënë, dogjën të gjitha dokumentet e armikut. Por, çuditërish, kjo gjë u përsërit edhe kur ndryshoi sistemi. Një grup huliganësh të parën dogjën bibliotekën e qytetit! Fashizmi e sundoi këtë qytet, por nuk e dogji. Edhe tani ka një dorë të zezë, që kanë maninë vetëm të prishin. Kush na i psonisi këtë edukatë shkatërruese? Njerëzit harrojnë, se ajo që prishet është djersa dhe gjaku i prindërve të tyre. Asnjë gjë e re që ndërtohet nuk është e tepërt. Ajo u shërben edhe atyre që e prishin. Por në qytetin e Çorovodës ka dhe një dorë të kujdesshme, që e vrojton qytetin si ta ketë shtëpinë e tij dhe çdo ditë ndërton ndonjë gjë të re. Ky është Nesim Spahiu, kryetari i Bashkisë së qytetit. Mirëpo ky qytet, që ka shumë mungesa, nuk ka nevojë vetëm për një njeri. Qyteti është i të gjithëve. Nesimi është më merakliu, se kërkon të justifikojë besimin që i dha populli, por dhe të plotësojë ato boshllëqe që ka qyteti. Qytetarët e Çorovodës nuk kanë parë një kryetar Bashkie si Nesimi, që i ka shkulur kufijtë e ditës dhe të natës. Para e pasdite vëzhgon nëpër qytet mos ka luajtur ndonjë gur i kalldrëmit ose është ndotur ndonjë pjesë e qytetit. Dhe këto defekte nuk i zë dita e dytë. Çorovoda është shpallur qytet i pastër, por edhe pse ka pastruese natë e ditë, ai e bën haram gjumin dhe në mes të natës ngrihet e kontrollon punonjësit. Në këtë pikë nuk është i vetëm, sepse ka zgjedhur një ekip të atillë, që të gjithë e ndjejnë veten përgjegjës. Në Çorovodë çdo ditë diç lëviz në rindërtimin e qytetit.

-Investimet që janë bërë në qytet. Ilir Meta dhe planet e ardhshme                                                                               

Qyteti i Çorovodës është përgjysmuar, sepse njerëzit janë larguar, por shërbimi duhet bërë i plotë. Nëse shërbimi mjekësor është i mangët, jo për faj të Bashkisë, të tjerat nuk i mungojnë këtij qyteti. Ne nuk na vjen mirë ta themi, por Nesimi është kthyer në lypës. Bashkisë i mungojnë fondet, por ai ka gjetur një mënyrë të tij për të plotësuar ato që i duhen qytetit. Diku merr gurët, diku çimenton, diku rërën dhe po i qëndis ato rrëpira, që ja prishin bukurinë qytetit. Ai i ka kthyer të gjithë donatorët në ndihmë të qytetit. Çorovoda është mbushur me pemë dekorative. Kush i solli e kush i pagoi ato pemë? Ka disa emra, mes të cilëve edhe deputetja Monika Kryemadhi. Por ai që qytetarët takohen përditë më të dhe e quajnë bashkëkryetar i bashkisë, e ka emrin Bajram Muçaj. Ai e shtroi lulishten me pllaka, ai e ngriti këndin e lojërave për fëmijë, ai dhuroi një makinë për pastrimin e plehrave, ai financoi për disa rrënjë pemë gjelbëruese.

Shigjetat e ndërtimeve po ecin drejt fshatit. Rruga që së shpejti do të lidhet me Përmetin, nis që në Çorovodë. Thuajse gjysma është asfaltuar. Rrugët që e lidhin qytetin me Vërzhezhën dhe Therepeli, janë asfaltuar. Unaza e qytetit pritet të përfundojë. Në qytet kanë nisur të vijnë turistë nga bota. Këtë  javë erdhën një grup të rinj e të reja nga Budapesti. Por në Çorovodë shikon edhe kinezë, edhe gjermanë, edhe amerikanë. Kanionet e Çorovodës kanë bukuri mahnitëse, por nuk mjafton vetëm kjo. Turistët duanë dhe lokale turistike. Këto ditë u inaugurua një hotel privat turistik. Lëviz, Çorovoda, lëviz. Në një cep të qytetit është gati për t’u vënë në punë hidrocentrali elektrik, i dyti që ka qyteti. Të tjera vepra pritet të ngrihen, por financimi i ka frenuar ato projekte që presin zbatim. Në qytet ka qenë gangrenë punësimi. Veç institucioneve buxhetore nuk kishte asnjë mundësi punësimi tjetër. Kjo e shqetësonte bashkinë dhe njerëzit. Por këto ditë, me këmbënguljen e Bashkisë dhe deputetit Ilir Meta, kjo e keqe sikur u zbut. Në qytet është hapur një fabrikë këpucësh me kapacitet deri në 300 punonjës.

Nuk duam të mëremi me politikë po qeveria që iku nuk e kishte në refene, as Çorovodën, as Skraparin. Deputetët skraparas vinin kokulur në vendlindjen e tyre, ose dhe shmangeshin për të ardhur. Populli ua dha votat sa herë që i kërkuan, po ata mundoheshin vetëm për të gjetur ndonjë donator, se pushteti nuk ishte për të gjithë Shqipërinë. Skrapari kishte mbetur si një gur i hedhur në rrëpirë. Ky popull, që la 404 djem nëpër male, për të patur qeverinë e tij, duroi aq sa mund të durojë një njeri normal. Edhe populli i ktheu kurrizin asaj lloj qeverie dhe u mbajt gjallë nga djemtë që dërgoi në emigracion. 600 të papunët e Çorovodës shullëheshin pa asnjë shpresë. Kjo i detyroi të formonin vargjet: “Çorovoda anës lumit,/Pi raki dhe futja gjumit”. Nuk e ka kënduar kurrë këtë këngë qyteti i Çorovodës  edhe kur toka flinte nën shkurre, edhe kur bukën e kërkonin nëpër pazaret e botës.

-Çorovoda me vullnet të mirë, por pa financime

Nuk besoj të ketë qytet si Çorovoda, që e ndajnë në dy trekëndësha dy degët e lumit Osum. Qyteti ka resurse të shkëlqyera për t’u zhvilluar e të harrohet ajo kënga e rakisë dhe gjumit, të mos ndjehet më as ajo shushurimë bezdisëse e lumit Osum. Nesim Spahiu ka shumë merak, që ta tjetërsojë qytetin, sepse siç është qyteti do të jetë edhe bashkia. Ai ka merak se në qytet ekziston një spital modern, por jo funksional. Aty mungojnë specialitetet dhe të sëmurët detyrohen të shkojnë në Berat për ta marrë këtë shërbim. Që të quhet një qytet i kompletuar lipset të ketë edhe institucione kulturore e sportive. Ndërsa për kulturën ekziston një objekt që quhet Drejtori Kulturore, nuk zhvillohet asnjë aktivitet. Objekti është krejtësisht jashtë funksionit nga lagështira, po mungon edhe financimi. Qyteti ka një muze të bukur, por vetëm kaq, se brenda janë afishuar disa fotografi e gjetje arkeologjike, se arkivi ku ishte historia e rrethit, është zhdukur. Në Çorovodë ekziston një ekip futbolli, se sportet e tjera janë shuar, por dhe ai qëndron në fund të kategorisë së dytë, pa asnjë shpresë ngjitje. U mburrën shumë donatorë fillimisht, por të gjithë u tërhoqën. Bashkia ka një fond të cunguar për sportin dhe nuk ka mundësi ta përballojë. E megjithatë Çorovoda lëviz edhe pse ngadalë. Nuk e dimë kur do ta marrë xhiron e plotë ky qytet? Punën nuk e bën vetëm meraku i Nesimit, por financimet.