Enti Kombëtar i Banesave regjistron në Hipotekë një godinë ushtarake që nuk ekziston

676
Sigal

Enti Kombëtar i Banesave ka regjistruar në Hipotekë një
godinë ushtarake që nuk ekziston. Disa banorë në zonën e Kodrës së Priftit në
Tiranë janë ankuar se nuk legalizojnë dot banesat, për shkak të një ish-godine
ku ka qenë reparti numër 17 në Tiranë.



Sipas
fotografimit nga ajri në vitin 2007 të territorit të Republikës së Shqipërisë,
godina e repartit në fjalë nuk egziston. Ndërkohë, në datën 29 prill të vitit
2011, del një vendim qeverie. Në të thuhet se “objektet e repartit
ushtarak, të ndodhur në ‘Kodrën e Priftit’, Tiranë, miratuar me vendimin
nr.255, datë 3.9.1994 të Ministrit të Rendit Publik, si objekte të lira nga
ristrukturimi, kalojnë në fond banesash për Entin Kombëtar të Banesave”.
Më tej shtohet se pas kalimit të këtyre objekteve në fond banesash dhe
regjistrimit të tyre në ZVRPP-në e Tiranës, Enti Kombëtar i Banesave ngarkohet
të lidhë kontratat e privatizimit me banorët e pastrehë. Po për çfarë objekti?
Kush ka shkuar në terren për të verifikuar nëse ka apo jo godinë? Aluizni? Enti
Kombëtar i Banesave, apo ndonjë institucion tjetër?
 



“Reparti është prishur në
vitin 1993”
 

Nga viti 2011, deri në ditët e sotme, familjet që kanë
banesë në këtë zonë nuk mund ti legalizojnë, për shkak se në hartë shkruhet se
ajo është pronë e Entit të Banesave.
 

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në zonën në fjalë, te Kodra e
Priftit. Nepërmjet hartës, u gjet edhe vendi ku ka qenë dikur reparti ushtarak.
Në vend të godinës që thuhet në hipotekë, në zonë janë banesa private. Gjurmët
e vetme të repartit janë vetëm pak metra kolona betoni, të ndodhura mes
banesave private.
 

Ramazan Targo, një ish ushtarak, thotë për Fiks Fare se ka
ndërtuar banesën e tij në territorin kur dikur ka qenë repart ushtarak.
“Këto banesa kanë qenë garazhe, ish reparte ushtarake. Në vitin ’94 kam
filluar të ndërtoj këtu. Në 2007 e kam legalizuar. Tokën e kam blerë (shpjegon
ku ka qenë garazhi i prishit në vitin 1994). Në 2013 kam bërë të gjitha pagesat
financiare edhe marr përgjigje se është në kuadër legalizimi si gjithë”
thotë Ramazani.
 



“Sorollatem prej tre
vitesh”
 

Fiks Fare shoqëroi në Entin e Banesave banoren Jonida
Kreka. Ajo thotë se ka rreth tre vite që sorollatet nga institucionet
shtetërore. “Problemi ka vite që ka filluar dhe sorollatem për një pronë
të Kodra e Priftit. Kam bërë të gjitha procedurat, kam shkuar te Hipoteka dhe
aty më vjen një përgjigje se një pjesë e sipërfaqes bie mbi pronën e Entit të
Banesave. Në pjesën që më vjen thuhet që është godinë e repartit ushtarak. Ne e
kemi ndërtuar shtëpinë në vitin 2003. Në momentet që e kemi ndërtuar, ne nuk kemi
gjetur asnjë ndërtesë egzistuese. Unë vij te Enti i Banesave dhe më thonë që
janë pezulluar. Sot i kam shkruar një kërkesë Entit të Banesave dhe pres
përgjigje. Na kanë thënë që janë të bllokuar, s’kemi marrë asnjëherë përgjigje
zyrtare” thotë Jonida. Gazetarët shkojnë të takojnë drejtorin e Entit të
Tiranës, zotin Irfan Hysolli, por ai nuk ishte në zyrë. Më pas, gazetarët dhe
qytetarja shkojnë në godinën e Entit Kombëtar të Banesave. Sportelistja u thotë
që drejtoresha nuk është, pasi ka shkuar në ministri. Ekipi i gazetarëve i
kërkon që të flasin me dikë për këtë problem, por marrin si përgjigje se
“ju jeni të televizion dhe duhet leja e shefes”. Sportelistja
komunikon me drejtorin e Tiranës, Irfan Hysolli. U jep gazetarëve telefonin dhe
drejtori thotë se vjen për një orë.
 



Kush e regjistroi godinën te Kodra
e Priftit?


Gazetarët rikthehen pas një ore në zyrën e drejtorit Irfan
Hysolli, bashkë me qytetaren. Fillimisht, Hysolli pranon të shpjegojë
gazetarin, por pa prezencën e qytetares dhe kameramanit. Fiks Fare regjistroi
bisedën mes gazetarit dhe drejtorit Hysolli. Gazetari i thotë se “familjet
pretendojnë se, një pjesë të godinës së ish repartit 17, e ka Enti Kombëtar i
Banesave, e ka të hipotekuar si ndërtesë. Ndërkohë, familjet nuk e legalizojnë
dot, nuk bëjnë dot procedurat e legalizimit, për shkak se ka një përplasje mes
Aluiznit dhe Entit të Banesave”. Hysolli thotë se operon me një VKM, të
vitit 2011 për 82 ushtarakë. “Tek ne sjellin një sërë dokumentesh për ti
privatizuar. Goca, unë nuk e di kush është, ka ardhur ditën e premte dhe më ka
sjellë një letër të hipotekës. Letra i drjetohet asaj, jo neve dhe thotë që ju,
në shtëpinë që doni të legalizoni, keni një pjesë që është pronë e Entit
Kombëtar të Banesave. Unë i thash me shumë mirësjellje bëj një kërkesë, që unë
të kthej përgjigje zyrtare” thotë Hysolli, ndërsa gazetari i thotë se në
hartë është shkruar se godina është egzistuese, ndërkohë që ajo është prishur
vite më parë. “Ka qenë dikur, ka njollë në hipotekë… Unë s’kam asnjë ankesë,
asnjë problem, përjashto gocën që ka ardhur. Nuk regjistrojmë ne” thotë
ai. Pyetjes se, si është regjistruar, ai i përgjgijet se “ne aplikojmë dhe
i themi Hipotekës që me vendimin e Këshillit të Ministrave, me numër, datë të
vitit 2011, na janë dhënë në dispozicion këto emra”. Në fund pranon se një
gjë e tillë mund të jetë problem.
 



Përballja e qytetares me drejtorin

Pas këmbënguljeve të ekipit të Fiks Fare, drejtori pranon
të takojë qytetaren, por sërish nuk pranon kamerat. Jonida i thotë se kemi
folur edhe herë të tjera bashkë, ndërsa drejtori i përgjgijet se “nuk më
kujtohet”. Ai mban mend vetëm një takim, të zhvilluar dy ditë para se të
shkonte Fiks Fare. “Më erdhe ditën e premte dhe të thash që do të bësh një
kërkesë të Moza, më tregove problemin dhe të thash që unë këtë pasuri, ku sipas
hipotekës pretendohet që e paska Enti, të thash që ne nuk kemi asnjë konfirmim
nga hipoteka. Më bëj kërkesën thash dhe do të kthej një përgjigje zyrtare dhe
unë do filloj procedurat me hipotekën” i thotë Hysolli.
 

Ndërkohë, qytetarja i thotë se “unë kam ardhur këtu që
kur kam marrë lejen e legalizimit nga Aluizni. Kam çuar dokumentet në hipotekë,
hipoteka më ka kthyer këtë përgjigje. Dhe, që në momentin e parë që kam marrë
përgjigjen e hipotekës, kam ardhur dhe kam takuar Mozën. Moza më ka sjellë këtu
te ju. Kemi folur dhe bashkë dhe më keni kthyer një përgjigje që janë të
bllokuara për momentin. Shkova nga ana tjetër e Entit të Banesave dhe kam folur
me juristin dhe më ka thënë se janë të bllokuara për momentin. Kam ardhur mbi 10
herë, kam takuar gocat andej dhe më kanë thënë që akoma nuk kemi një shkresë.
Kam folur me Mozën gjatë kësaj kohe dhe i kam thënë a ka ndonjë gjë të re për
privatizimin e objektit, jo akoma, akoma, akoma… U bënë tre vjet, unë tani dua
një zgjidhje. Unë vajta në bashki për ta ndërtuar këtë godinë, sepse dua të
banoj vetë se jetoj me qira, bashkia nuk ma njeh se më thotë se nuk ke
certifikatë pronësie. Mua më ka lënë pezull” është ankesa e qytetares. Pas
kësaj ankese, drejtori i bën me dije Jonidës se po ngarkon inxhinierin, që të
verifikojnë dokumentet.
 

Megjithatë, gazetarët e pyetën për të disatën herë; Si u
regjistrua si godinë, kur ajo është prishur në ’94-ën? “Jo, jo dhe Enti ka
një inxhinier topograf të licensuar dhe në bazë të vendimit të qeverisë ka
shkuar atje dhe ka marrë njollën që është kjo…” thotë Hysolli. “Dmth,
ka bërë verifikime dhe ka rezultuar se ajo është godinë…” ishte ndërhyrja
e gazetarit, teksa drejtori përgjigjet se “Kjo është e legalizimit, nuk
jemi ne… Nuk e njohim fare…. Doni të zgjidhim punë apo…”. Normalisht,
ekipi i gazetarëve kishte shkuar për të zgjidhur problemin e qytetarëve dhe
drejtori tha se do të caktonte një inxhinier topograf.
 



Aluizni: Problemi te Enti i
Banesave


Gazetarët e Fiks Fare shkuan në drejtorinë Rajonale të
Aluiznit në Tiranë. Specialistja Mira Mezini thotë se: “Jemi në dijeni të
problemeve të banorëve. Gjatë shqyrtimit të dosjeve na rezultoi që pasuria ka
mbivendosje me një pasuri të Entit të Banesave. Enti e ka regjistruar si
godinë. Në fakt nga verifikimet e vitit 2008 dhe 2009 rezultoi se ka ndërtime
pa leje nga banorët dhe nuk egziston objekti që pretendon Enti i Banesave dhe
është i regjistruar. Në vitin 2009 këto objekte i kanë kaluar në favor të
deklaruesve. Në 2015 këta s’kanë marrë leje legalizimi, proceduan dhe dolën në
mbivendosje dhe u ndërpre. I kemi bërë shkresë Entit të Banesave për të na
konfirmuar. Rezulton se Enti i Banesave këtë objekt e ka futur në inventar dhe
rezulton se ky objekt egziston edhe sot në favor të Entit. Nga fotografimi në vitin
2007 rezultoi se objekti i Entit nuk egziston, por janë bërë ndërtime”.
 



Heshtja e Entit Kombëtar të
Banesave


Fiks Fare shkon sërish në godinën e Entit Kombëtar të
Banesave për të pyetur për problemin në fjalë. Gazetarët tentuan të kontaktojnë
drejtoreshën Redina Kodra, por ajo ia delegon përgjigjen nëndrejtoreshës. Kjo e
fundit kontakton me ekipin e Fiks Fare, por nuk preferon të flasë me kamera.
Pra, ekipit të gazetarëve iu deshën disa ditë për të marrë përgjigjet nga
institucionet shqiptare, të cilat vazhdojnë të sorollasin qytetarët.
Megjithatë, krahas problemit të godinës egzistuese, një tjetër ngërç është
përplasja mes Entit të Banesave dhe Aluiznit, të cilat për ironi të fatit, janë
të dyja në varësinë e Ministrisë së Zhvillimit Urban.
/Top Channel