Engjëll Sina: Më jepni 3 muaj kohë, t’ju jap fabrikën e niseshtesë në gjendje pune

1079
KORÇË- Engjëll Sina është një nga inxhinierët e mirënjohur në shkallë vendi. Gjatë jetës së tij ka punuar pranë fabrikave për prodhimin e birrës, të pijeve alkoolike, të prodhimit të alkoolit, të maltos, të niseshtesë, të sheqerit etj. Tashmë ai edhe pse është pensionist vazhdon të njihet me të rejat e shkencës dhe harton projekte të tilla që mund t’i vijnë në ndihmë zhvillimit të rajonit të Korçës. Së fundi ka përfunduar projektin për restaurimin e fabrikës së niseshtesë, e cila u vjen në ndihmë fermerëve të rajonit Korçë, pasi shitja e prodhimeve të tyre do të jetë e garantuar. Projektin në fjalë, Sina ia ka bërë të njohur ministrit të Bujqësisë, Edmond Panaritit, i cili i ka ofruar mbështetjen e vet, pasi e pa me mjaft interes një studim të tillë. Për këtë arsye specialistëve të Drejtorisë së Bujqësisë në Korçë, Panariti iu la një sërë detyrash për zbatim. Tashmë Sina është në pritje të fjalës së ministrit për të filluar nga zbatimi i projektit. Ai thotë se i duhen vetëm 3 muaj kohë që fabrikën e niseshtesë ta kthejë në gjendje pune. 
Projekti
Po, është e vërtetë, na thotë inxhinier Engjwll Sina, më duhen vetëm tre muaj kohë që fabrikën e niseshtesë ta kthej në gjendje pune, e cila do të përshtatet për prodhimin e mushtit në formë maltose të parafermentuar. Kjo është lënda e parë për prodhimin e alkoolit etilik 95 gradë, shumë cilësor, konform normave të Bashkimit Europian, pasi plotëson të gjitha normat organo-leptike dhe kimike. Për prodhimin e saj kërkohet kultivimi i patates industriale nga fermerët tanë, e cila kombinohet me malton aktive të elbit ose të grurit, që mund të prodhohet nga vetë fabrika, nga Malteria e Sovjanit ose nga importi. Projekti do të konkretizohet fal marrëveshjes së binjakëzimit midis fabrikës së alkoolit në Maliq, fabrikës së prodhimit të maltos në Sovjan, linjës së prodhimit të distilateve alkoolike në Hotolisht, si dhe me fabrikën e niseshtesë që unë bashkë me grupin e projektimit do ta përshtasim për këtë qëllim nëpërmjet rikonstruksionit.
Mushti i nxjerrë nga patatja
Pas rikonstruksionit të pajisjeve të fabrikës së niseshtesë në Maliq, na shpjegon inxhinieri Engjwll Sina, do të përpunohen rreth 42 tonë patate industriale në ditë në bashkëveprim me rreth 4,2 tonë malto aktive në ditë, nga të cilat do të prodhohen 420 HL (42,000 litra) musht maltoz në 24 orë. Gjithashtu do të veçohen si bërsi, (ushqim i përshtatshëm për bagëtitë, veçanërisht për lopët dhe derrat), rreth 40 tonë me lagështirë, Me këtë lloj ushqimi mund të krijohen receptura të ndryshme përzierjeje. Veç sa më sipër, krijohet mundësia e ndërtimit të stallave të mëdha dhe me leverdi, pasi ushqimi për bagëtinë është i siguruar. Përveç malterisë së Sovjanit, (një ndërtim teknologjik modern), në rrethin e Korçës ekzistojnë në gjendje pune dhe dy instalime për prodhimin e alkoolit të rektifikuar 95 gradë. Një instalim i tillë, pak më i vogël ndodhet në Hotolisht të Librazhdit. Të tria këto instalime përpunojnë me lehtësi sasinë prej 42,000 litra musht. Alkooli që prodhohet nga elbi dhe patatja është alkooli më cilësor që sot prodhohet në botë si alkool ushqimor brenda normave të Bashkimit Europian
Çfarë do të prodhojnë fermerët
Studimi në fjalë synon prodhimin e niseshtesë, prodhimin e maltos për prodhimin e birrës dhe maltos aktive, prodhimin e mushtit nga patatja, prodhimin e alkoolit, etj, si dhe të një sërë produkteve të tjera që mund të përdoren më sukses në blegtori. Gjithsesi, le të ndalemi edhe një çast te prodhimi i maltove. Për prodhimin e tyre kërkohet kultivimi i shumë bimëve bujqësore, ose më konkretisht fermerëve të Korçës do t’u kërkohen sasi të tilla prodhimi, si: 6.600 tonë patate industriale në vit; 6.600 tonë panxhar sheqeri në vit; 3,000 tonë elb polistik ose grurë në vit; 9.600 tonë elb dyfletësh në vit etj. Gjithashtu, kërkohen sasi të konsiderueshme frutash, si: rrush, mollë, kumbulla, dardhë, boçe pishe, ftonj etj. Nga sasia prej 9.600 tonë elb, në fund të procesit sigurohet një masë prej rreth 7.488 tonë malto në depozitë (sillozet) e gatshme për t’u tregtuar. Përfundimi: nga 128.2 kg elb distik dyfletësh përfitohen 100 kg malto për birrë. Është menduar gjithashtu që në malterinë e Sovjanit të përpunohen 3.000 tonë elb polistik në vit ose ekuivalenti në grurë duke kaluar në të gjitha ciklet e procesit dhe do të përdoret direkt siç del nga procesi. Krejt sasia e kërkuar nga linja e alkoolit do të jetë 2,640 tonë në vit malto aktive. Të gjitha këto që renditëm më sipër flasin për një punësim të gjerë në bujqësi, ku në të njëjtën kohë edhe numri i të punësuarve në fabrika do të jetë i konsiderueshëm,- tha inxhinieri Engjwll Sina,- gjë që zgjidh përfundimisht punësimin e fermerëve të Korçës.
Sigal