Ëngjëll Musai: 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, ditëlindja e “Telegraf”

782
Sigal

28 Nëntori dita e Pavarësisë dhe Lirisë

( Dy gëzime në një ditë )

Në 28 Nëntor 1912, ngrihet Flamuri i Pavarësisë Kombëtare

Shqiptar i vërtetë është ai, që ka mendjen dhe zemrën shqiptare, që përpiqet për të mbrojtur gjuhën dhe atdheun e vet. Kur të bëhen gjithë shqiptarët, apo më të shumtit e tyre shqiptarë të vërtetë, Shqipëria atëherë është bërë dhe shpëtuar nga çdo rrezik”. Janë pikërisht këto fjalë të arta të ideologut të Rilindjes Shqiptare, Sami Frashëri. E kush do t’i kuptonte më mirë këto fjalë të arta se sa Ismail Qemali – Vlora, bashkëkohës dhe moshatar me Samiun, i cili, më 28 Nëntor 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë, duke e shkëputur vendin nga pushtimi 500-vjeçar i perandorisë otomane. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Ishte Ismail Qemali –Vlora që mori përsipër misionin e madh historik për të ribashkuar shqiptarët, aty ku e kishte lënë 500 vjet më parë Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Por sot në 106-vjetorin e Pavarësisë, shqiptarët janë të përçarë, vendi në varfëri, trojet të ndara nga padrejtësia e Fuqive të Mëdha dhe politikanët shqiptarë në gjitha trevat nuk po gjejnë dot rrugën e bashkimit, pasi interesat vetjake dhe ajo e pasurimit të tyre qëndrojnë mbi interesin e lartë dhe madhor të kombit. Nëse Ismail Qemali dhe 83 burrat që shpallën pavarësinë shkrinë pasurinë për atdheun, politikanët e sotëm po shkrijnë atdheun dhe kombin për të pasuruar veten dhe oborrtarët e tyre.

28 Nëntor 2005, nisi rrugën Gazeta “Telegraf”

“Me ne dita fillon ndryshe!” Ky ishte slogani me të cilin nisi rrugëtimin e vet gazeta “Telegraf”, e cila jo rastësisht numrin e parë të saj e publikoi, më 28 Nëntor 2005. “Telegraf”, i ka qëndruar besnik çështjes së madhe kombëtare, dhe në misionin e vet ka mbështetur të gjitha ngjarjet e rëndësishme të luftës dhe punës, të arsimit dhe shkencës, të sigurisë së qytetarëve, jetës, shëndetit dhe mbi të gjitha: Parimit të shenjtë të lirisë së fjalës dhe shprehjes. Paanësia, e vërteta, besimi dhe shërbimi ndaj qytetarëve, kanë qenë dhe mbeten themeli i vijës së saj editorial. Ndoshta edhe mund të kishim bërë më shumë apo edhe më mirë, por në këtë ditë të veçantë gjejmë mundësinë që t’u kërkojmë ndjesë lexuesve dhe cilitdo që pa asnjë qëllim në vetvete mund ta kemi rënduar me premtimin për të qenë korrekt dhe besnik të së vërtetës, ligjit dhe paanësisë me të vërtetën. Falënderimi i veçantë shkon për të gjithë kolegët gazetarë, ata që e themeluan dhe të tjerë që kanë kontribuar ndër vite, korrespondentët e shumtë brenda vendit dhe posaçërisht miqtë e nderuar të “Telegraf.al” në Evropë dhe në veçanti në SHBA, e cila mbetet shembulli e lirisë së vërtetë të Fjalës së Lirë. Në këtë ditë të veçantë një falënderim special shkon për atë që bën të mundur botimin e gazetës “Telegraf”, botuesin Agim Çiraku, i cili me kujdesin dhe dashamirësinë e tij, ka qenë dhe mbetet mbështetje për stafin, por edhe shërbëtor i qytetarëve dhe lirisë së fjalës.