Emrat në regjistra, studentët në emigracion

570
Disa studentë të Fakultetit të Ciklit të Ulët në Universitetin e Elbasanit kanë denoncuar tek “Telegraf” raste skandaloze, që lidhen me korrupsionin që ka vite që ka mbuluar këtë institucion të arsimit të lartë. Fjala është për persona që kanë vite që jetojnë në emigracion dhe që figurojnë në regjistrat e këtij fakulteti sikur të ishin studentë aktivë, por në fakt ata janë fiktive dhe të vlerësuar. Sipas një studenteje nga ky fakultet mësohet se “ka 4 vjet që afro 13 persona që di unë, vajza dhe djem kanë emrin në regjistrin tonë, por ne nuk i kemi parë dhe takuar asnjëherë në klasa, në leksione, dhe që në çdo provim marrin nota 9 ose 10, kemi pyetur edhe pedagogët tanë dhe përgjigja ka qenë “mos u merrni me gjëra që nuk ju takojnë, shikoni të merrni 5 tuaj”. Raste të tilla ka vite që denoncohen edhe në portalet e ndryshe, madje edhe në Rektoratin e Universitetit të Elbasanit, dhjetëra raste ka pothuajse në çdo fakultet të këtij institucioni, por studentët kanë frikë të flasin. 

Flagrante kanë qenë rastet edhe në degët part-time, ku kishte studentë që nuk shkonin një orë të vetme në leksione dhe që në fund të 4 viteve, ata merrnin listën me nota shkëlqyeshëm dhe diplomën me goxha ceremoni. Por ajo që ka vite që ndodh edhe me studentët e fakulteteve me full-time, mbetet një skandal. Studentët që denoncuan deklaruan se “sa herë vijnë sezonet e provimeve, ne konstatojmë se ata persona edhe pse nuk kanë qenë prezentë gjatë leksioneve, janë të pranishëm ditën e provimeve nga persona të tjerë të jashtëm, dhe vlerësohen me nota të shkëlqyera dhe pavarësisht kësaj, asnjë nga ne nuk flet, sepse e pëson duke marrë notë negative dhe nuk e merr për 5 vjet provimin, edhe me para”. 

Bataku ku janë zhytur fakultetet e Universitetit të Elbasanit

Bataku, në të cilin janë zhytur prej vitesh fakultetet e Universitetit të Elbasanit, mbetet baltosja më e madhe në të cilët janë përzierë keq edhe mjaft pedagogë, sekretare të fakulteteve dhe sekserët e tyre. Mungesa fizike e studentëve, mbetet pazari më i turpshëm që është bërë prej vitesh në fakultetet e këtij universiteti, por më e turpshme mbetet forma dhe mënyra e vlerësimit të tyre. Sipas studentes mësohet se “ata që përgjatë gjithë vitit ose për 4 vjet nuk janë në klasa dhe leksione, por janë në emigracion, sa herë ka provime do t’i shikosh që janë vlerësuar me 8, 9 ose edhe me 10 dhe kjo mbetet ofenduese për ne, që pavarësisht se mësojmë dhe mbushim edhe faqet e fletoreve në provime, shpesh marrim 5 ose edhe nota negative dhe askush nuk flet, sepse ka frikë, edhe denoncimet tona në vite tek portali Rektoratit, duket se nuk kanë bërë efekt, sepse gjithçka ka qenë në një lidhje zinxhir të këtyre shkeljeve sa ligjore dhe korruptive”. 

Studentët i bëjnë thirrje organeve kompetente “të hetojnë këto skandale dhe shkelje ligjore të bëra në vite, dhe të nxjerrin para ligjit cilindo që ka tentuar dhe guxuar të veprojë sikur ta kishte fakultetin pronë e çiflig”. Ata shprehen se “nuk jemi ndjerë të vlerësuar asnjëherë nga disa pedagogë, ndërkohë që vlerësohen me nota të larta studentë fiktivë, që ditën e provimeve dublohen nga persona dhe fytyra të panjohura nga ne, kjo histori duhet të marrë fund, sepse po fundoset në moçal arsimi i lartë, po diskreditohet dhe turpërohet”. Raste të tilla abuzimi me detyrën dhe fiktivitetin e vlerësimit dhe diplomimit të “studentëve” janë denoncuar prej vitesh edhe në organet e drejtësisë në Elbasan, por ndoshta molepsja ka prekur edhe segmente të caktuara të atyre institucioneve, e cila zë fill nga fakultetet e UE. 
Sigal