Emin MUÇO/ Shpresat e 23 Qershorit 2013 po veniten

573
Sigal

Berisha dje

Fitorja e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013 nga koalicioni i majtë ishte vërtet historike sepse rrëzoi me votë popullore një regjim antipopullor me në krye një neodiktator e të papërgjegjshëm, që spekulon me antikomunizmin dhe demokracinë. Kjo votë, më shumë se votë e fitores ishte votë e urrejtjes ndaj Sali Berishës, i cili në këto 25 vjet të tranzicionit ka sunduar politikën si në qeverisje dhe në opozitë, duke i sjellë këtij vendi dhe populli gjer dhe tragjedi kombëtare me pasoja sociale, njerëzore dhe ekonomike, që do duhen dekada të rikuperohen, vetëm nga politikanë dhe drejtues që u ka mbetur pak ndërgjegje e përkushtim për atdheun dhe popullin e tyre. Ardhja sërish në pushtet e tij për 8 vitet e shkuara, ishte një goditje e rëndë për shtetin dhe popullin shqiptar, por edhe një precedent i rrallë që s’mund të ndodhë as në vendet e pazhvilluara të Afrikës. Erdhi ai, që shqiptarëve në 1996 pasi u vodhi votën dhe pushtetin dhe me SHIK-un e tij famëkeq përndoqi, dogji e vrau kundërshtarët politikë dhe popullin e thjeshtë. Ai që shqiptarëve u mblodhi të gjitha fitimet dhe kursimet nga emigracioni dhe punët e tjera në firmat piramidale duke ua vjedhur me bandat e tij. Ai që revoltave popullore për votat dhe lekët e vjedhuri në 1997-ën u përgjigj me armë, që brenda një nate shkriu si kripën në ujë shtetin, duke i hapur rrugën krimit dhe anarkisë me pasojë vrasjen e 3000 shqiptarëve. Ai që më 1998 shfrytëzoi vrasjen e deputetit Azem Hajdari dhe ideoi e organizoi grushtin e shtetit. Këto 8 vjet të tjera të sundimit të Sali Berishës e çuan vendin dekada më mbrapa duke i dhënë një goditje të rëndë demokracisë dhe imazhit të vendit në botë sidomos me korrupsionin shtetëror. Ai prishi, deformoi historinë e Shqipërisë, duke denigruar patriotët, dëshmorët, heronjtë dhe luftën e lavdishme NÇL të popullit kundër okupatorëve nazifashistë, duke vlerësuar e ngritur në piedestal kriminelët, tradhtarët dhe llumin e kombit. E ktheu arsimin në një  biznes të ndyrë, që prodhonte diploma pa vlerë, por që kishin vlerë të madhe për tërë ushtrinë e injorantëve militantë, që kanë mbuluar administratën shtetërore deri në nivelet më të larta dhe si për ironi të profesorëve dhe shkencëtarëve të nderuar, janë pajisur edhe me grada e tituj të lartë e të pamerituara. Sali Berisha kultivoi te njerëzit, te qytetarët shqiptarë mentalitetin antishtet, duke e kthyer shtetin në një mejhane, ku punët, hallet dhe problemet e qytetarëve zgjidheshin me mik, me shok e me para vetëm nëpërmjet sekserëve, ku detyrimet për ujë e rrymë elektrike nuk paguheshin dhe shërbimet e shtetit ndaj qytetarëve kishin ngelur në duart e matrapazëve. Kjo mostër e këtij shekulli shqiptar e dërguar “dhuratë” kushedi nga kush, e shkatërroi totalisht shtetin shqiptar, në të gjitha strukturat e tij dhe i shtriu tentakulat helmuese kudo duke vendosur në çdo karrige të administratës dhe institucioneve të pavarura kushtetuese besnikët e tij të verbër, të korruptuar e inkriminuar, për të qenë i sigurt me familjen e tij e jeniçerët e tjerë edhe tani që nuk është në pushtet.

 Një milion votat e shqiptarëve

Për të gjitha këto bëma kriminale të këtij njeriu famëkeq dhe bandës së tij, një përgjegjësi të madhe historike para vendit e popullit tuaj, që ju kanë zgjedhur, mbani ju zotërinj deputetë socialistë e qeveritarë që e keni lejuar e bërë fresk në dy dekada e gjysmë duke u bërë bashkëfajtorë të kësaj katrahure që gëzojmë sot. Një milionë votat e shqiptarëve i morët për të bërë ndryshimin e madh, ose Rilindjen e vendit, siç e emërtuat ju në fushatën zgjedhore për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij kaosi dhe për t’i kthyer dinjitetin e humbur shtetit shqiptar, duke e kthyer atë në shinat ligjore dhe për t’i dhënë buzëqeshjen e munguar këtij populli që nuk ju ka asnjë detyrim, por që ju i keni shumë atij. Një milion votat i dhanë për të rikthyer shpresën se ky vend më në fund mund të ribëhet dhe Shqipëria do ta kthejë kokën nga Europa, ku ka ëndërruar dhe ëndërron të bëhet pjesë e familjes së saj. Një milion votat i dhanë sepse patën besim te koalicioni i majtë dhe sidomos te lideri i kësaj maxhorance, Edi Rama, si një intelektual me vizion perëndimor, si një drejtues me vullnet e dëshirë për të punuar e bërë ndryshime, por edhe kurajoz dhe i vendosur për të kapërcyer çdo pengesë e vështirësi që i del përpara, sado e madhe qoftë. Këtë maxhorancë, me një milion votat e dhëna e armatosën deri në dhëmbë, për të mos u penguar në kryerjen e reformave të mëdha e radikale nga hienat e Sali Berishës, që e kanë mbajtur peng këtë vend e këtë popull. Zotërinj deputetë socialistë e qeveritarë, ne nuk ua dhamë votën pa kursim, që të na bëjë zbor Sali Berisha siç na ka bërë 25 vjet me radhë dhe ju të rrini gojëmbyllur e duarlidhur, inferiorë e frikacakë siç keni qenë gjithmonë, duke parë të gjitha të këqijat e bëra me justifikimin absurd se s’jeni prokurorë e gjyqtarë. Ne ua dhamë votën që mos të dëgjojmë e shohim më nëpër ekranet televizive kriminelët e hajdutët, të shajnë e përbaltin çdo gjë të mirë që bëhet, por t’i shohim atje ku e kanë vendin e merituar, te ndëshkimi i drejtësisë. Ne nuk ua dhamë votën që Shërbimin Informativ Shtetëror ta drejtojë akoma njeriu që ka qenë në kupolën famëkeqe të Gazidedes e Berishës dhe jo vetëm që ka zullume nga e kaluara, por edhe sot i shërben me besnikëri shefit të tij dhe bën të paditurën për tërë këto vepra terroriste që e di dhe bufi kush i nxit e frymëzon. Ne ua dhamë votën që të mos ketë më Llallë prokuror, që dosjet e hajdutëve dhe të korruptuarve të rangjeve të larta jo të mos të mbërrijnë kurrë në gjykatë, ne u dhamë votën që t’i vini fadromën me një reformë rrënjësore e radikale kësaj drejtësie kriminale, të kalbur e korruptuar. Ne ua dhamë votat që kjo mazhorancë e një milionë votave të mos pengohet në hartimin e ligjeve e reformave të rëndësishme nga një president partiak me 71 vota, që kurrë nuk u bë president i gjithë shqiptarëve.

 Afërsisht dy vjet në pushtet

Ju po mbushni afërsisht në pushtet dy vjet dhe akoma u xhirojnë gomat në baltën e hedhur nga Berisha. Jini marrë me gjëra anësore, që edhe ato duhen e janë vlerësuar nga populli, por pa filluar akoma nga puna, qeveria e re u sulmua egërsisht dhe sulmohet vazhdimisht nga jeniçerët e Berishës çdo ditë, çdo orë e çdo minutë duke vënë në shënjestër kryeministrin dhe deputetët e PS, përveç dy a treve, që heshtën e nuk angazhohen fare në këtë luftë të egër politike, sikur i kemi zgjedhur e paguar për të qëndruar si hije të zbehta. Por edhe këto qëndrime e kanë arsyen e tyre, janë të zgjebosur me pasuri e vila përrallore që kurrë nuk i bënë transparente, se i kanë bërë me korrupsion e veprimtari të dyshimta. Ne ëndërruam e besuam shumë te kjo maxhorancë se me forcën e madhe të votës popullore do të bënte shtet ligjor, duke e kapur të keqen nga koka, nga ata që ditën në diell kryen krime duke vrarë e vjedhur, po për fat të keq të këtij populli u zhgënjyem shumë se deri më sot u burgosën në mënyrë masive për energjinë elektrike qytetarët e thjeshtë e të pambrojtur, hallexhinj që rropaten për bukën e gojës. (Për këta prokuroria e gjykata zbaton edhe në mënyrë të tejkaluar ligjin.) Fusin në burg për lidhje të paligjshme e vjedhje energjie fukarenjtë që në fund të fundit të parët duhet të futen ata që kishin detyrën dhe paguheshin për ta ndalur këtë fenomen, futen në burg e nuk tolerohen hajdutët e vjedhjeve të vogla dhe lihen të lirë hajdutët e milionave e miliardave dhe pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme nuk u preken fare. Fullanët, Imamët, Gjikët, Mërzitë e të tjerë ish ministra e kryetarë bashkish e komunash lihen të lirë me njëmijë e një pretekste, madje ftohen edhe nga presidenti i Saliut në mbrëmjen e ballos, kurse fakirët që robtohen për të mbijetuar në familjen e tyre kanë mbushur burgjet e Shqipërisë. Ku e ke politikën sociale zoti Rama me shtresën në nevojë, për të përmirësuar e  stimuluar bizneset e vogla, që kanë hapur për vetëpunësim, se drejton koalicionin e majtë, që përparësi nuk ka prishjet, dënimet e gjobat, por njeriun me të gjitha hallet dhe problemet që e shoqërojnë në këtë xhungël shqiptare? Biznesit të vogël i premtove se do ta përkrahni dhe do ta shpëtoni nga gjobat, që u vinin tatimorët e Sali Berishës, por të themi me fakte e kini goditur më shumë dhe do dalin me qindra e mijëra në rrugën e madhe pa punë e të krimbur në borxhe.

 Sot në qeverinë tënde të Rilindjes

Sot në qeverinë tënde të Rilindjes bizneseve të vogla që ushtrojnë aktivitetin në një dyqan rreth 15 m me një xhiro të papërfillshme (tek 1000 000 lekë të vjetra) që rrinë nga ora 7 00 e mëngjesit deri në orën e vonë 22 00, që paguajnë rregullisht taksat shtetërore e bashkiake dhe sigurimet shoqërore, u vijnë tatimorët (ata që kanë qenë më parë) edhe pse pa kasën fiskale për detyrimet, nuk të lënë afat t’i paguash me këste, por menjëherë të vënë gjobë 1000 000 lekë kur nuk ke t’u paguash nën dorë 450 euro, madje në disa raste edhe pa praninë e të punësuarit, afrofe. Përveç këtyre bizneset e vogla ngaqë nuk kanë informacion nga shteti për veprimet që duhen kryer në kohë, kanë edhe gjoba 100 000-lekëshe. Këto gjoba rrënuese po nuk i pagove në afatin e caktuar, jo me këste, por kesh, atëherë të dërgojnë “korbat e zinj” të përmbarimit privat për të sekuestruar mallin. Në rrugën “Mine Peza”, afër komisariatit nga tetë dyqane të vegjël që janë në rresht, katër prej tyre kanë gjobë prej 1000 000 lekë përveç gjobave të “vogla” dhe nuk kanë ku të ankohen se të këpusin dyert në fytyrë.

 Rilindja dhe biznesi i vogël

Zoti Rama dhe ju qeveritarë  të rinj të Rilindjes, biznesit të vogël i caktuat një taksë vjetore 250 000 lekë të vjetra në shtet plus deri në 50 000 në bashki, e barabartë me 300 000 lekë të vjetra, dhe për këtë ulje ju falënderuam, pavarësisht se ishte 50 për qind e zotimit të marrë para zgjedhjeve. Por nuk qe e thënë të ndaheshin me kaq, sepse për vitin 2015 dolën yçkla të tjera, dokumentet që  bëheshin tek ekonomisti, deklarata, sigurimet e të tjera, çdo tre muaj dhe paguan 20. 000 lekë të vjetra, d,m,th në vit 80. 000, tani do të paguaj 240. 000 lekë sepse veprimet bëhen çdo muaj. Për sigurimet shoqërore e shëndetin sivjet do të paguajmë 10. 000 lekë më shumë, e barabartë me 120. 000 lekë në vit më shumë, plus për bankat që paguanim 20. 000, tani do të paguajmë 6000 në vit. Në total venë 480. 000 plus harta e shërbimit e kasës fiskale 150. 000 lekë në vit, pra bëhen 630. 000 lekë të vjetra  që po t’i mbledhim të gjitha me sigurime, tatime, qira ujë e drita shkojnë rreth 5000 000 lekë të vjetra, gjë që është shumë e lehtë për t’u kuptuar edhe nga një i pashkollë se çfarë fiton një biznes i vogël në qeverinë e Rilindjes. Këtë realitet të biznesit të vogël që ju votoi me shpresa të mëdha se i premtuat shumë, po deshët ta njihni mirë ejani këtu në bazë se keni 2 vjet pas fitores që nuk ju ka parë njeri dhe kur tentojnë t’ju takojnë, as telefonat nuk ua hapni, pa le më t’i prisni në zyrë, por u thoni të dërgojnë mesazhe, e-mail etj, sikur në këtë skëterrë ekonomike paska plasur interneti në çdo familje e biznes e u dashka të komunikoni me popullin tuaj në mënyrë virtuale. Ju zotërinj monopolet e mëdha që krijoi Berisha, as që nuk i prekët fare, pa le më t’i çmontoni e t’i shpërbëni dhe shumë kompani e biznese të fuqishme private i kanë shtetit miliona euro borxhe, dhe ju ngaqë nuk keni këllqe t’u bëni gjë atyre, që marrin edhe jetë njerëzish me katastrofën e ndotjes, sepse ata janë të mbrojtur nga prokurorët, gjykatat e korruptuara, kërkoni ta bëni shtetin në mënyrë radikale e represive vetëm me të pambrojturit e njerëzit e thjeshtë, duke hapur plagë të mëdha sociale, në vend që t’i mbyllni këto plagë. Për këtë votuam ne që të na marrin dinjitetin nëpër këmbë vetëm neve të pafuqishmëve dhe ata që kanë vënë miliona e miliarda me krime, me hajdutëri e me djersën e gjakun e këtij populli, të zgërdhihen e tallen çdo ditë e çdo orë? Ju, do të ishte mirë, që në vend që të hapni zyra të reja luksoze për punësim, (ku keni punësuar njerëzit tuaj), të hapni vende pune për ata që ju votuan e kanë mbetur rrugëve, e që sot nuk i shpërfillni fare, ashtu si nuk i keni përfillur e ndihmuar 25 vjet me radhë simpatizantët e PS. Vetëm për ata krijohen kritere, rregulla e konkurrime, se LSI dhe PD me elektoratin e tyre nuk i kane pjerdhur kurrë këto gjëra, por i kanë futur në punë dhe u kanë qëndruar afër në zgjidhjen e problemeve. U zotuat me të madhe dhe na shurdhuat me propagandë se administratën shtetërore që është mbushur me militantë, hajdutë e të korruptuar, e me njerëz me dëftesa fals do ta pastronit me fshesë të hekurt, por deri tani ua themi me bindje të plotë se ata vegjetojnë e mbretërojnë në zyrat, bëjnë allishverishe e marrin para nga qytetarët në të gjitha institucionet shtetërore. Ju zotërinj Rilindës si të majtë që e quani veten, se po të ishit të vërtetë do të interesoheshit e do të mësonit për tarifat marramendëse që paguajnë qytetarët për shërbimet e ndryshme që marrin nga shteti kur varfëria ka pllakosur kudo, dhe për rrjedhojë do të merrnit masa t’i ulnit ato. Po ilustroj disa fakte për këtë problem: Për një prokurë për të bërë një veprim në emër të tjetrit paguan 38. 000 lekë të vjetra, kurse në Greqi e bën falas në polici; të postosh një zarf për në Greqi në postën shqiptare paguan 31. 000 lekë të vjetra, në Greqi 5 euro; për një kontratë qira banese ose dyqani 45-50 000 lekë të vjetra paguan te noteri. Dhe për shumë dokumente e fotokopje të kërkojnë noterizim, sepse në Shqipëri noterët kanë mbirë si kërpudhat, si në asnjë vend tjetër, vetëm e vetëm për të rrjepur këtë popull, që edhe në varr nuk do ta lënë kusuret të prehet i qetë. Me këto pak të dhëna bëni një krahasim për një punëtor që merr 150. 000 lekë të vjetra, apo pensionist me 145. 000, apo dhe ai që merr 300. 000 dhe vëreni veten tuaj në vendin e tyre, për t’i përballuar këto shpenzime. Por, e vështirë ta bëni këtë, sepse ju jeni të majtë me dhjamë në bisht e në brinjë, me vila e pasuri dhe jeni zhveshur nga humanizmi e njerëzillëku. Ku i keni zyrat që do të kryhen të gjitha shërbimet e qytetarëve falas, ashtu siç i ka fqinja juaj, Greqia edhe pse në krizë të thellë qytetarët në nevojë atje jetojnë në dinjitet e nuk dalin rrugëve të kontrollojnë kazanët e mbeturinave.Unë që ju shkruaj këto rreshta me kritikë jam një socialist idealist që nga fillimi dhe kurrë nuk kam dalë në tregun elektoral të shitem e blihem për një vend pune apo interesa të tjera, por kërkoj që me votën tonë plebishitare të realizohen të gjitha ato ndryshime rrënjësore që ëndërruam e shpresuam dhe jo të hidhen mballoma në trupin e këtij shteti të plagosur. Shqetësimi që rritet nga dita në ditë do të jetë fatal dhe ju po nuk u pritë në kohë këtyre problemeve pa zhurmë e propagandë bajate, pa dalë në televizion ditë e natë ta bezdisni këtë popull, ngjarjet do të marrin rrjedha të pa dëshiruara për ne, por që mezi priten nga ata që e bënë kështu këtë vend dhe që, ulërijnë pa pushim për të ardhur prapë në pushtet.

 Tiranë, 25 shkurt 2015