Emigrantët shqiptarë tashmë i marrin certifikatat në zyrat konsullore

585
Për tu pajisur me një certifikatë të gjendjes civile, të gjithë emigrantët shqiptarë në Itali nuk kanë përse të vijnë në atdhe. Ky shërbim do tu ofrohet në zyrat konsullore pranë ambasadës tonë në Romë dhe pranë konsullatave në Bari dhe në Milano.
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të këtij shërbimi, tha se synohet që kjo formë moderne e asistencës ndaj qytetarëve shqiptarë të shtrihet edhe në vende të tjera. 
“Ofrimi i këtij shërbimi pranë zyrave tona konsullore në Itali përbën një hap të rëndësishëm për bashkëkombasit tanë, në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe transparente dhe sa më pak të kushtueshme. Njëkohësisht, është shprehje e marrëdhënieve tona të shkëlqyera me Italinë si mikëpritëse e një numri të madh shtetasish shqiptarë”, tha Bushati. 
Lëshimi i certifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë, rezidentë në territorin italian, u mundësua falë bashkëpunimit me qeverinë italiane në kuadër të angazhimit të shtetit shqiptar për të reformuar shërbimet konsullore. 
Kjo reformë ka për objektiv kryesor përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve konsullore, përshpejtimin e procedurave, si dhe uljen deri në masën 50% të tarifave konsullore për shtetasit tanë. 
Synimi është që brenda vitit 2016, në kuadër të projektit të “Konsullatës Digjitale”, një pjesë e mirë e shërbimeve konsullore të ofrohen brenda një platforme online, duke modernizuar kësisoj shërbimin, duke rritur transparencën, aksesin ndaj informacionit dhe duke shkurtuar procedurat.
Sigal