Emigrantët shqiptarë shtojnë popullsinë e Italisë

573
Janë ata që kanë lindur gjatë vitit 2014. Shifra është 232 më e ulët se dy vitet pararendëse. Të dhënat e fundit të Institutit italian të statistikave
– Në Itali kanë lindur vitin e shkuar 502.596 fëmijë, rreth 12 mijë më pak se një vit më parë. Rënie kjo që vërehet për të gjashtin vit rresht: në vitin 2008 kanë lindur 576.679 fëmijë ndërsa vitin e shkuar 514.308. Vitin e shkuar, një në pesë fëmijë, apo 104.056 të sapolindur kanë të paktën një prind të huaj. Për të dytin vit rresht, edhe shifra e këtyre të fundit është në rënie; numëroheshin 104.100 në vitin 2013 dhe 107.339 në vitin 2012. Edhe për komunitetin shqiptar numri i të lindurve është në rënie:në vitin 2014 kanë lindur 10.314 fëmijë me paktën njërin prind shqiptar. Në vitet 2013 e 2012 kjo shifër ishte 10.546. Janë këto disa nga shifrat e raportit më të fundit të Institutit Statistikor Italian, ISTAT, mbi lindjet në Itali për vitin 2014.
Duke parë shtetësinë e prindërve, raporti vë në dukje se kanë pësuar rënie lindjet nga të gjitha llojet e çifteve, qoftë ato italiane, qoftë ato të përziera e qoftë ato të përbëra nga dy të huaj. Rënia është kryesisht pasojë e lindjeve më të pakta të çifteve italiane (rreth 12 mijë më pak se në vitin 2013). Bie gjithashtu numri i fëmijëve të lindur nga të dy prindërit të huaj që është 75.067 e përbëjnë 14,9% të të gjitha lindjeve. Rënia vazhdon prej dy vjetësh (numëroheshin rreth 5 mijë lindje më shumë në vitin 2012). Po të merret në konsideratë shtetësia e nënave të huaja, njësoj si një vit më parë, në vend të parë renditen rumunet (19.730 të sapolindur në vitin 2014), në të dytin marokenet (12.217) dhe në vend të tretë shqiptaret (9.606 në vitin 2014 por ishin 9.966 në vitin 2013) që përputhet edhe me renditjen e komuniteteve të huaja në Itali. Më në hollësi, për komunitetin shqiptar, nga raporti shihet që 8.162 fëmijë të sapolindur i kanë të dy prindërit shqiptarë, 708 kanë babanë shqiptar e nënën italiane dhe 1.444 kanë nënën shqiptare dhe babanë italian, gjë që konfirmon prirjen e shqiptarëve për të krijuar familje mes bashkëkombësish.
Mes shqiptarëve janë në modë, emrat Gabriel e Noemi
Një kureshti e trajtuar në raportin ISTAT janë emrat që më shumë përdorën për të sapolindurit. Në përgjithësi, ata që hasen më shpesh janë Francesco e Alessandro për djemtë e Sofia e Giulia për vajzat. Interesante të dhënat mbi të huajt në veçanti. Më të përdorurit, njësoj si gjatë viteve 2013 e 2012, rezultojnë Adam (597 të sapolindur janë quajtur kështu), Rayan (359). Por menjëherë pas këtyre emrave gjejmë Youssef e Mohamed. Për vajzat, emrat e preferuar mbeten Sara (499), Sofia (456). Parapëlqimet e prindërve në zgjedhjen e emrave, mes tradicionalëve të kulturës së origjinës dhe atyre italianë apo perëndimorë, ndryshojnë sipas kombësive. Ata që më shumë se të tjerët zgjedhin për fëmijët e tyre emra perëndimorë e jo tradicionalë të kulturës së tyre janë kinezët që në gjendjen civile regjistrojnë fëmijët e tyre me emra italianë si Matteo, Andrea, Kevin e Kimi, Alessio, Marco e Leo. Ndërsa për vajzat më të parapëlqyerit janë emrat Emily, seguito da Sofia, Angela e Serena. Krejt ndryshe sillen prindërit nga Maroku, India, Tunizia apo Bangladeshi që zgjedhin për fëmijët e tyre kryesisht emra që janë të traditës së vendlindjes. E shqiptarët? Njësoj si kinezë dhe rumunë, zgjedhin t’u vënë fëmijëve të tyre emra të huaj. Mes dhjetë emrave të parapëlqyer prej tyre nuk ka asnjë të mirëfilltë shqiptar. Emrat që hasen më shpesh mes të sapolindurve në Itali nga prindër shqiptarë janë Noemi (160 vajza të lindura vitin 2014), Aurora (149) që në të vërtetë është emër mjaft i përdorur edhe më parë në Shqipëri, Melissa (97), Emma (81), Emily (80) për vajzat dhe Gabriel (98 fëmijë të lindur vitin 2014), Kevin (96), Andrea (81), Matteo (72), Noel (68) për djemtë. Nuk vë askush në dyshim që do të ketë edhe Rozafa, Teuta, Arbër, Gent, Ilir por sipas të dhënave të ISTAT-it, të sipërpërmendurit janë më të përdorurit.
ITALI/ Krimi i klandestinitetit, Parlamenti këmbëngul: “Qeveria duhet ta heqë”!
Duhet hequr vepra penale e klandestinitetit, përfitojnë shqiptarët
“Ta kthejë në një shkelje administrative”. Gjykimi i dhënë mbi dekretin e depenalizimeve. Tani Qeveria “Renzi” nuk ka më asnjë justifikim
– Parlamenti e kishte thënë më se një vit e gjysmë përpara, por qeveria e kishte bërë veshin e shurdhër. Tani Dhoma e Deputetëve e përsërit: “Vepra penale e klandestinitetit duhet hequr” me shpresën që këtë radhë në Qeveri të jenë më të vëmendshëm. Një seri e re e një meseleje që mund të ishte mbyllur kohë më parë. Por ndoshta është mirë të bëjmë fillimisht një përmbledhje. Në vitin 2009, Lega dhe Popolo delle Libertà, asokohe në qeveri, vendosin të kthejnë në kriminelë të gjithë emigrantët pa lejeqëndrim. Lind kështu vepra penale e hyrjes dhe i qëndrimit të parregullt në territorin italian. Pasojat? Asnjë nuk përfundon në burg (sepse parashikon një gjobë të zëvendësueshme nga dëbimi), nuk shtohen as riatdhesimet. Por prokuroritë janë të detyruara të hapin me mijëra procese gjyqësore të kota dhe të konsiderojnë të pandehur, mes të tjerësh, edhe viktimat e trafikantëve të njerëzve. Në prill 2014 Parlamenti i thotë qeverisë, me një ligj delegues, të depenalizojë krimin e hyrjes dhe të qëndrimit të parregullt. Për kë nuk ka të drejtë të qëndrojë në Itali mbetet dëbimi, por jo vepra penale, ajo duhet hequr. E Qeveria ç’bën? Asgjë! Ndoshta për të ruajtur balancat mes Partito Democratico e Nuovo Centro Destra, bën një dekret legjislativ depenalizimesh që përjashton krimin e klandestinitetit. “Është temë delikate, të vendosë Parlamenti”, shpjegon ministri i Drejtësisë para nisjes së dekretit në Parlament për të marrë mendimet e tij. Në të vërtetë Parlamenti kish vendosur me kohë, por mesazhi është: “Shiheni ju këtë punë, ne, tani për tani, e heqim duarsh”. Tani, edhe mendimet e Parlamentit mbërritën. Në Senat bënë sikur nuk mungonte gjë, në Dhomën e Deputetëve e ngritën zërin. Në gjykimin e miratuar dje në Komisionin e Drejtësisë kërkohet sërish shprehimisht që “të transformohet në shkelje administrative vepra penale e imigracionit klandestin e parashikuar nga neni 10-bis i tekstit unik të dispozitave që disiplinojnë imigracionin dhe normat mbi statusin e të huajit të përfshira në dekretin legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998”. E pra tani, vepra penale e klandestinitetit i ngjan një të vdekuri që vazhdon të ecë. Për sa kohë akoma Qeveria do ta lërë të sorollatet nëpër Itali?
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf Datë 07.12.2015
Sigal