Emigracioni në Itali dhe SHBA/ Dekreti i flukseve 2019. Pas 30 mijë vendeve të punës, Italia do të japë edhe 4750 leje qëndrimi. Amerika ofron punësim veror për studentët shqiptarë. Ja kriteret, dokumentet dhe ku mund të aplikoni

1225
Sigal

Dekreti i flukseve 2019 jep 4750 kuota për konvertim lejesh sezonale në leje afatgjata

Ja si mund të merrni leje qëndrimi në Itali nëpërmjet punësimit sezonal

Dekreti i flukseve 2019, përveç shansit të artë që u jep qytetarëve shqiptarë për tu punësuar për një periudhë të caktuar në Itali, është edhe një mundësi e mirë për të përfituar leje qërimi afatgjatë në vendin fqinj. Kjo arrihet pasi dekreti i flukseve përpos 30 mijë kuotave të punësimit jep edhe rreth 4750 kuota leje qëndrimi. Bëhet fjalë për konvertimin e lejeve të qëndrimit sezonal në leje qëndrimi për punë të varur. Ky konvertim, prej nëntorit 2016, me ardhjen në fuqi të dekretit legjislativ nr. 203 të 29 tetorit 2016 me të cilin Italia përvetësoi “direktivën 2014/36/BE mbi kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të qytetarëve të vendeve të treta për motive punësimi në punë sezonale”, është më i lehtë dhe praktikisht i mundshëm që me ardhjen e parë për punë sezonale. Mjafton që punonjësi të ketë punuar të paktën tre muaj si punonjës sezonal dhe, nëse ka në dorë një ofertë pune me kohë të përcaktuar apo të përhershme mund të kërkojë konvertimin e dokumentit të qëndrimit për punë sezonale në leje qëndrim për punë të varur.
Si mund të aplikoni për leje qëndrimi afatgjatë

Aplikimi bëhet online përmes portalit të Ministrisë së Brendshme https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/, ku punonjësi i huaj paraqet kërkesë konvertimi  të lejes së qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur duke përdorur Formularin VB. Kjo gjë sqarohet edhe nga qarkorja shpjeguese mbi flukset 2019 e nxjerrë nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Punës më 9 prill 2019. Në kapitullin mbi konvertimet në e lejeve të qëndrimit për punë sezonale në leje qëndrim për punë të varur, shpjegon se ç’kushte duhen plotësuar. “Për rastet e konvertimit të leje qëndrimit si sezonal në leje qëndrim për punë të varur (Formulari VB)…, – shkruhet në qarkore – duhet mbajtur parasysh se është i mundur konvertimi i lejes për punë sezonale në leje për punë të varur, me kusht që të ketë akoma kuota në dispozicion, vetëm pas të paktën 3 muaj marrëdhënieje të rregullt pune sezonale dhe në prani të kritereve për punësimin me një marrëdhënie pune për kohë të përcaktuar apo pa afat. Për këtë qëllim, Inspektoratet Territoriale të Punës duhet të verifikojnë përmbushjen e kritereve për lidhjen e marrëdhënies së re të punës, punësimin e mëparshëm si sezonal për të cilin u soll në Itali punonjësi, kohëzgjatjen e marrëdhënies sezonale të punës, pagesat përkatëse të kontributeve në favor të punonjësit për sa kohë zgjati puna sezonale”.
Ministritë sqarojnë në qarkore edhe faktin se “meqë puna në bujqësi e punonjësve sezonalë matet me ditë e jo muaj, për të fituar të drejtën e konvertimit duhet të rezultojë që punonjësi të ketë të paktën 13 ditë pune në muaj, në tre muajt e punës, të mbuluara nga derdhja e rregullt e kontributeve shoqërore”. Nëse ka akoma kuota në dispozicion, i huaji thirret pranë Sportelit Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit dhe formularin e aplikimit për lejen e qëndrimit për punë të varur.

Kushtet e përftimit të lejes afatgjatë

Kjo është e vetmja rrugë për të gjithë ata që kanë të njohur e familjarë në Itali që mund t’u sigurojnë një vend pune në ndërtim, fabrikë apo si bashkëpunëtor familjar por që me këtë dekret fluksesh nuk mund të thirren drejtpërdrejt për këto kategori pune. Më parë duhet të sigurojnë një kontratë pune sezonale e pasi të kenë ardhur për këtë qëllim, të kenë punuar tre muaj si sezonalë, mund të kërkojnë konvertimin, – gjithnjë në kuadrin e dekretit të flukseve të lejes së qëndrimit si punonjës sezonalë në një leje qëndrim për punë të varur.  Këto kuota janë në dispozicion deri në fund të dhjetorit 2019.

Programi veror i punësimit i jep mundësinë të rinjve të punojnë e jetojnë 3-4 muaj në SH.B.A. Ja kriteret, dokumentet, punët e ofruara dhe ku mund të aplikoni

“Work and Travel”- Amerika ofron punë për studentët shqiptarë

“Work and Travel” është pjesë e programit ndërkombëtar të Departamentit Amerikan të Shtetit për shkëmbimin kulturor, i cili çdo vit i jep mundësinë rreth 100 mijë studentëve të udhëtojnë dhe punojnë në Amerikë 3 muaj gjatë pushimeve verore, ndërsa mund të qëndrojnë dhe 1 muaj si turistë pas përfundimit të periudhës së punës. Aplikimet për programin veror të punësimit 2019 kanë filluar prej datës 1 mars 2019. Në vitet e mëparshme, nxënësit shqiptarë kanë udhëtuar në qytete të ndryshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara, ku ata përjetuan kulturën Amerikane me anë të Programit të Punësimit.

Kriteret e aplikimit

Për të marrë pjesë në Programin Veror të vitit 2019 të Punësimit, aplikantët duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:

  • Duhet të jenë studentë me kohë të plotë në një universitet të akredituar së fundmi, të cilët kanë përfunduar të paktën një semestër të vitit të parë të universitetit.
  • Duhet të zotërojnë mirë gjuhën Angleze, dhe të kenë rezultate të mira shkollore.
  • Çdo student, duhet të jetë i aftë të demostrojë se ai/ajo do të kthehet në Shqipëri në përfundim të programit. Studentët e vitit të fundit, mund të aplikojnë, por ata mund të kenë më shumë vështirësi për të dhënë prova të lidhjeve të mjaftueshme me Shqipërinë.
  • Duhet të kenë një vend pune të konfirmuar në Shtetet e Bashkuara, në kohën e intervistës.

Dokumentet e aplikimit

Sipas njoftimeve të Ambasadës Amerikane në Tiranë, disa nga agjencitë që merren me përzgjedhjen e aplikantëve janë Narom, Kouzon dhe Tandek. (https://naromtravel.al/work-travel-usa/ , http://tandek.al/summer-work-and-travel/ )

Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë në një nga këto agjenci me dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. Plotësimi i formularit tek zyra.
  2. Vërtetim nga universiteti që është student me kohë të plotë
  3. Fotokopje të pasaportës
  4. Një fotografi në formatin e pasaportës
  5. Vërtetim të pagesës së këstit të parë

 Vlera monetare e programit “Work and Travel” është 1200 dollarë dhe në të ofrohet:

  • Kontratë pune 3-4 mujore full time në Sh.B.A
  • Sigurime Shëndetësore gjatë periudhës së punës
  • Ushqim i përfshirë gjatë turneve të punës. Në disa raste ofrohet ushqim përgjatë gjithë kohës së qëndrimit
  • Pagesë minimale prej 8-10 dollarë ora
  • Pagesë ekstra për orët e punës jashtë orarit zyrtar dhe ditët e pushimit
  • Ndihmesë të plotë në pajisjen me të gjitha dokumentet e nevojshme për marrjen e vizës

Sektorët ku mund të punësoheni

Studentët e huaj, punojnë më shumë në industrinë e hotelerisë dhe turizmit si recepsionist, asistent, mirëmbajtje, housekeeping; në restorante si kuzhinier, kamerier, ndihmës kamerier, host dhe hostess; në dyqane si cashier; në plazhe dhe pishina si roje bregdetare

Sektorët ku nuk mund të punësoheni

Nuk ju lejohet të punoni në fushën e mjekësisë, përkujdesjes së fëmijëve , të moshuarve apo në profesionet që kërkojnë kontakt fizik edhe me përbërës kimikë, transportit të njerëzve, punët që kërkojnë licencë për ushtrim të profesionit dhe punët jo-sezonale