Emërimi i mësuesve, sindikata kundër: MASR të ndryshojë udhëzimin

580
Sigal

Fati i mësuesve që presin të punësohen dhe atyre që janë tashmë në marrëdhënie pune do të vendoset të hënën e javës së ardhshme.

Ministria e Arsimit i është përgjigjur kërkesës së Sindikatës së Pavarur të Arsimit (SPASH) për një takim në lidhje me udhëzimin e sapodalë mbi procedurat e emërimit dhe punësimit të mësuesve.

Pikat që janë në diskutim e sipër kanë të bëjnë me futjen e pikëzimit në vlerësimin e mësuesve, mbrojtjen e mësuesve që ngelen të papunë për shkak të mosplotësimit të orëve, vlerësimi për kualifikimin shkencor e deri te lëvizjet paralele, që sipas sindikatës duhet të bëhen edhe gjatë vitit. Për të gjitha këto, SPASH “i ka tërhequr veshin” MASR-së përmes një letre, duke i kujtuar se duhet të kishte marrë mendimin e tyre përpara se të firmosej nga ministrja.

“Është hera e parë që për një udhëzim kaq të rëndësishëm nuk u mor më parë mendimi i partnerëve socialë dhe kjo ka bërë që disa pika të këtij udhëzimi të jenë të papranueshme”. Lajmi i mirë është që ministria ka pranuar të rishikojë udhëzimin në fjalë. Për këtë janë zhvilluar dy takime të thirrura nga MASR-ja.

“Pas argumentimit të çdo kërkese dhe pike për ndryshim të udhëzimit, Ministria pranoi të rishikojë udhëzimin në fjalë. Nesër, datë 06.06.2019, do të zhvillohet një tjetër takim në MASR për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit të mësuesve lidhur me disa nga pikat e udhëzimit të papranueshme për ta dhe sindikatat”, njofton SPASH.

PIKAT QË KUNDËRSHTOHEN

E gjithë opozita e sindikatës në raport me udhëzimin nr.13 lidhet me mbrojtjen e mësuesve në sistem përpara aplikimit të portalit në rastin e hapjes së një vendi të lirë pune. Po ashtu, vlerësimi i tyre kërkohet të kalojë nga duart e profesionistëve. “Në kreun 4 janë hequr padrejtësisht pikat 8 dhe 9 të udhëzimit të mëparshëm, të cilat duhet të vendosen siç janë.

‘Për një vend të lirë pune me ngarkesë të plotë mësimore dhe të përhershme, komisioni është i detyruar të njoftojë në fillim kandidatët për mësues që janë të punësuar në një vend pune me ngarkesë të pjesshme apo të përkohshme. Mosofrimi i vendeve sipas kësaj pike bën të pavlefshëm kontratën e punës të lidhur me kandidatët e tjerë’. Pika f e kreut 6 mendojmë se duhet të hiqet, pasi psikologu dhe punonjësi social është në shkollë për nxënësit dhe jo për mësuesit. Mësuesi, pasi është pajisur me raportin mjeko-ligjor, vërteton se është shëndoshë dhe i aftë për punë, nuk ka nevojë për pikëzime e vlerësime të pakuptimta nga psikologu apo punonjësi social”, thuhet në dy prej 11 pikave në total që kërkohet të ndryshohen në udhëzimin e ri. Përveç kësaj, vlerësimi i mësuesve sipas sindikatës duhet të bëhet medoemos nga mësues mjeshtër, që përveç përvojës mbi 20-vjeçare të punës, të reflektojnë dhe korrektesë.

“Pika d e kreut 6 duhet të jetë: ‘Një mësues nga shkollat nën juridiksionin e DRAP, i cili ka kategorinë e kualifikimit ‘Mësues mjeshtër’ dhe vlerësohet për profesionalizëm e korrektësi në ushtrimin e profesionit’. Si mund të pranohet nga ana juaj që një DRAP, që ka në varësi disa ZVAP, shumë shkolla dhe mijëra mësues, të mundësojë të vendosen në komisione kaq të rëndësishme mësues me kualifikimin më të ulët?”, komenton SPASH në letrën e nisur Ministrisë së Arsimit.

Konflikti i interesit të anëtarëve të komisionit me kandidatët që vlerësohen është një tjetër pikë, e cila duhet të parashikohet në dokumentin që udhëzon emërimin dhe punësimin e mësuesve. Përfaqësuesit e sindikatës janë të mendimit që lëvizjet paralele të mësuesve të bëhen përgjatë gjithë vitit e jo vetëm në fillimit shkollor./Panorama