Emergjencat Civile “përpëliten” me 1.3 milionë euro fonde në vit ose sa 1% e vlerës së koncesionit të “Check-up”

645
Vjollca KUTA
Shqipëria digjet e mbytet e shkatërrohet çdo vit, qeveria jep buxhet sa për kominoshe, çizme e lopata punëtorësh
Shqipëria, prej 3 ditësh është përfshirë nga reshjet e shumta e të pandalshme të shiut. Shumë qendra të banuara, sipërfaqe tokash, të mbjella, rrugë rurale, biznese, qendra blegtorale, ferma e banorë edhe në qytete, gjenden nën ujë. Mbi ujë, janë vetëm shtetarët që e shikojnë situatën e rënduar nga helikopterët e zbresin në pika ku nuk ka “dete” uji! Qytetarët janë futur në panik prej kësaj situate, sidomos ata që janë përmbytur ose janë në prag përmbytje, për shkak të vërshimit të lumenjve, përrenjve e prej bllokimit të ujërave prej kanalizimeve të bllokuara e të munguara! Përballë tyre gjenden në detyrë Emergjencat Civile, të cilat gjenden në vështirësi për ta përballuar këtë situatë të rëndë, për shkak të fondeve “thërrime” që kanë si buxhet vjetor të akorduar nga qeveria. Gjendja e rëndë, ishte e paralajmëruar, por askush nuk u kujtua për fondet e emergjencave, paçka se situata e reshjeve nisi gjatë ditës kur qeveria miratonte buxhetin në parlament. Në Buxhetin-2017, Emergjencat Civile janë financuar me 1.3 milionë euro fond vjetor. Kaq është fondi-buxhet i këtij shërbimi kombëtar edhe për vitin 2018. 
Shqipëria mbytet e digjet çdo vit, 80% të fondeve publike i merr “lumi” i koncesioneve klienteliste
Emergjencat Civile, referuar financimit vjetor prej buxhetit të shtetit, rezulton se po trajtohen si një sektor i pa rëndësishëm për qeverinë, ekonominë dhe sigurinë kombëtare, ndërkohë që është shërbim jetik për garancinë e jetës dhe pasurisë së shqiptarëve e ato kombëtare. Edhe në këto ditë përmbytje, qeveritarët po shkojnë e “puthin” banorët e dëmtuar nga shiu, të cilët të gjendur përballë mungesës së masave mbrojtëse e shpëtuese, po përballen privatisht me përmbytjet në banesa, bagëti, toka, të mbjella, biznese. Çdo vit bëhen premtime për masa mbrojtëse në raste përmbytjesh, duke mbajtur fjalime për ndërtim digash, pastrim kanalesh kullues, për disiplinim përrenjsh, për rikonstruksion urash, për vënie në efiçencë dhe ndërtime kanalizimesh në qendrat e banuara. Por nuk bëhet asgjë. Fondet nuk akordohen për këto punë që kanë lidhje me zjarret dhe por nuk akordojnë fonde për Emergjencat Civile, që ato të mos shtyjnë ujin me lopata, të mos shpëtojnë banorët dhe bagëtitë duke i marrë në krahë, të mos nxjerrin “detin ujit” nga banesat me kova e legenë, por të kenë logjistikën e duhur për raste përmbytjesh. Kjo nuk ndodh vetëm në rastet e përmbytjeve, por edhe në rastet e zjarreve, tërmeteve, shkarjeve të tokës, të rrugëve e të banesave! Kujtojmë stinën e verës, kur Shqipëria u përfshi e gjitha nga zjarret dhe ekipet e Emergjencës Civile, (për)piqeshin duke shuar flakët me degë peme, me kova uji, me hapje kanalesh me kazma e lopata, sepse në 80% të qyteteve nuk kishte dhe nuk ka automjete zjarrfikës, por edhe 70% e atyre që janë gjendej janë “skrap”, prodhim i 50-60 viteve më parë. Beteja e tyre me zjarret bëhej vetëm nga toka, mbasi Emergjencat Civile nuk kishin dhe nuk kanë avionë zjarrfikës! Emergjencat Civile kërkojnë ndihmën e banorëve në raste zjarri e përmbytjesh, mbasi numri i punonjësve të këtij shërbimi është sa 20% e numrit të administratës së kryeministrit, sa 45% e administratës së bashkive të vogla dhe sa 10% e numrit të punonjësve të bashkive të mëdha. Një fakt, numri i punonjësve të Emergjencave Civile, që duhet të përballojnë përmbytjen në raste shiu e hapje apo çarje digash është sa 8% e numrit të punonjësve të Ujësjellësit të Tiranës, që vetëm lëshon ujë! Referuar fuqisë logjistike dhe buxhetit, mund të thuhet se Emergjencat Civile janë tjetërsuar në tip vullnetarësh të OJF-ve që bëjnë aksione me urdhër të ministrave e deputetëve për pastrim plazhesh e parqesh. I vetmi kompletim i efektivëve të Emergjencës Civile, është ky: Kanë një pagë të ulët, kominoshe, çizme, kapele dhe gatishmërinë, përgjegjësinë e përkushtimin për të kryer detyrën. Ndërsa logjistika për të kryer detyrën është një premtim, që nuk bëhet realitet, mbasi qeveria nuk e ka mendjen se çdo verë e dimër mbyten fshatra, toka, ferma, bagëti e mbushen banesa dhe biznese me ujë, por mendon se si do të shpik e do të jap koncesione që mbushin xhepat e shtetarëve, të familjarëve të tyre, të miqve, shokëve e klientëve me të cilët finalizon pazaret!. 
Emergjencat, me 1.3 milionë euro buxhet vjetor, sa “bonusi” që iu dha Vilma Nushit për “Check-up”-in
Referuar një skandali, të publikuar nga portali “Hashtag.al”, lidhur me pafuqinë e qeverisë për të përballuar përmbytjen prej shirave, duke i lënë banorët “në dorë të Zotit”, sjell në kujtesë alarmin e dhënë në datën 31 tetor të këtij viti, nga Shemsi Premçi, Drejtor i Emergjencave Civile Kombëtare, i cili ka deklaruar se buxheti total për këtë shërbim kombëtar emergjencash civile është vetëm 1.3 milionë euro. kaq është vlera që qeveria jonë, i jep Emergjencave Civile për të përballuar situata si kjo e sotmja. Për ta kuptuar më mirë këtë shifër, le të japim disa shembuj krahasues: 

1. Vlera 1.3 milionë euro është shuma, që qeveria i ka paguar firmës koncensionare të “Check-up” të Vilma Nushit në vitin 2016, për analiza të pakryera, si “bonos” i garantuar nga kontrata abuzive. 

2. Vlera 1.3 milionë euro është shifër e barabartë me fondin që qeveria dhe KQZ-ja i ka dhënë 89 partive fantazmë.. 
3. Vlera 1.3 milionë euro i kushton qeverisë dhe studioja ligjore, që ka pajtuar në gjyqin kundër Bechettit. 
Palmat, që bllokuan kanalet në autostradë, me vlerë 600 mijë euro, pishat sa 2 buxhete vjetore të emergjencave
Por nëse dje ju apo ndonjë i afërm i juaji u bllokua në aksin Tiranë-Durrës, mbase do ishte mirë ta dinit se infrastruktura kulluese e këtij aksi është shkatërruar, sepse qeveria rilindëse vendosi të mbillte ca palma. Kostoja fillestare e këtyre palmave ishte 600 mijë euro. Tashmë këto palma janë tharë dhe shkulur, ndërsa Bashkia ka vendosur që rrugën ta mbjellë me pisha. Sipas projektit të ri, që do të zëvendësojë palmat, në vend të tyre do të mbillen pisha. Mbjellja me pisha do të kushtojë 2.5 milionë euro, ose afro sa dy buxhete vjetore, që qeveria u jep Emergjencave Civile.

Shemsi Premçi: Na kompletoni me buxhet, me punonjës dhe logjistikë
Në atë deklarim, kreu i emergjencave, ka paralajmëruar kështu: “Me këtë mungesë kapacitetesh dhe fond qesharak, nuk mund të përballohen dot emergjencat, sipas detyrës së ngarkuar, duke theksuar këtë fakt absurd: “Siç e dini, buxheti ynë nuk i kalon 1.3 milionë euro dhe është shumë i vogël. Për këtë, do kërkoja mirëkuptimin dhe angazhimin e të gjithë deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, që programi i Emergjencave Civile, tashmë me programin e ri të qeverisë dhe me buxhetin e ri të 2018-ës, duhet të vlerësohet sepse është shumë, shumë i dobët. Është domosdoshmëri edhe për sa i përket strukturës së EC në nivel qendror e vendor, por dhe rritja e kapaciteteve teknike, për të reaguar me sukses dhe eficencë ndaj emergjencave civile në të gjitha fazat.”

Ja 25 koncesione hije në miliarda euro, që mund të përdoreshin për mbrojtjen nga zjarret dhe përmbytjet 
1. Koncesioni për kontrollin mjekësor “Check-up”
2. Koncesioni për Kontrollin doganor të importit të cigareve 
3. Koncesioni ndërtimin e 33 inceneratorëve në Elbasan, Fier, Tiranë 
4. Koncesioni për Laboratorët Mjekësorë, firmosur 
5. Koncesioni për Hemodializën 
6. Koncesioni për Sterilizimin e Pajisjeve Kirurgjikale
7. Koncesioni për Urgjencat Mjekësore
8. Koncesioni për Mirëmbajtjen e Pajisjeve Mjekësore
9. Koncesioni për Rimbursimin e Ilaçeve
10. Koncesioni për Evadimin e Mbetjeve Spitalore
11. Koncesioni për Ushqimin dhe Shërbimin e Lavanderisë në Spitale 
12. Koncesioni për aksionarëve në “BANKERS”
13. Koncesioni për Lotarinë Kombëtare
14. Koncesioni për Regjistrin Elektronik Mjekësor
15. Koncesioni për Stadiumin e ri të Tiranës 
16. Koncesioni për Radiolokacionin (vëzhgimin ajro ushtarak”
17. Koncesioni për Transportin Ajror Ndërkombëtar
18. Koncesioni për Pullat fiskale
19. Koncesioni për Ngjyrosjen e Karburanteve
20. Koncesioni për Pasaportave dhe Kartave të Identitetit
21. Koncesioni për Kolaudimin e Automjeteve
22. Koncesioni për nxjerrje-shitjen e mineralit të bakrit
23. Koncesioni për nxjerrje-shitjen e mineralit kromit
24. Koncesioni për i naftës Marinzë, për “Bankers-Soros”
25. Kontrata e koncesionit për shërbimin SICPA (Lufta ndaj evazionit fiskal)
Sigal