Elbasani, tejet i ndotur; Agjencia e Mjedisit publikon shifra të rreme

1205
Sigal

Kryebashkiaku Qazim Sejdini: “S’jam dakord me shifrat. Analiza mjedisore përsëri në shtator, ndryshe çështja në prokurori”

Kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini ka kundërshtuar shifrat e publikuara nga Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) për ndotjen e qytetit. Sipas Sejdinit, shifrat e publikuara nuk janë të sakta, pasi Elbasani është një nga qytetet e ndotura. Operatorët më të mëdhenj të qytetit si KURUM, DARFO vazhdojnë të ndotin qytetin dhe se shifrat e paraqitura nga ARM nuk ia mbushin mendjen. Kryebashkiaku Sejdini shprehet: “Nëse ka shifra jo të sakta unë do ta dërgoj çështjen në Prokurori. Do të kemi probleme ligjore me ARM. Të gjitha materialet që vijnë nuk janë të sakta. Sipas raportit të paraqitur nga kjo Agjenci rezulton se, ndotja në qytetin e Elbasanit është brenda parametrave të kërkuara. Matjet që bëhen nga ARM dhe specialistët nuk bëhen në prani të bashkisë dhe shifra vijnë pastaj të rregulluara. Unë kam të dhënat në dorë dhe nuk besoja se janë të sakta. Jam dakord që në shtator përsëri të raportohet për këtë çështje të nxehtë. Të gjithë këshilltarët të majtë e të djathtë konkluduan në faktin se në qytet duhen bërë sërish analiza mjedisore për të parë nëse shifrat e paraqitura nga Ministria e Mjedisit përputhen me realitetin”.

Raporti

Midis të tjerave thuhet në raport se, “çështjet e mjedisit në Elbasan kanë filluar të përmirësohen, kjo sidomos për operatorët e mëdhenj industrialë në këtë Qark. Janë matur treguesit mjedisorë si lënda e ngurtë, SO2, NO2, CO dhe ka rezultuar se parametrat e tyre janë shumëfish më të ulët se normat e parashikuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr 435 date 12.09.2002 për shkarkimet në ajër të gazeve industriale. Vetëm një rast ka në Repartin e gëlqeres, ku lënda e ngurtë është 57 mg për m3 në krahasim me normën prej 50 mg për m3 që pritet të përmirësohet në vazhdim. Pra, puna dhe kujdesi për mbajtjen pastër të mjedisit nga ana e operatorëve industrialë ka arritur nivelet me të larta të mbrojtjes së mjedisit”.

Reagimi

Gjithashtu dhe kreu i Këshillit të Qarkut të Elbasanit, Eugen Isai konfirmoi se, së bashku me kreun e Bashkisë së Elbasanit janë drejt zgjidhjes së problemit të fushës së plehrave. Duke parë edhe mungesën e kreut të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Adi Madhi në këtë mbledhje, Këshilli Bashkiak ra dakord që çështjen e ndotjes së mjedisit ta rifusë sërish në rendin e ditës për muajin shtator, ku të jetë një analizë më e qartë dhe bindëse për ndotjet.