Elbasani në vend të dytë, si qarku më i korruptuar

1002
Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme, ditët e fundit ka zbuluar në përqindje numrin e çështjeve penale të regjistruara nga Prokuroritë e Shkallës së Parë në Rrethe. E ndërsa numrin më të lartë të procedimeve penale e ka Prokuroria e Tiranës, me 31 për qind të numrit të procedimeve në rang vendi, në vendin e dytë vjen Prokuroria e Elbasanit me numrin e procedimeve në shkallë vendi. Fakti është se organi i akuzës në Elbasan, vitin e kaluar dhe në dy muajt e parë të vitit 2016 ka regjistruar mbi 193 dosje penale dhe dhjetëra të tjera civile. Mbi 65 për qind të volumit të dosjeve e zënë ato të korrupsionit, denoncimeve për afera korruptive, për persona të akuzuar dhe denoncuar, për institucione dhe subjekte private, etj. 

Sipas burimeve nga organi i Prokurorisë Elbasan, mësohet se “dosjet e krimit të vrasjeve, plagosjeve, trafikimit qenieve njerëzore, drogave, kontrabandës, kanë qenë ato që kanë patur vëmendjen e prokurorëve, por edhe dosjet e korrupsionit janë shqetësuese, pasi pas tyre vjen edhe presioni i jashtëm, kryesisht nga politika, shumica e tyre janë të servirura nga KLSH dhe Audititi i Brendshëm i Këshillit të Ministrave, ku bëhet fjalë për denoncime, shkelje dhe abuzime me projektet e rrugëve, investimeve, shpenzime të pajustifikuara, pabarazi në tendera, favorizime të paligjshme të firmave klienteliste, të cilat kanë fituar tendera dhe kanë përfituar para në miliona, duke patur mbështetje politike”. Prokuroria e Elbasanit bazuar edhe në disa raporte dhe rekomandime të KLSH, ka nisur mbushjen e dosjeve penale, që lidhen me korrupsionin e investimeve publike, duke arkivuar dokumentacion tepër kompromentues për zyrtarë të lartë, firma dhe kompani madje të lidhur me ministra dhe deputetë. 
Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës Elbasan mësohet se “vitin e kaluar janë mbyllur 121 dosje (vetëm 75 për qind e totalit) dhe i janë nisur Gjykatës së Shkallës Parë, e cila vetëm për 16 për qind prej tyre ka nisur procesin e gjykimit, një non sens i padëgjuar, kurse për vitin 2016, janë nën hetim 44 zyrtarë vendorë dhe drejtues, akuza për të cilët lidhet me tenderat dhe investimet publike, ndërkohë tre firma dhe një kompani private dyshohet se kanë rolin e klientit të besueshëm dhe kanë përfituar miliona lekë nga tenderat, duke skualifikuar 12 firma, të cilat kanë qenë konkurrente nga Durrësi, Fieri, Tirana, Kavaja dhe që aktualisht kanë depozituar në AKPP (Agjencia e Komisionit të Prokurimeve Publike) ankesat e tyre, ku brenda 30 ditëve duhet të kishin marrë një përgjigje zyrtare mbi shkeljet e ligjit nga komisionet e tenderimeve që kanë denoncuar”. Por kjo nuk ka ndodhur, pasi AKPP pretendon se “gjithçka ka qenë konformë ligjit” (?). Në Prokurorinë e Elbasanit janë depozituar denoncime nga firmat dhe kompanitë e skualifikuara (me presione të fortësh) edhe për investimet e rrugëve të reja të shtruara dhe rindërtuara në qytet dhe ato në akset nacionale, siç është aksi Elbasan-Cerrik-Valas-Papër. Gjithçka sipas hetuesve ka nisur dhe shumë shpejt do të jenë nën akuzë anëtarë të komisioneve tenderuese, si dhe persona të cilët kanë kryer misionin e “të fortit” në ditët e tenderimit, duke mos lejuar përfaqësuesit e firmave të dorëzojnë dosjet e tyre. Duhet thënë se në zyrat dhe korridoret e organeve të drejtësisë në Elbasan ndjehet çdo ditë trysnia e ushtruar nga “jashtë”, lidhur me “kujdesin ndaj atyre që preken nga korrupsioni i investimeve”, gjë e cila ka bërë që shpesh anëtarët e grupit të hetimit të trokasin në zyrën e shefit dhe t’i kërkojnë atij “dorëheqjen”. Thela e madhe e abuzimit me paratë e “Rilindjes së qyteteve” i ka prekur ndjeshëm edhe institucionet e Elbasanit, të cilat duhet thënë se muajt e fundit janë vënë nën akuzë, po të kemi parasysh edhe ardhjen e papritur të një ekipi miks nga KLSH, qysh në datën 7 shkurt 2016. Thuhet se ka gjetur një mal me shkelje dhe abuzime, por thuhet gjithashtu se “të fortët” kësaj here nuk kanë guxuar t’u afrohen kontrollorëve të KLSH.
Sigal