Elbasani me stadium “luksi” dhe me “KURUM”… helmues!

702
Sigal

Kjo “bandë” industriale anti-mjedisore, vazhdon shkrin skrap, prodhon hekur e gëlqere. “Vret” përditë me helmet që jashtëqit me biznesin i tij

 Ditën e mërkurë, Kryeministri Edi Rama përuroi pa shumë bujë, atë që në emër të qeverisë “Rilindja” vendosi, projektoi dhe realizoi shumë shpejt e shumë cilësisht: Stadiumin e ri “Arena” në Elbasan, ku do të zhvillohen takimet ndërkombëtare futbollistike të Kombëtares Shqiptare e që, sipas projektit në vazhdim edhe gara për shumë sporte të tjera, deri gara olimpike. Ky stadium me parametra ndërkombëtare, ndërtuar sipas standardeve të përcaktuara nga UEFA, i pari dhe i vetmi deri sot në vendin tonë, përbën një mjedis krenarie e relaksi shpirtëror për qytetin dhe banorët e Elbasanit. Me të drejtë, stadiumi “Arena” ka nisur të quhet “Simbol luksi i Elbasanit”.

 Stadium modern, “Kurum” helmues

Por stadiumi “Arena”, në aspektin e mjediseve publike, nuk është i vetmi “simbol” i Elbasanit. Ky qytet, njihet edhe për një tjetër simbol, prej të cilit nuk ofrohet “luks” e relaks për banorët, por shqetësim dhe shkatërrim në aspektin mjedisor e jetësor. Ky simbol është firma e mirënjohur e “banditizmit” mjedisor “KURUM”, që zhvillon aktivitet shkrirës e prodhues metalesh e gëlqereje, duke “prodhuar” e shpërndarë edhe helm masiv mbi qytetin dhe krejt zonën,  nëpërmjet një “pylli” oxhakësh, që i çon gazrat helmues në rrugë, parqe, shëtitore, spitale, kopshte fëmijësh, çerdhe, linjë prodhimi ushqimesh, tregje të hapura, në shkolla, zyra e shtëpi industrial pa asnjë sekondë ndërprerje si “ushqim” të përditshëm banorëve. Qeveritë shqiptare majtas e djathtas e kanë lejuar dhe vazhdojnë të heshtin përballë kësaj masakre mjedisore e (ç)njerëzore, sepse kanë “shijuar” pazaret e bëra me bosët e “KURUM”, të cilët bashkë me skrapin prej 20 vitesh po “shkrijnë” përditë gradualisht edhe jetët njerëzore e natyrore të kësaj zone. Edhe kjo qeveri nuk po ndalet, për ta ndalur e shkulur me rrënjë e përfundimisht nga Elbasani këtë industri “vrasëse”, por i mbanë “iso”, sikur ajo prodhon ajër të kondicionuar si në zyrat e qeverisë e jo “shtëllunga” masive gazrash helmues!

 Për të shkuar tek stadiumi, qeveria kaloi tek “KURUMI”

 Nuk dihet tashmë, numri i saktë i letrave që kanë bërë në këto 20 vite banorët e Elbasanit dhe të krejt zonës që gjenden dhe vuajnë nën “mjegullën helmuese” të “KURUM”. Thuhet, se janë mijëra ankesa, denoncime e padi gjyqësore për vdekje kancerogjene, për sëmundje të rënda, për gjymtime prej efektit shkatërrues të gazrave, për sëmundje masive në frymëmarrje, për qindra shtatzëni të ndërprera e për lindje me pasoja fizike e fiziologjike, për metalurgë të vdekur pa dalë ende në pension e për qindra që kanë hyrë në “KURUM” për bukën e gojës dhe kanë dalë me sëmundje kancerogjene e sëmundje të rënda profesionale, shkaktuar prej gazrave helmues që u shkojnë e u qëndrojnë përditë “mbi kokë” dhe u futen brenda në shtëpi e në mushkëri edhe nga “vrima e çelësit”. Janë bërë mijëra kronika televizive, qindra protesta, qindra konferenca e denoncime OJF-sh, por “KURUM” as nuk është “lëkundur” prej tyre. “KURUM” vazhdon e punon si më parë. Kjo “bandë” industriale anti-mjedisore e anti-njerëzore, vazhdon e shkrin skrap, prodhon hekur e gëlqere. Gazrat helmues, i lëshon lirshëm e pa asnjë trajtim ekologjik mbi zonën e banuar dhe kapardiset, tallet e “zbardh dhëmbët” me ata që “vret” përditë me helmet që jashtëqit me biznesin i tij. Dhe fiton miliona euro çdo muaj, me një pjesë të të cilave prej 20 vjetësh, thuhet se “mbyll” edhe letrat, edhe “gojët” e qeveritarëve e të disa OJF-ve që “lehin” 5 minuta televizioneve kundër kësaj masakre dhe pasi “doroviten” prej “KURUM”, heshtin 5 vjet! Pikërisht e “çuditërisht” këtë shqetësim-krim mjedisor e njerëzor, nuk po e fut në “listën” e problemeve emergjente për zgjidhje as qeveria aktuale, duke heshtur totalisht. Madje, e shikon Elbasanin e mbuluar nga mjegulla helmuese e “KURUM” dhe nuk flet e as ndalon kur shkon në atë rrugë! P.sh, për të shkuar tek simboli “STADIUM” i Elbasanit, Kryeministri Edi Rama dhe disa ministra të tij, kaluan përpara portës së simbolit helmues “KURUM” të Elbasanit. Për të arritur deri tek simboli relaksues “STADIUM”, kryeministri kaloi poshtë “reve” të mjegullës helmuese, me të cilën kjo firmë “vrasëse” e jetës dhe mjedisit mbulon përditë e ditë e natë gjithë Elbasanin. Mjegulla gjigande e helmeve që lëshon “KURUM”, ka filluar të mbulojë edhe Stadiumin “Arena”, mjediset e të cilit ndoshta deri ditën e takimit me danezët, nuk do nxihen nga bloza dhe helmet që lëshon “KURUM”, për ta katandisur stadiumin deri në atë “farë feje”, sa prej blozës së “KURUM” të nxihet e të mos duket as Shqiponja e zezë dykrenare, dizenjeuar mbi shkallët e tij!

Elbasani, prej 20 vjetësh edhe “viktimë” e mjegullës helmuese të “KURUM”

Në kohën e diktaturës, në fillim të viteve ‘70, Elbasani e quajti krenari dhe nder, që partia ndërtoi metalurgjikun në këtë qytet. Pas viteve 1990, të “shpëtuar” nga “zinxhirët” e frikës, banorët e Elbasanit kërkuan mbylljen e këtij kombinati që helmonte jetët dhe mjediset e tyre. Vetëm 3 vjet, nuk nxorën tym helmues oxhaqet e metalurgjikut në Elbasan, për të rinisur lëshimin e gazrave helmues me ardhjen (sjelljen) e firmës “KURUM”, duke i dhënë lejen e aktivitetit shkrirës pa përfillur komunitetin dhe standardet e organizatës Botërore të Shëndetësisë e BE. Prej 20 vitesh, aktiviteti i firmës “KURUM”, po vazhdon të helmojë kriminalisht jetën e banorëve të qytetit, të rrethit e krejt zonës së qarkut të Elbasanit, po kaq shkatërruese edhe për florën dhe faunën. Mjafton të shikosh një mëngjes e pse jo gjithë ditën qytetin e Elbasanit nga “Qafa e Kërrabës” dhe nuk… e shikon dot, mbasi ngjason me një “luginë” ngjyrë të bardhë, gri e të zezë mjegulle gjigande helmesh të përziera, që lëshojnë mbi këtë qytet oxhaqet e firmës “KURUM”. Kjo firmë edhe pse detyrohet me kontratë koncensionare e ligj shqiptar mjedisor, nuk pranon të investojë për vendosjen e filtrave të gazrave që lëshon në atmosferë, gjatë përpunimit të lëndës së parë skrap dhe prej prodhimit. Epiqendra e helmimit është zona e banuar e Komunës Bradashesh. Kjo firmë ka ardhur në Shqipëri nga Turqia, si filial i kompanisë “KURUM Holding”, për të zhvilluar biznes shkrirje skrapi e prodhim hekuri, gize, çeliku e gëlqereje në ish-“Kombinatin Metalurgjik”, futur në aktivitet në Shqipëri me pazare qeveritare, si vazhdim i ish-çibanit teknologjik “vrasës”, ndërtuar me dhunë në kohën e diktaturës dhe pranuar e lejuar me “paqe” në 20 vitet e fundit, prej këtyre që thonë se kanë zhdukur “plagët” e diktaturës. Madje “paqja” e qeveritarëve me çibanin “KURUM”, ka shkuar deri në atë “mirëkuptim”, sa në qershor 2009, në kundërshtim me Kushtetutën e Shtetit Shqiptar, drejtuesit e lartë të Shtetit Shqiptar, i kanë shitur asaj edhe mjediset e Uzinave të Prodhimit të Hekur-Çeliqeve, ndërkohë që kontrata ligjore miratuar në parlament e ka të sanksionuar qartë: Për 40 vjet, “KURUM” do t’i përdor mjediset vetëm me qira, pa të drejtë privatizimi. Sipërfaqja e privatizuar prej “KURUM” , ose “gropës” prej nga del mjegulla helmuese e vërshon drejt banorëve të Elbasanit është 219 mijë e 410 m2, përbërë nga 1 uzinë çeliku, 3 uzina petëzimi dhe 1 hapësirë pjesërisht e mbyllur me sipërfaqe  88 mijë e 410 m2. Bëni llogarinë dhe do nxirrni, se sa mijëra metër kub gazra helmues hedh çdo ditë në mjedis, një aktivitet grumbullimi, përpunimi, shkrirjeje e prodhimi metalurgjie si “KURUM”, që ka kapacitet prodhimi vjetor prej 810 mijë ton hekur për ndërtim të petëzuar në të nxehtë, 680 mijë ton prodhim çelik të lëngshëm dhe afro 100 mijë tonë gëlqere në vit! Sa për saktësim, me këtë teknologji primitive mesjetare që ka në përdorim, me këto parametra prodhimi, aktiviteti “KURUM” nuk është pranuar të veproj as prej qeverisë as në periferitë e Indisë dhe as prej qeverive të vendeve të Botës së Tretë. Ndërsa prej shtetit shqiptar lejohet e përkëdhelet edhe me “ndere” të tjera të kundërligjshme.

Përparim HALILI