Elbasani kërkon largimin e KURUM

702
Sigal

Ndotja alarmante, qytetarët letër Ramës

Ndotja në Elbasan prej afro gjysmë shekulli ka qenë dhe mbetet alarmante. Por veçanërisht prej 10 vitesh, uzinat e çelikut të kompanisë turke “KURUM”, e kanë renditur Elbasanin, ndër qytetet më të ndotura në Ballkan. Tymi, pluhuri, helmet dhe gazrat që çlirohen nga oxhaqet e uzinave të çelikut të “KURUM”, prej vitesh po ndotin fshatrat e komunës së Bradasheshit dhe qytetin e Elbasanit e më gjerë. Ish-kombinati Metalurgjik i Elbasanit, ka ardhur nga Kina qysh gjatë viteve 1964-1975, dhe ka qenë qysh asokohe i një teknologjie të vjetruar. Por disa uzina pjesërisht të rinovuara nga kompania turke, sot shkrijnë metalet e ardhura nga Kosova, Maqedonia, dhe çdo qytet dhe fshat i Shqipërisë. Vijnë me kamionë gjigantë, ngarkuar me llamarina, pjesë makinash dhe makinerish, metale të çdo lloji, dhe pasi zhdoganohen në Elbasan, nisen 6 km larg këtij  qyteti në ish-kombinatin Metalurgjik, sot uzinat e çelikut “KURUM”. Qytetarët e Elbasanit, (pa përmendur banorët e fshatrave të Bradasheshit) prej vitesh po mbrohen vetëm me indinjatën e tyre, pasi çdo 4 vjet partitë politike dhe deputetët e dy partive qeverisëse, vetëm sa u premtojnë  se “do të ndalim ndotjen, do të largojmë kompaninë në qoftë se nuk merr masa”. Qytetarët e Elbasanit, janë ata që prej vitesh po vuajnë pasojat e ndotjes, e cila është afro 10 herë më e lartë se norma e lejuar nga organizmat mjedisore të varura nga Ministria e Mjedisit. Kjo e fundit ka nisur një fushatë dinjitoze së fundi për të përcaktuar nivelin e saktë të ndotjes edhe në qytetin e Elbasanit, pas ardhjes së pajisjeve lëvizëse moderne 1 muaj më pare, e cila do të kryejë matjet dhe monitorimin e ndotjes në këtë qytet. Qytetarët e Elbasanit, nuk meritojnë të jetojnë në kushte skandaloze, të një ndotje masive, e cila shtrihet mbi qytet ditën me diell dhe natën me hënë. Janë mbi 135 mijë banorë të qytetit të Elbasanit, dhe mbi 20 mijë banorë të komunës së Bradasheshit,  që po ngrenë zërin e tyre të protestës, duke dashur të përfaqësohen nga klasa intelektuale dhe shoqëria civile, për të detyruar Kryeministrin Rama të marrë masa dhe të mbajë premtimet e fushatës elektorale, për të eliminuar ndotjen e “KURUM”. Brenda pak ditëve, do të nisë  firmosja e një peticioni mbarëqytetar drejtuar Kryeministrit Rama, për t’i dhënë atij ultimatumin e fundit për t’i prerë rrugën helmimit të qytetit dhe shëndetit të banorëve. Qytetarët e Elbasanit janë më tepër se kurrë të vendosur, të kërkojnë nga zoti Rama ose eliminimin e ndotjes ose largimin e “KURUM” nga qyteti i tyre, i shpërfytyruar, dikur vendi i luleve, dhe tokës së begatë. Mjaft ish-punëtorë të ish-kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, shprehen të indinjuar për lënien pas dore të këtij problem prej 23 vitesh, dhe tregojnë raste të dhimbshme të pasojave të ndotjes së 12 mijë personave që prej 30 vitesh punuan në ato uzina nga viti 1964 deri 1994. Peticioni i qytetarëve të Elbasanit, do t’i niset edhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të sjellë praninë e specialistëve të huaj në procesin e matjeve, analizave dhe monitorimit të situatës mjedisore. Nga ana e saj Ministria e Mjedisit, ka vendosur të marrë seriozisht ankesat dhe pretendimet e qytetarëve elbasanas, dhe ka shprehur vendosmërinë e saj për të vendosur zbatimin e ligjit në Elbasan, dhe për të detyruar “KURUM” të investojë për sistemin e filtrave pluhur kapëse, në të kundërt do të merren masa e sanksione  ligjore në dobi të jetës e shëndetit të banorëve të asaj Prefekture.