Elbasani, “kalaja” e papunësisë, rekord në shkallë vendi, zyrtarisht 38 mijë të papunë, faktikisht 59 mijë

536
“Kemi mbi 38 mijë të papunë, dhe nuk ka gjasa të kemi punësime të reja as për muajt e mbetur të vitit 2015”. Ishte kjo deklarata konfidenciale e një punonjësi nga Drejtoria e Punësimit në Elbasan për “Telegraf”, në qytetin që njihet si “kryeqendra e të papunëve”. Asnjë shans, asnjë projekt konkret, asnjë bashkëpunim dhe bashkërendim projektesh me bizneset e mëdha, për të punësuar të paktën 1 për qind të atyre që sot mbushin rrugët dhe sheshet e Elbasanit. Ky problem kaq i prekshëm social, natyrisht ka sjellë dhe ka thelluar edhe varfërinë tek shumica e familjeve të papuna. Elbasani konsiderohet rajoni ku ka shumë pak ose aspak të punësuar në shkallë vendi. E ndërsa 25 vjet më parë, Elbasani quhej “kryeqendra” e industrisë së rëndë, ku vetëm ish-Kombinati Metalurgjik kishte mbi 12.800 punëtorë, sot numërohen mbi 38 mijë të papunë, shifër kjo që mund të merret pa rezervë më e lartë, kur dihet që një numër i konsiderueshëm nuk kanë trokitur në Drejtorinë Rajonale të Punësimit për t’u regjistruar të papunë. Sipas statistikave del në pah se numri më i madh mbetet kategoria me arsim 8-vjeçar dhe të mesëm. Sipas burimit nga Drejtoria e Punësimit në këtë qytet, numrin më të lartë të papunëve e kap mosha 28-45 vjeç më pas vijnë të rinjtë dhe pjesa e tjetër janë gratë. Për vitin 2015 në Drejtorinë Rajonale të Punësimit, ministria e linjës ka lëvruar pak fonde për projektet për punësim në rajonin e Elbasanit. “Sa i përket papunësisë në qarkun e Elbasanit, ne kemi pasur këto shifra në fund të vitit të 2014, dhe konkretisht si numër ka qenë 26 144 ndërsa i shprehur në përqindje ka qenë 22.2 për qind. Gjatë këtij viti është bërë një punë e dobët nga ana e specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Punësimit, duke mos ndërmjetësuar siç duhet vendet e lira të punës dhe zënien me punë të atyre njerëzve të cilët kanë aplikuar. Pavarësisht deklaratave të zyrtare të Drejtorisë Zyrës Rajonale të Punës, realiteti është krejt ndryshe pasi fenomeni i papunësisë është më se i prekshëm nga shumica e banorëve të Elbasanit. Përgjatë vitit 2014 por edhe 2015, u mendua se realizimi i disa projekteve si ai i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan, H/C e Banjës, apo investimet në rrugët e reja, të cilat do të rrisnin mundësinë e punësimit të elbasanasve, por nuk ndodhi siç u parashikua. Ndërkohë që listës së të papunëve në këtë u janë shtuar edhe emigrantët e kthyer së fundmi nga vende të ndryshme veçanërisht nga Greqia dhe Italia. Sheshi tek pallati sportit, tek ish-lulishte 1 Maj, sheshi tek stadium “Elbasan Arena”, tek kryqëzimi rrugës Elbasan-Cërrik, mbushen çdo ditë me grupime të mëdha të papunësh, që me vegla pune në duar, presin punëdhënësit ditorë, për të siguruar ndonjë lek për të blerë bukën e fëmijëve. Ushtria e të papunëve në Elbasan, mbetet shtresa e persekutuar e qytetit, shtresa e cila çdo ditë mbush listat e gjata të fletoreve dhe blloqeve duke marrë ushqime pa paguar dhe duke premtuar se “do t’iu shlyejmë sa të marrim ndonjë lek”. Asnjë interesim nuk ka as nga deputetët e majtë të Elbasanit, që sapo morën votat edhe nga të papunët, u kthyen atyre kurrizin. Asnjë takim qoftë edhe të sajuar, nuk bëjnë deputetët e pushtetit në Elbasan me ata që ushqehen me lista, me ata që dergjen në diell dhe shi gjatë gjithë vitit për të futur në xhep në fund të ditës të paktën 500 lekë të reja, bukën e fëmijëve. Realiteti Migjenian në Elbasan, mbetet realiteti dhe pasqyra e kësaj qeverisje, e cila u premtoi banorëve të këtij qyteti “punësime masive dhe rritjen e mirëqenies” dhe që sot i ka katandisur në rrëmues koshash kudo gjenden ato në rrugët e rrugicat e qytetit, duke i zhytur më thellë në borxhe nga të cilat nuk do të dalin kurrë.
Sigal