Elbasan, taksa për çdo drejtor në fushatë shkon 5 milionë

607
Pasi ka prezantuar projektin për investimet në rrugët e zonave malore të Çermenikës, dje pasdite deputeti socialist Tauland Balla ka bërë një ndalesë të shkurtër edhe tek turizmi “Skampa” në Elbasan, nga ku ka zhvilluar një takim me drejtorët e institucioneve të caktuar për mbulimin dhe mbështetjen e fushatës. Thelbi takimit ishte “5 milionë lekë çdo drejtues për fushatën, plus mjete dhe njerëz, në mbështetje të kandidatëve të përbashkët të koalicionit të majtë”. Takimi është mbajtur në mesditë dhe ishte lajmëruar një ditë më parë, duke mbledhur drejtorët në sallën e turizmit ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe duke iu kominikuar atyre mbështetje maksimale për fushatën. Deputeti Balla mbetet dhe drejtuesi shtabit për fushatën elektorale në shkallë Qarku, ndërkohë që puna e tij do të fokusohet kryesisht në qytetin e Librazhdit, atje ku kandidon për PS ish-drejtori i ALUIZNI-t të Elbasanit, Kastriot Gurra. Mësohet se ky i fundit nuk e ka të lehtë garën, pasi në Librazhd ka dalë i pavarur edhe ish-kryetari Bashkisë Shefki Çota, si dhe një mjek nga PD Fadil Brazhda, pediatër, që gëzon reputacion tek banorët atje. Por duke u kthyer në Elbasan, takimi i Ballës duket se ka patur konsensusin e drejtuesve, duke u ndarë atyre edhe zonat ku do të jenë mbështetës. Bashkia e Elbasanit me reformën e re shtrihet nga Labinoti-Mal në Gracen, nga Gjinari e Zavalina deri në Shirgjan, Gjergjan e Llixhë dhe padyshim kërkon angazhimin e një stafi të madh njerëzish dhe mjetesh, pa përjashtuar shpenzimet financiare. Pavarësisht se fushata de jure nuk ka nisur, ajo prej afro 2 javësh ka regjistruar takime të shpeshta të kandidatëve në zonat dhekomunat periferike. Çdo drejtues e ka detyrim partiak të mbështesë fushatën, pavarsisht hatërmbetjeve apo inateve të vjetra që ka, me ndonjë prej kandidatëve apo kryetarët të partive. Sipas një urdhëri të brendshëm nga Rama “kandidati duhet të mbështetet pa kushte nga kryetarët e degëve të PS, drejtuesit dhe kryesia, ata duhet të jenë të pranishëm në të gjitha takimet elektorale”. Duket se tradita vazhdon, ashtu si edhe 8 vitet e shkuara, kur mbështetësit e fushatave ishin drejtorët, por edhe mjetet, logjistika dhe njerëzit e punësuar nga partia. Mjetet dhe gjithë potenciali njerëzor i tyre do të vihen në shërbim të fushatës. Por ajo që të bie në sy është shkrehja e punës normale në institucione, ku konstatohet mungesa e zbatimit të orarit, ku zyrat gjenden më shumë mbyllur se hapur, sorrollatja e qytetarëve që për një firmë apo sqarim duhet të presin deri në orët e pasdites, dhe shpesh ikin pa mbaruar punë. Konstatohet tek mungesa e shërbimeve për qytetarët, tek angazhimi stafeve në selitë e partive politike, duke degraduar me dashje stabilitetin e institucioneve zyrtare. Pothuajse të gjitha institucionet e shtetit gjithë vëmëndjen e tyre e kanë kthyer tek fushata. Por ata që po e vuajnë janë qytetarët e thjeshtë, që u duhet të presin dhe kërkojnë zyrtarët për një firmë në kafene, seli partish, apo zyra elektorale të marra me qera. Në OSHEE, Ujësjellës, DAR, Drejtorinë e Shëndetit Publik, tek Agjensia e Mjedisit, tek ZRPP dhe Drejtorinë e Bujqësisë, tek Tatimet, Legalizimet, Drejtoria e Punësimit, veç rojes të tjerët do t’i gjesh dhe takosh tek selitë e partivë, duke u marrë me punët e fushatës.
Sigal