Elbasan, këshilltarët bashkiakë miratojnë Projektbuxhetin 2014

480
Sigal

Kryebashkiaku Qazim Sejdini: Është buxheti më i madh në këto 22 vite, vlera 10 miliardë lekë ose 2% më i lartë se 2013-ta

Ditën e djeshme, Bashkia e Elbasanit miratoi buxhetin e vitit 2014, duke gjetur miratimin e këshilltarëve, pas argumentimit të hollësishëm që bënë specialistët e këtij institucioni. Sipas kryebashkiakut Qazim Sejdini, “buxheti i këtij viti është më i larti gjatë 24 viteve të fundit, përkatësisht 2% më i lartë se ai i vitit paraardhës”.

MBLEDHJA

Këshilli Bashkiak i Elbasanit zhvilloi dje mbledhjen e tij të radhës, ku në rend dite ishin dhënia e ndihmës ekonomike për muajin Shkurt 2014, dhënia e ndihmës ekonomike nga të ardhurat e Bashkisë dhe nga fondi i kushtëzuar, miratimi i Projektbuxhetit të Bashkisë Elbasan për vitin 2014. Që në fillim u tha se për vitin 2014, Bashkia e Elbasanit ka në dispozicion të sajë një buxhet prej 1 miliard lekësh të reja, që rezulton të jetë rreth 2% më i lartë se ai i një viti më parë.

Në fjalën e tij drejtuar këshilltarëve për miratimin e këtij Projektbuxheti, Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini renditi edhe prioritetet strategjike: “Duke e konsideruar vitin 2014 vitin e një ndryshimi rrënjësor të qytetit dhe vitin e realizimeve të prioriteteve strategjike si, mbyllja e landfillit të vjetër dhe hapja e landfillit të ri; investime të rëndësishme me financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, afërsisht 500 milionë lekë; rikonstruksioni total i stadiumit dhe zgjerimi e shpronësimet në rrugët kryesore të qytetit dhe unazës veriore. Kështu ky buxhet kap shifrën rreth 10 miliardë lekëve të vjetra, duke pasur një rritje prej 2% më shumë se realizimi i vitit 2013. Këtu një vend të rëndësishëm zënë dhe të ardhurat nga taksa e ndërtesës”. Sejdini e vlerësoi ambicioz buxhetin e këtij viti duke kërkuar nga stafi i Bashkisë një punë efikase për realizimin e tij.

DETAJE TË TJERA

Gjithashtu, Sejdini, një ndikim pozitiv në rritjen e buxhetit për këtë vit ka transferuar e pakushtëzuar e ardhur nga qeveria, e cila kap shifrën totale prej 370369 milionë. Më tej Sejdini shtoi: “Efiçenca dhe efektiviteti janë kriteret, të cilat po aplikohen dhe do të aplikohen në vendimmarrjen demokratike të Bashkisë, duke pasur qëllim ofrimin e shumë shërbimeve tek qytetarët, në ndarjen e këtij projekt buxheti, më shumë hapësirë i kemi dhënë faktorëve të cilët janë më afër qytetarëve dhe konkretisht: 31.4% e zënë investimet e reja dhe të trashëguara nga vitet e mëparshme; 31% të buxhetit e zënë shpenzimet, prej të cilave 20% shpenzime që shkojnë në dobi të qytetarit 28.6 % e zënë pagat dhe sigurimet shoqërore. Me votat e këshilltarëve, buxheti mori miratimin për realizim. Në mbyllje të fjalës së tij Sejdini u shpreh i kënaqur dhe krenar për bashkëpunimin dhe mbështetjen që Bashkia Elbasan ka pasur gjithmonë nga Këshilli Bashkiak