Sigal

Grabitjet  e shtëpive, sidomos gjatë verës janë bërë një fenomen I shpeshtë dhe shqetësues edhe në qytetin e Elbasanit.

Gjatë paraditës së sotme grabitësit kanë grabitur shtëpinë e operatorit të një televizioni lokal në Elbasan, i cili jetonte me dy gjyshërit e tij. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur  paradite mes orës 09.30 deri 12.00 në lagjen “Dyli Haxhire”.

Hajduti ose hajdutët, kanë shfrytëzuar rastin kur familja kishte dalë jashtë për të festuar ditëlindjen e të moshuarës , e nuk kishte asnjë në shtëpi. Sipas familjarëve, në fillim hajdutët kanë kapërcyer një mur rreth 2 m të lartë pastaj kanë shqyer dritaren e kuzhinës dhe kanë depërtuar brenda ambienteve të shtëpisë.

Aty kanë marrë vetëm të hollat që operatori kishte lënë në një valixhe; 90 mijë lekë dhe 50 dollarë kanadezë. Pastaj ata kanë kontrolluar garderobën dhe gjithçka tjetër duke e hedhur në tokë. Duket se qëllimi i hajdutit ka qenë vetëm grabitja e lekëve pasi nuk ka marrë asgjë tjetër, as kamera dhe as laptopin e punës së operatorit Migen Sejdini.

Për ngjarjen është njoftuar policia e cila bashkë me një grup hetimor kanë kryer procedurat përkatëse. Sipas familjarëve hajduti ka lënë shenjat e gishtave në pasqyrë cila mund të shërbejë si provë në të ardhmen për të vërtetuar autorësinë e kësaj vjedhje. Shtëpia është në pronësi të të moshuarit Enver Sejdini. Familjarët kanë dyshime se grabitësi është njeri i afërt, pasi e ka ditur që në shtëpi nuk ka patur njeri.