Elbasan, institucionet nuk njohin kartën e identitetit

611
Sigal

SKANDAL/ Flet drejtori i Zyrës së Gjendjes Civile, Lavdi Gjoza: “Të zgjidhet situata. Nuk po respektohet ligji në fuqi!”

Rriten kërkesat e banorëve të Elbasanit për tërheqjen e certifikatave familjare dhe atë personale. Dyndja në Zyrën e Gjendjes Civile ka treguar qartë se, institucionet e qytetit të Elbasanit nuk respektojnë ligjin në fuqi. Një ligj, i cili citon qartë se shtetasit e pajisur me kartë identiteti nuk i plotësohet asnjë certifikatë personale.

Situata

Shumica e institucioneve që ofrojnë shërbime për qytetarët kërkojnë në plotësimin e dokumenteve përveç certifikatës familjare edhe atë personale duke mos njohur në këtë mënyrë kartën e identitetit, si një dokument të vlefshëm. Këtë shqetësim e ka bërë të ditur për “Telegraf” drejtori i Zyrës së Gjendjes Civile, Lavdi Gjoza, i cili tha: “Ky problem është vërtetë shqetësues, pasi në gjendjen civile që në janar të vitit 2009 sipas vendimit të Qeverisë shqiptare shtetasit që pajisen me kartë identiteti nuk i plotësohet asnjë certifikatë”. Kjo çështje ka marr përmasa të mëdha saqë asnjë institucion në Elbasan nuk kryen veprimet nëse nuk paraqet certifikata personale. Kështu Gjoza duke e konsideruar problemin vërtet shqetësues ka kontaktuar me prefektin e Qarkut, Shefqet Deliallisi. Ky i fundit i ka premtuar se do t’i gjej një zgjidhje për zbatimin e ligjit në fuqi. Nga ana e Prefekti të Elbasanit janë njoftuar dhe institucionet më të larta. Në shumë institucione në këtë rreth qytetarëve u kërkohet jo vetëm certifikatë familjare, por dhe ajo personale çka e bën dhe më të vështirë shqetësimin e z. Gjoza, i cili thekson se, certifikata personale është e njëjtë me kartën e identitetit.

Problemi

Pavarësisht ligjit të vitit 2009 që çdo shtetas certifikatën e zëvendëson me kartë identiteti, institucionet në Elbasan nuk e marrin në konsideratë këtë fakt dhe në çdo rast për dokument identifikimi pranojnë vetëm certifikatë. Gjoza për sqarim të mëtejshëm tha se “karta e identiteti është një dokument  zyrtarë që tërhiqet në zyrën e gjendjes civile dhe tregon ose përmban  gjeneralitetet e çdo shtetasi. Nuk e di se çfarë situate është nëpër rrethet e tjera, por nëse ndodhen e njëjta si këtu atëherë është vërtet problem që kërkon zgjidhje sa më parë”. Futja e kartave të identiteti nga ana e Ministrisë së Brendshme do të hiqte edhe radhët e gjata nëpër zyrat e gjendjes civile për tu pajisur me certifikatë, por në rrethin e Elbasanit po ndodh e kundërta. Në këto zyra ditët e fundit vihet re një fluks qytetarësh, të cilët jo vetëm tërheqin kartat e identitetit, por dhe certifikatat personale dhe familjare.

Qytetarët në radhë

Qytetarja Admira Tatzati për “Telegraf” tha: “Kam ardhur të tërheq një certifikatë, pasi në institucionin, ku kam punë ma kërkojnë si dokument identifikimi, kartën e identitetit që e kam, nuk e pranojnë”. Kurse një tjetër qytetarë shprehet: “Kam ardhur të marr një certifikatë pasi kam provimin e patentës dhe nuk më futën dot pa certifikatë pasi kartën e identitetit nuk e njohin fare”.