Elbasan, dhjetëra shkolla nisin mësimin në kushtet skandaloze

1123
Sigal

 Edhe pse dje ishte dita e parë e shkollës në Qarkun e Elbasanit, jo të gjithë nxënësit do të kenë mundësi të ulen në bankat e shkollave me kushte të mira. Dhjetëra çerdhe, kopshte dhe shkolla në shkallë qarku nuk plotësojnë kriteret për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollorë. Madje, disa prej tyre janë jashtë çdo standardi qoftë dhe më minimal. Edhe këtë vit Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Elbasan ka ushtruar kontrolle dhe ka lënë detyra për drejtuesit e njësive vendore, Drejtorinë Rajonale Arsimore  dhe drejtorët e shkollave që të marri masa për krijimin e ambienteve të përshtatshme për vijimin e procesit mësimorë. Në të kundërt kjo drejtori ka paralajmëruar mbylljen e godinave. Disa nga godinat që nuk plotësojnë kushtet për të vijuar mësimin janë kopshti “Vidhas” , “Mallakas” në Komunën Papër, palestra e shkollës “Mahmut Ali Cungu”, dy klasa të shkollës 9-vjeçare etj.. Sipas inspektimeve në terren të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publikë vazhdon të ketë problem në shkollat 9-vjeçare “Qamil Gurajaku”. Ndërsa më shqetësuese paraqitet gjendja në shkollën profesionale “Zëra Jete”, e cila ka ambiente të papërshtatshme dhe skandaloze për zhvillimin e mësimit, me hapësirë të pamjaftueshme  për numrin dhe specifikën shëndetësore. Gjithashtu shqetësuese paraqitet infrastruktura e ambienteve të sportive të shkollave të qytetit, të cilit janë të amortizuara. Por ajo çka është dhe më shqetësuese për të gjithë nxënësit e këtyre shkollave është dhe sigurimi i ngrohjeve gjatë stinës së dimrit, i cili realizohet me energji elektrike, ku rrjeti është i amortizuar ose mungon fare. Ndërsa përsa i përket  shkollave në zonat rurale janë evidentuar probleme higjieno-sanitare dhe shumë shkolla kanë nevojë për rikonstruksion të ambienteve si shkollat: Gadolesh, Dushk, Shirgjan, Gracen, Papër etj.. DSHP pas inspektimeve ka mbyllur 2 kopshte për shkak të kushteve higjiene sanitare./ Era Çela