Elbasan/ 147 klinika të paligjshme, dëmi 1.2 milionë euro çdo vit

119
E ndërsa qeveria duket sikur po shtrëngon “darët”, duke mos harruar asnjë ditë të vetme t’i bëj  publicitet “arritjeve dhe sukseseve” edhe përsa i përket goditjeve të paligjshmërisë në aktivitetet private, një tjetër paligjshmëri duket se po reziston dhe nuk ka gjasa të frenohet. Është fjala për klinikat, ato mjekësore, veterinare, dentare dhe lloj-lloj klinikash që në qarkun e Elbasanit, funksionojnë mrekullisht në ambiente të ndryshme, duke nisur nga dhomat e 
banesave, garazhet, kioskat metalike, objekte të braktisura, dhe deri tek plevicat e bagëtive në fshatra. Burime tepër të besueshme nga institucione kontrolluese i thanë “Telegraf”, se “në shkallë qarku, Elbasani ka rreth 147 klinika të tilla dhe që ndodhen në qytetin e Elbasanit, Librazhdit, Gramshit, Peqinit dhe Përrenjasit, si dhe në fshatrat e Cërrikut dhe Belshit, të cilat i shkaktojnë çdo vit shtetit një dëm ekonomik dhe financiar mbi 1.2 milionë euro”. Këto para duhet të futeshin në arkën e shtetit, në rast se 147 klinikat (në rast se mund të quheshin të tilla) do të ishin licencuar, do të kishin paguar të gjitha detyrimet tatimore dhe bashkiake në arkën e shtetit dhe do të punonin sipas tarifave dhe çmimeve, me të cilat punojnë ato që janë të ligjshme, pra legale. Është një skandal i paparë, një abuzim me vlera të mëdha dhe dëme të konsiderueshme, prapa të cilave qëndrojnë drejtues të lartë vendorë dhe qendrorë, deputetë, 
zv/ministra dhe ministra, duke krijuar në qarqe dhe konkretisht në atë të Elbasanit, shtetin paralel, shërbimet e paligjshme që mbushin me para xhepat e pangopur të pushtetarëve. Të njëjtat burime thanë se “tek ky grupim klinikash të paligjshme për të cilat kemi sinjalizuar edhe  dikasteret e linjës, kryhen pothuajse të gjitha shërbimet mjekësore për njerëzit dhe kafshët, operacione për njerëzit dhe kafshët, jepen receta dhe merren ilaçe, futen medikamente 
kontrabandë nga vendet e lindjes, kryesisht nga Bullgaria dhe Turqia, testohen dhe implementohen “metoda” të reja shkencore dhe kjo ngjet në ambiente, të cilat janë blerë ose marrë me qira, duke krijuar mendimin dhe duke futur tek qytetarët dhe banorët e zonave të banuara, imazhin e diçkaje të frikshme”. Asnjeri nuk mund ta besojë, se si në mes të  qytetit apo në periferinë e tyre, hapin dyert dhe funksionojnë pika të tilla madje duke punësuar 
mjekë dhe specialistë edhe nga stafet e klinikave dhe institucioneve legale, të cilat janë kthyer  në vampirë të parasë, duke dëmtuar shpesh jetën e njerëzve dhe gjallesave të tjera. Një banor i  Librazhdit dhe disa banorë të Gramshit i thanë “Telegraf” se “kemi 2 vjet që shkojmë për vizitë 
tek mjekët tanë “shëtitës” që duke përfituar nga mungesa e qendrave shëndetësore dhe mjekëve nga shteti, na vijnë dhe na mashtrojnë duke na ofruar vizita ne, grave dhe fëmijëve, shpesh atje vendosim edhe protezat e dhëmbëve, vizitojmë dhe lopët, dhe na marrin para sikur të ishim vizituar tek klinikat jashtë shtetit”. Banorët e Belshit në Elbasan, prej 3-4 vitesh vuajnë mungesën e një qendre shëndetësore, ashtu si edhe shumica e banorëve të zonave të 
largëta, janë të detyruar të kryejnë vizitat mjekësore tek “specialistët” e klinikave private, të cilat kanë mbirë në çdo fshat të asaj zone. E njëjtë paraqitet situata edhe në fshatrat e Peqinit, Cërrikut, Gracenit, Labinotit, duke të krijuar përshtypjen se jetojmë në mesjetën e hershme, ku mungonte shteti dhe ligji. Sipas banorëve “ata që na prezantohen si mjekë dhe specialistë, kanë marrë ambiente me qira, duke nisur nga ish-zyrat e kooperativave, shkollave dhe ish- 
spitaleve dhe na vijnë me uniforma të rregullta, shpesh ne dhe fëmijët atje gjejmë shërim, por tek ne janë hapur edhe klinika, tek të cilat vaksinojmë dhe shërojmë bagëtinë dhe realisht ne e dimë se janë të shtetit ata, pasi na marrin para sipas dëshirës”. Disa “klinika” të tilla funksionojnë në disa zona të banuara të qarkut të Elbasanit, edhe në ish-vend-strehimet e dikurshme. Ato janë pastruar, patinuar, lyer ngjyrosur dhe dezinfektuar, dhe janë kthyer në 
vende ku fitohen para nga “specialistë” të fushës së mjekësisë njerëzore dhe shtazore, duke sfiduar shtetin, dhe duke i treguar kryeministrit dhe ministrave se “ai që kërkon para, i nxjerr ato edhe nga dheu”. Duke lënë pas rrethet e vogla të qarkut, edhe qyteti i Elbasanit mbetet i mbushur me klinika të tilla të paligjshme. Ato do t’i gjesh pa shumë vështirësi në pallatet apo bodrumet e tyre, në rrugicat e lagjeve të qytetit dhe asnjëra prej tyre nuk është e regjistruar as  në QKR apo QKL, asnjëra prej tyre nuk paguan detyrimet tatimore, asnjëra prej tyre nuk është  legale, por çdo ditë pronarët e tyre mbushin xhepat me para fakirësh, madje duke u bërë këtyre të fundit edhe propagandë joshëse për veten dhe duke sharë gjithë ditën “shtetin që po u rrjep  lëkurën”. Kjo është situata reale në vetëm pak problematika në qarkun e Elbasanit, ku informaliteti po lulëzon ditën me diell. Kjo është situata reale e paligjshmërisë, që flet për “darët” e dobëta të strukturave të shtetit ose ndoshta për partneritet të suksesshëm mes palëve, pasi askush nuk do të guxonte ta mendonte, dhe jo pastaj ta hapte aktivitete të tilla, jo në qendra qytetesh apo periferitë e tyre, por as në maja malesh.

Alma Jonuzi