Eksport energjie, shkarkimet në HEC-e nën kontroll

52

Reshjet e shumta të shiut kanë shtuar ndjeshëm prurjet në tre hidrocentralet mbi lumin Drin. Për të shmangur derdhjen e ujit pa prodhuar energji, Korporata Energjetike Shqiptare thotë se po prodhon energji duke e eksportuar atë.

Sipas KESH, aktualisht rezerva energjetike e akumuluar është rreth 1050.2 GHW. Prodhimi ditor nga tri HEC-et e kaskadës së lumit Drin është 13 mijë MWh.

“Aktualisht KESH po plotëson kërkesën për furnizimin me energji të konsumatorëve tariforë dhe humbjet e OSHEE dhe OST. Për të shmangur shkarkimin e ujit pa prodhim energjie KESH ka hapur një procedurë eksporti për të shitur 10.000-17.000 MWh”, thuhet në njoftim.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare po menaxhon në mënyrë optimale prurjet e reshjeve duke ngarkuar në maksimumin e mundshëm agregatët disponibël në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Për të minimizuar efektin e prurjeve të larta në zonën e ultësirës së nën-Shkodrës, agregatët në HEC Fierzë po vihen në punë vetëm në oraret e pikut.

KESH njofton se po monitoron në çdo moment situatën hidroenergjetike, duke garantuar se situata është nën kontroll dhe shkarkimet do të bëhen vetëm kur janë të domosdoshme, bazuar në Rregulloren e Trajtimit të Plotave, për të mbajtur nivelet në kuotat e lejuara.