Ekspertët Lleshi dhe Kume: Çështja “Tahiri” po e vë në pikëpyetje Reformën Zgjedhore

642
“Sa herë që del një çështje e ngjashme me aktualen, partitë politike tërhiqen duke lënë pas dore reforma të rëndësishme. Nuk ka vullnet” 
Një pikëpyetje e madhe është ngritur ditët e fundit lidhur me vazhdimësinë e Reformës Zgjedhore dhe përfundimin e saj brenda afatit gjashtëmujor që duhet të funksionojë komisioni. Ky i fundit është ngritur në datë 5 tetor. Por ndërsa po afrohet muaji, nuk është mbledhur asnjëherë. Tashmë që në klanin politik shpërtheu skandali Tahiri, dy partitë kryesore pothuaj nuk e kanë përmendur fare këtë problematik të shtruar ndër vite dhe për të cilën kanë rënë dakord edhe në marrëveshjen e 18 majit dy liderët kryesor të majtë dhe të djathtë. Për ekspertët e sistemit zgjedhor, Lefterie Lleshi dhe Kristaq Kume, kjo situatë realisht nuk duhet të ndikojë, por ashtu sikundër ndodh shpesh në sferën politike, gjithçka bëhet në kundërshtim me atë që është rënë më parë dakord, edhe pse kanë firmosur të dyja palët. Lleshi dhe Kume shprehen se të dyja palët kanë kërkuar të realizohet sa më parë kjo reformë, por në këto kushte duket se ajo do të zvarritet. Lleshi shprehet se edhe reforma zgjedhore duhet të nis sa më shpejt ashtu sikundër ka nisur ajo për sistemin e drejtësisë. 
Sa ndikon kjo situatë në nisjen e punës për Reformën Zgjedhore? A do të munden partitë politike në mes të këtij debati të krijuar mes tyre pas skandalit “Tahiri” të ulen dhe të punojnë për kryerjen e reformës? A do të kapen afatet? 
Lefterie Lleshi, ish-kryetare e KQZ
Unë nuk do t’i lidhja gjërat që kanë ndodhur në këto momente, me reformën. Kam besim se ato janë të ndara. Megjithatë të shohim se si do të ecin. Këtë gjë e kanë forcat politike në dorë dhe të shohim si do të veprojnë. Ajo se çfarë do të bëhet në vazhdim mbetet të shihet në mbledhjen e radhës. Po kështu nuk besoj se opozita do të pengoj këtë reformë, pasi është opozita ajo që e kërkon më shumë që të bëhet Reforma Zgjedhore. Është ajo që e ka kërkuar me forcë ndryshimin zgjedhor. Unë nuk besoj se do ta pengoj, nuk e mendoj kështu. Reforma është në vijim e sipër. 
Reforma do zgjas shumë dhe kjo jo për shkak të kësaj situate por për shkak se partitë politike janë mësuar ta zvarrisin. Gjithmonë janë ngritur komisione pranë parlamentit dhe kanë qenë partitë ato që e kanë shtyrë afatin dhe asnjëherë nuk kanë arritur të bëjnë në kohën e duhur ndryshimet ligjore. Ndryshimet dhe ngritja e komisioneve është në kohën e duhur, por puna duhet të kishte filluar. Ky është proces që partitë politike e kanë bërë rutinë që nuk merren menjëherë me Kodin Zgjedhor, por kur afrohen zgjedhjet e radhës nisin të bëjnë sikur punojnë dhe më pas nisin debatet. Unë shpresojë që këtë radhë të jetë ndryshe por gjithsesi nuk jam shumë optimiste. Për zgjedhjet vendore them se nuk do të jetë gati. Megjithatë duhet të shihet struktura. Nëse komisioni do të merret me zgjedhësit jashtë vendit nuk mendoj se do të bëhet e mundur, por në zgjedhjet e radhës parlamentare teknikisht them se mundësohet. Të shohim se sa do ta prekin Kodin Zgjedhor. Nëse do e prekin në gjëra të vogla do mbarojnë shpejt dhe nëse do të ndërhyjnë në gjëra më të mëdha, atëherë do të duhet shumë kohë. Pas ngritjes komisioni duhet të dalë me një program të përcaktuar qartë dhe më pas të vazhdojë punën. 
Kristaq Kume: Ish-kryetar i KQZ
Vetë pyetja ka brenda shqetësimin. Situata është e përsëritur në mënyrë të vazhdueshme. Jo më larg sesa dy vjet më parë ndodhi po e njëjta gjë, vetëm u mor vendimi për krijimin e komisionit një vit e ca para zgjedhjeve dhe rezultati ishte zero. Për mendimin tim kjo është një situatë e cila nëse i referohemi asaj ç’ka kërkohet të bëhet dhe është deklaruar se do të bëhej për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor , kërkon të domosdoshme trajtimin në kohë dhe me seriozitet. Në asnjë rast nuk mund të justifikohet klasa politike, Kuvendi i Shqipërisë me çështje, probleme me të cilat ndeshët mjedisi shqiptar në mënyrë të vazhdueshme dhe i përdorin këto si alibi për të mos u angazhuar në punën që duhet të bëjë në kuadër të ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor. Jeta politike është shumë dinamike, gjithmonë ajo prodhon ngjarje, por kjo nuk do të thotë që klasa politike të merret vetëm me ngjarjet e jetës politike dhe të anashkalojë detyra ,që i ka marrë përsipër dhe që domosdoshmërish duhen bërë siç është problemi i Reformës Zgjedhore. Janë shumë më tepër të shqetësuar aktorët jashtë Kuvendit për realizimin e kësaj reforme, dhe këtu kam parasysh aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile, institucionet ndërkombëtare, vëzhguesit e OSBE/ODIHR. Janë shumë më tepër këta të angazhuar sesa ata që realisht e kanë këtë detyrë për ta bërë. Populli thotë “ dielli duket që në mëngjes”. Të shpresojmë që kjo fjalë e urtë të mos arrijë të bëhet realitet edhe kësaj radhe. Kuvendi është për t’i bërë të gjitha gjërat dhe në kohë. Nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë me këtë problem, duke thënë të zgjidhim njëherë këtë. Kjo, është për mua sjelle e qëllimshme, për ta zvarritur deri në fund, deri atje sa për të mos e bërë fare, sepse në fund të fundit bëhet apo nuk bëhet, zgjedhjet do bëhen. Nuk mund të justifikohet se ka më tepër kohë se radhët e fundit. Ka katër vjet deri në zgjedhjet e ardhshme, por nuk mund të justifikohen me këtë. Sepse ajo çfarë është deklaruar dhe çka dëshirohet dhe kërkohet të bëhet në kuadër të kësaj reforme nuk duhet të kufizohet deri në nivele kozmetike që mund të bëhen në ligjin zgjedhor. Duhet që ndryshimet në thelb të bëhen, në mënyrën sesi vota e shqiptarëve të kthehet në vota në parlament, në mënyrën sesi administrohet kjo votë dhe mundësinë që kanë shqiptarët për të votuar në kufizimet e domosdoshme që duhet t’i bëhen ndërhyrjeve në sistemin zgjedhor, të parave të pista, ato pare që po i zënë frymën këtij vendi. Por kjo kërkon punë. Ky duhet të zhvillohet si një proces i gjatë në kohë dhe si rezultat i diskutimeve të shtrira në kohë dhe në grupet e interesit. S’mund të bëhet dhe nuk ka vlerë të bëhet një reformë për të thënë vetëm se u zbatohen udhëzimet e vëzhguesve. Duhet më tepër sesa kaq kësaj radhe. Por të gjitha këto mbeten në dëshira, sepse nëse mungon vullneti i partive kryesore politike në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të realizohen. 
Sigal