Ekipi i Presidentit në Shkodër, Meta telefonon Ademin. Ja çfarë biseduan

774
Presidenti i Republikës, Ilir Meta është duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën e vështirë të përmbytjeve të krijuar si pasojë e motit të keq, veçanërisht në Qarkun e Shkodrës.
Kreu i shtetit dërgoi dje në mbrëmje në këto zona një ekip të Kabinetit të tij të përbërë nga Këshilltari për Mbrojtjen, Gjeneral Brigade Piro Ahmetaj dhe ai për Çështjet Ligjore, Arbër Bashkurti.
Ekipi i dërguar nga Presidenti Meta u takua me Prefektin e Qarkut të Shkodrës, Çesk Millja, kryebashkiaken Voltana Ademi, kreun e Emergjencave Civile, Shemsi Prençi si edhe trupa të Forcave të Armatosura të angazhuar në terren për kryetarë të komunave të zonave të përmbytura.
“Në emër të Presidentit Meta, ju përcjellim të gjithë solidaritetin njerëzor dhe institucional në përballimin e kësaj situate të rëndë duke apeluar angazhim maksimal për sigurën e jetës dhe të pronës”, – u shprehën këshilltarët e Metës.
Ata panë nga afër situatën problematike që ka krijuar moti i keq në Qarkun e Shkodrës, ku sipas të dhënave paraprake raportohet se rreth 3700 ha tokë është e përmbytur, kryesisht në zonat Dajç dhe Ana e Malit.
Nderkohe, vetë Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me kryetaren e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi dhe Prefektin e Qarkut të Shkodrës për t’u informuar në detaje lidhur me situatën e vështirë të përmbytjeve të krijuar si pasojë e motit të keq.
Presidenti Meta iu përcolli të gjithë solidaritetin njerëzor dhe institucional në përballimin e kësaj situate të rëndë duke apeluar angazhim maksimal për sigurinë e jetës dhe të pronës.
Sigal