Eglantina Gjermeni: Miratohen planet e përgjithshme për 11 bashki, ja mundësitë që iu ofrohen

779
Qeveria hap thesin para fushatës elektorale
Në Këshillin Kombëtar të Territorit miratuam sot planet e përgjithshme vendore për 11 bashki. Lajmi i mirë për qytetarët e të 11 bashkive, Krujë, Kukës, Gjirokastër, Urë Vajgurore, Skrapar, Poliçan, Cërrik, Librazhd, Kurbin, Divjakë dhe Korçë është se, miratimi i planeve u ofron mundësinë e të jetuarit në territore, zhvillimi i të cilave nuk do të udhëhiqet më nga dëshira e një individi, por nga një vizion zhvillimi. Ndaj dhe ne, prej fillimit të punës tonë ndoqëm një proces model të bashkëveprimit dhe komunikimit me qytetarët dhe grupet e interesit në të gjitha këto bashki, duke i bërë pjesë të kësaj pune një vjeçare. Është një angazhim i mbajtur i kësaj qeverie që, përtej ofrimit të mbështetjes teknike dhe financiare për këto bashki në hartimin e planeve vendore, të krijonim edhe një platformë komunikimi me qytetarët dhe grupet e interesit, duke i bërë pjesë të vendimmarrjes për zhvillimin e bashkisë ku jetojnë. Vlen të theksohet se zhvillimi i territorit nuk udhëhiqet më nga mendësia e “zapto një sipërfaqe tokë e ndërto çfarë të duash e si të duash”, por nga instrumente planifikimi që shërbejnë si udhërrëfyes të zhvillimit urban, investimeve dhe ndërtimit. Falë këtyre instrumenteve të rëndësishëm, që përcaktojnë vizionin dhe rregullat për një zhvillim të qëndrueshëm të territorit të këtyre bashkive, në respektim dhe mbrojtje të tokës, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, ne sigurojmë qëndrueshmëri dhe rritje të vlerës së investimit për qytetarët dhe sipërmarrësit. Janë 16 bashki (nga të cilat 5 bashki Lushnjë, Berat, Kuçovë, Elbasan dhe Fier të mbështetura nga Programi i USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore) që kanë tashmë plane vendore. Në 15 bashki të tjera ky proces është drejt finalizimit dhe dorëzimit të planeve për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit. Ndërkohë që brenda këtij viti, numri total i bashkive që do të kenë të hartuar dhe miratuar planet e përgjithshme vendore do të jetë 43 nga 61 bashki (për vitin 2017 me buxhetin e shtetit do të mbështeten 7 bashki Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Gramsh, Belsh, Pukë dhe Mirditë, ndërsa nga Programi i qeverisë Zvicerane për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal po mbështeten 5 bashki në veri të vendit Tropojë, Malësi e Madhe, Mat, Klos dhe Vau i Dejës). Sigurisht që puna për hartimin e planeve të përgjithshme vendore nuk është kontribut i dhënë nga një ministri apo nga një institucion, por është produkt i një bashkëpunim të vazhdueshëm me stafet e bashkive, ekspertë të planifikimit vendas dhe të huaj, donatorë dhe organizata ndërkombëtare. Vizioni ynë qoftë në kuadër të planifikimit në nivel kombëtar por edhe vendor nuk është për të shfrytëzuar maksimalisht burimet që ka vendi sot për sot, por për t’i vendosur ato në shërbim të rritjes së ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i ruajtur si asete të vyera të trashëgimisë tonë. Kjo punë e nisur është vetëm fillimi i mbarë i një procesi të vazhdueshëm që në fakt simbolizon fundin e dy dekadave tranzicion, sa i përket zhvillimit të territorit. Mbas reformës administrative territoriale që është alfa për mirë administrimin e territorit, hartimi i instrumenteve vendorë të planifikimit është çelësi që garanton zhvillim të integruar, mirë planifikim në administrimin e tokës dhe burimeve, e mbi të gjitha kohezion social dhe rritje ekonomike. Ky rezultat në fakt, brenda një mandati qeverisës është një arritje shumë pozitive, e cila do i vijë në ndihmë këtyre bashkive për të punuar me një qasje tërësisht të re e të rregulluar për administrimin dhe zhvillimin e territorit. I gjithë procesi është monitoruar dhe asistuar rigorozisht nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që ka përballuar një volum të madh pune në një kohë të shkurtër. Për të mbërritur deri këtu procesi ka qenë tejet kompleks, edhe për faktin se një proces në të tilla përmasa ndodh përherë të parë, por edhe për shkak të zhvillimeve kaotike dhe të pakontrolluara urbane në territor. Dua të falënderoj bashkitë dhe studiot që kanë punuar me ne për finalizimin e këtij procesi me sukses. Më duhet të ritheksoj edhe njëherë mesazhin për bashkitë që të jenë shumë të kujdesshme dhe të respektojnë me përgjegjshmëri zbatimin e planeve, të cilat i kanë hartuar vetë. Sfida që kemi përpara tani fill pas miratimit, do të jetë monitorimi dhe nxitja për zbatimin e këtyre instrumenteve, për të garantuar që zhvillimi urban, ekonomik dhe social, të jetë sa më i qëndrueshëm. Mbetem besimplotë se frytet e këtij procesi dhe zbatimi i planeve vendore, do të sjellë impakt shumë të prekshëm për qytetarët dhe grupet e biznesit, si dhe padyshim do të lehtësojë bashkitë për të operuar normalisht me procedurat e lejeve të zhvillimit, mbështetur në instrumente planifikimi të ligjëruara.
INFORMACION MBI PPV-të PËR 11 BASHKITË
MBLEDHJA E KKT dt. 08.02.2017
1.KURBIN (UTS-01)
Bashkia Kurbin është pjesë e Projekteve strategjike, të propozuara nga PPK, dhe Korridoret energjetike në kontekstin ballkanik dhe më gjerë.
Duke iu referuar objektivave kryesore; (1) ndërthurjen e turizmit detar kulturor dhe bujqësor, (2) minimizimin e rrezikut natyror, si dhe (3) krijimin e një poli bujqësor rajonal, plani i bashkisë Kurbin propozon politika për promovim potencialesh turistike; nxitje të vlerave bujqësore; masa konkrete për mbrojtjen nga rreziqet natyrore; si dhe aksesim të vlerave natyrore, kulturore, përmes infrastrukturës me impakt të ulët në mjedis.
Përcaktimi i territorit të kësaj PPV-je, sipas pesë sistemeve bazë: (1) sistemi urban, me objektiv kryesor rritjen inteligjente, përcakton Qendrat primare, në zonat e banuara me popullsi të stabilizuar dhe shërbime bazike të karakterit infrastrukturor, si elementë të hierarkisë lokale dhe Qendrat e specializuara, që do të zhvillohen në përputhje me potencialet e tyre dhe karakteristikat specifike të karakterit ekonomik; (2) sistemi natyror, targeti për 2030 do të synojë shtimin e sipërfaqes së zonave të mbrojtura 20 % për tokën dhe 12-15 % të sipërfaqes ujore; (3) sistemi bujqësor, me objektivin efiçencën për një sektor bujqësor konkurrues; (4) sistemi ujor; si dhe (5) sistemi infrastrukturor, si objektiv integrimi hapësinor, rritja e aksesueshmërisë së vendit dhe shpërndarje e balancuar të flukseve.
I. KRUJË (UTS-01)
Kruja dhe Fushë Kruja hyjnë në grupin e qendrave dytësore urbane, duke u karakterizuar nga tipare zhvillimi ekonomik të specializuar. Kruja me karakter ekonomik të lidhur kryesisht me turizmin historik dhe natyror, ndërsa Fushë Kruja me zhvillimin e logjistikës.
PPV propozon objektivat për; (1) qendër turistike kombëtare, (2) turizëm të alternuar gjithëvjetor, historik-kulturor, eko, malor, kulinar, (3) mbrojtje të mjedisit, (4) qendër logjistike, si dhe (5) zhvillim të bujqësisë, nëpërmjet politikave për forcim të mobilitetit dhe logjistikës; promovimit të potencialeve turistike; nxitjes së vlerave bujqësore; aksesimit të vlerave natyrore, kulturore përmes infrastrukturës me impakt të ulët në mjedis, si dhe masa konkrete për mbrojtjen nga rreziqet natyrore.
II. KUKËS (PANGEA, A&I DESIGN)
Vizioni për bashkinë Kukës kërkon të promovojë një zhvillim të integruar territorial, që mbështet zhvillimin ekonomik të bazuar në shfrytëzimin e qëndrueshëm të potencialeve territoriale, të tilla si: burimet hidro-energjetike, trashëgimia kulturore dhe natyrore, depozitat minerare, pozicioni ndërkufitar strategjik për të përmirësuar cilësinë e jetës me qasje në rritjen dhe më të mirë të shërbimeve, si për qytetarët ashtu dhe për vizitorët.
Kjo vijon me përcaktimin e katër objektivave kryesore: (1) një cilësi më e mirë banimi në territorin e Kukësit – kjo linjë e ndërhyrjes referohet në mënyrë të veçantë ne Sistemin Urban dhe Strategjinë e Vendbanimeve, me fokus zhvillimin policentrik të bazuar në forcimin e hierarkisë së sistemeve urbane; (2) aksesi më i mirë në zonën e brendshme të Kukësit dhe vlerësimi i lidhjeve ndër-rajonale dhe ndërkufitare, e lidhur me infrastrukturën e zonës; (3) shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve mjedisore, si në aspektin e turizmit, ashtu dhe të energjisë dhe minierave, si edhe (4) vlerësimi i zinxhirit të prodhimit vendor bazuar në sektorin e bujqësisë dhe zejtarisë.
III. DIVJAKË (ATELIER 4, IP3)
Vizioni i planit vendor e orienton zhvillimin e ardhshëm të bashkisë Divjakë sipas 5 shtyllave bazë: (1) traditë dhe trashëgimi – ku vizioni polivalent orienton zhvillimin e ardhshëm bazuar në potencialet njerëzore të territoreve, në identitetin e secilit vendbanim në traditat, zakonet dhe marrëdhëniet historike midis vendbanimeve në një bashki, por dhe me bashkitë e territoret fqinje; (2) natyrë dhe ekologji – do të synojë ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve të njeriut me natyrën si një dualitet komplementar, duke konsideruar dhe nevojat e gjeneratave të ardhshme; (3) ekonomi dhe sociale – aktualisht i njohur si territor me ekonomi rurale, por njëkohësisht shtrirja pranë detit dikton një orientim të zhvillimeve të ardhshme drejt sektorit turistik; (4) projektim urban – harmonizimi i investimeve në ekonomi e turizëm me infrastrukturë, skema transporti, do të rrisë zonën e impaktit ekonomik të investimeve. Koordinimi dhe orientimi i zhvillimeve individuale private me investime në hapësira publike, objekte kulturore, arsimore e sociale do të rrisë cilësinë e jetës atraktivitetin e vendbanimeve dhe do jetë rregullator i lëvizjeve demografike; si edhe (5) promovim dhe marketing – të gjithanshëm e të ndërlidhur, si bazë e partneriteteve strategjike dhe e një rrjeti territorial e dixhital komunikimi.
IV. URA VAJGURORE (GAIA S.A.)
Bashkia Ura Vajgurore, e ndodhur mes qendrave të rëndësishme urbane si Fieri, Elbasani e Berati, do të funksionojë si një Bashki me karakter bujqësor modern e konkurrues, me prodhime e produkte, duke respektuar mjedisin dhe mbrojtur burimet natyrore, bazuar në pozicionin kyç lidhës e kalimtar të bashkisë, logoja e saj mund të jetë “Ne jemi URA”.
Arritja e vizionit të planit mbështetet në katër qëllime strategjike, të cilat synojnë zhvillimin e zonës gjatë viteve të ardhshëm: (1) zhvillim i qëndrueshëm ekonomik – qëndrueshmëria e mëtejshme e zhvillimit ekonomik të zonës do të mbështetet në një model vlerësimi të prioriteteve krahasuese të Bashkisë në tre sektorët e prodhimit, në ekuilibër dhe sinergji me Bashkitë fqinje; (2) promovim i veprave dhe veprimeve të zhvillimit bujqësor – veprat e propozuara dhe veprimet përkatëse të këtij qëllimi strategjik lidhen me çfarë mund të mbrojë e të inkurajojë prodhimin e produkteve bujqësore cilësore; (3) përmirësim i nivelit të jetësës së banorëve; (4) vlerësim i pozicionit kyç gjeografik të Bashkisë.
V. POLIÇAN (GAIA S.A.)
Bashkia Poliçan, e ndodhur në afërsi të zonës turistike dhe kulturore të Beratit, do të shërbejë si satelit plotësues agro-turistik, nëpërmjet menaxhimit të integruar dhe të qëndrueshëm të tokës bujqësore.
Plani i përgjithshëm vendor vjen me 3 objektiva strategjike: (1) forcimi i ekonomisë lokale dhe konkurrencës, nëpërmjet administrimit të plotë të hapësirës bujqësore me theks të veçantë forcimin e aktiviteteve bujqësore drejt prodhimit të produkteve cilësore, zbatimit të metodave mjedisore miqësore të prodhimit dhe stimulimit të sektorit dytësor, si dhe stimulimit të sipërmarrjes dhe sektorit terciar të prodhimit; (2) administrimi i qëndrueshëm i mjedisit dhe i burimeve – me fokus të veçantë administrimit rezultativ të ujit për ujitje dhe të tokës së kultivimeve, me vëmendje ndaj përballjes rezultative të rreziqeve natyrore; (3) zhvillimi i komuniteteve të qëndrueshme – synon përmirësimin e cilësisë së jetës dhe të mirëqënies së banorëve, kultivimit të bashkëpunimit dhe të solidaritetit të enteve prodhuese dhe qytetarëve të tjerë ndërmjet tyre, me qëllimin e ekzistencës së zhvillimit ekonomik në zonë, por edhe të promovimit të veprave të nevojshme të infrastrukturës dhe shërbimeve sociale.
VI. SKRAPAR (GAIA S.A.)
Bashkia Skrapar, me mjediset e pasura e me shumë vlera natyrore, do të shërbejë si një qendër malore për zhvillimet e shërbimeve inovative e të qëndrueshme në lidhje me bujqësinë dhe blegtorinë, me mbështetje tek objektet e vogla industriale, të cilat do të furnizohen me produkte vendase dhe forma të tjera të turizmit malor. 
Vizioni për Bashkinë Skrapar vijon me 4 objektiva strategjike: (1) rigjenerimi ekonomik i zonës; (2) mbrojtja dhe administrimi i qëndrueshëm i mjedisit natyror; (3) zhvillim i infrastrukturave teknike; si edhe (4) zhvillimi i komuniteteve të qëndrueshme, ku përfshin ndërtime infrastrukture dhe objektesh publike, forcim i zonës së gjelbër urbane, ndërhyrje në restaurimin e ndërtesave, të cilat janë monumente kulture, nxitje të përdorimit të energjive alternative, si edhe ngritje e kapacitetit për futjen e teknologjisë e-qeverisje. 
VII. GJIROKASTËR (GAIA S.A.)
Bashkia Gjirokastër, si porta jugore e Shqipërisë, do të shërbejë si pol turistik për të gjithë rajonin, nxitur nga traditat e pasura dhe trashëgimisë së shumëllojshme kulturore dhe nga afërsia me zonat bregdetare turistike të zhvilluara. 
Për të përmbushur vizionin për Bashkinë e Gjirokastrës janë zhvilluar 5 objektiva strategjike: (1) forcimi i pozicionit kyç të Bashkisë, për t’u bërë porta jugore e vendit dhe nyje për bashkëpunimin ndërkufitar; (2) mbrojtja dhe promovimi i mjedisit kulturor të Bashkisë dhe të trashëgimisë kulturore, duke krijuar edhe rrjetëzimin – bashkëpunimin në nivel turistik, kulturor dhe tregtar të Bashkisë me Bashkitë fqinje dhe me biznese; (3) rigjenerimi ekonomik i zonës, në tregje të Jugut të Shqipërisë dhe në Greqinë Veriore apo shtetet e tjera fqinje; (4) mbrojtje dhe menaxhim i qëndrueshëm i mjedisit natyror, përpos promovimit të zonave me vlera ekologjike, janë menduar dhe krijimi i strukturave të vëzhgimit apo lëvizjes në natyrë, ndër të tjera edhe kultivimi i tokave bujqësorë, duke siguruar edhe mbrojtjen e erozioni dhe përmbytjet; si edhe (5) përmirësimi i cilësisë së jetës së banorëve, përmes kompletimit të infrastrukturës teknike dhe krijimit të një niveli të lartë të infrastrukturës sociale.
VIII. LIBRAZHD (A&E ENGINEERING, COOPROGETTI)
Bashkia Librazhd, është e pozicionuar në korridoret më të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, me historinë e tij, bukuritë natyrore, biodiversitetin e rrallë e të larmishëm, vlerat etnografike dhe folklorike, mikpritjen, qetësinë dhe ajrin e pastër. 
Nëpërmjet hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor synohet që Bashkia Librazhd të jetë vendi i mundësive të shumta për zhvillimin ekonomik dhe turistik duke u mbështetur sipas elementëve: (1) aksesi dhe lidhja shumë e mirë me rrjetin kombëtar dhe korridoret më të rëndësishme ndërkombëtare; (2) toka bujqësore, do të trajtohet si resurs primar për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, për rritjen e punësimit në këtë sektor dhe rritjen e mirëqenies; (3) pikë stacionimi historike; (4) ekzistenca e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë; (5) traditat kulturore – historike; si edhe në (6) potencialet që ofron Bashkia për popullsinë vendase.
IX. CËRRIK (A&E ENGINEERING, COOPROGETTI)
Bashkia Cërrik ka një pozicion strategjik në rajon, për këtë arsye synohet zhvillimi i infrastrukturës në mënyrë që kjo bashki të kthehet nga regresive në një bashki progresive, përmes zhvillimit të industrisë, nxjerrjes në pah e vlerave historike, natyrore dhe turistike, përmirësimit të infrastrukturave sociale, dhënies së përparësisë të sektorit e bujqësoirë dhe atij turistik. 
PPV është i ndarë në 3 objektiva kryesore: (1) zhvillimi social ekonomik dhe i infrastrukturës, ka për qëllim që të vërë në qendër zhvillimin social-ekonomik të territorit, duke e integruar me një zhvillim dhe fuqizim të infrastrukturave të ndryshme të rrjeteve teknologjike, si parakusht për një zhvillim të integruar dhe të qëndrueshëm të territorit; (2) organizimi hapësinor i bashkisë dhe rikualifikimi i imazhit urban; si dhe (3) cilësia mjedisore dhe mbrojtja e territorit.
X. KORÇË (BOLLES + WILSON, IDRA SHPK)
Zhvillimi i territorit të bashkisë Korçë, si qendër rajonale me rendësi kombëtare, me një ekonomi konkurruese, sipërmarrje dinamike, bujqësi e turizëm të zhvilluar do të orientohet përmes pesë dimensione zhvillimi, të cilat kanë për synim udhëheqjen dhe monitorimin e përparimit të objektivave strategjike të zhvillimit, programeve dhe projekteve të zhvillimit në drejtimin: (1) formës urbane, duke përmirësuar proceset planifikuese dhe menaxhuese, Korça do të ketë një formë urbane, që i përshtatet objektivave ambicioze dhe mbështet zhvillimin në tërësi; (2) infrastrukturës, me vizion në infrastrukturë publike që rrit mundësinë e zhvillimit të bizneseve dhe komuniteteve, duke u shoqëruar me rritjen e mobilitetit për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në mënyrë të “zgjuar” dhe efiçente; (3) jetesës në komunitet, përmirësimi i cilësisë së jetës së banorëve përmes ofrimit të shërbimeve publike të nivelit të lartë, duke i dhënë prioritet arsimit cilësor dhe ekonomikisht të përballueshëm, për një komunitet kulturalisht të pasur dhe fuqi punëtore më të kualifikuar; (4) zhvillimit ekonomik dhe inovacionit, qendër rajonale me një ekonomi konkurruese, sipërmarrje dinamike, bujqësi të zhvilluar, turizëm shumëdimensional, e fokusuar tek inovacioni dhe duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për mjedisin; (5) mjedisi natyror, duke implementuar standardet teknike e ligjore për trajtimin e ekosistemeve dhe ruajtjen e biodiversitetit, duke siguruar kushtet e nevojshme për zhvillimin urban.
Sigal