Efektet e sistemit në rezultatin e zgjedhjeve

500
Herald KOSTA
Pyetja që çdo vëzhgues i politikës i bën vetes është rreth arsyeve që shtynë drejt kësaj fitoreje njëngjyrëshe të PS. Kjo është një fushë e gjerë, ku mund të spekulohet… Sidoqoftë, shkaqet elektorale, formimi apo mungesa e koalicioneve të caktuara apo edhe kodi elektoral, kanë mbetur ende të paanalizuara.

Zgjedhjet e 25 qershorit nxorën pas 8 vitesh mungesë një shumicë njëngjyrëshe. Jo në mënyrë të rastësishme, kjo mungesë tetëvjeçare përkon me ndryshimin e sistemit elektoral nga miks në proporcional në rang qarku, në kuadrin e ndryshimeve të mëdha kushtetuese të vitit 2008.

Kjo formulë, megjithëse u ideua për të shmangur fragmentarizimin politik — në njëfarë mënyre për të përqendruar pushtetin te dy partitë kryesore e te dy liderët përkatës — në mënyrë të pavullnetshme nga “krijuesit e tij”, forcoi sistemin tripolar në politikën shqiptare. Pra, megjithëse eliminoi pothuaj plotësisht parti të vogla si PSD, PR, PDS, apo PBDNJ, pati një efekt të kundërt për parti si PDIU e sidomos LSI, të cilat u bënë aktore të dorës së parë në politikën shqiptare. Për të qenë 100% të saktë, korrelacioni nuk nënkupton domosdoshmërisht shkak, dhe mundet që LSI apo PDIU të rriteshin po njësoj – madje dhe më shumë pa ndryshimin e sistemit elektoral, por duke qenë se ky nuk është një artikull shkencor, po e marr si të vërtetë “nuhatjen” time në këtë pikë.

Pyetja që çdo vëzhgues i politikës i bën vetes është, rreth arsyeve që shtynë drejt kësaj fitoreje njëngjyrëshe të PS. Kjo është një fushë e gjerë, ku mund të spekulohet dhe është arsyetuar këto kohë. Mes shkaqeve janë përmendur; cilësia e fushatës, e kandidatëve, sukseset dhe dështimet e qeverisjes apo dhe burimet e jashtëligjshme. Sidoqoftë, shkaqet elektorale, formimi apo mungesa e koalicioneve të caktuara si dhe kodi elektoral, kanë mbetur ende të pa analizuara. Ky artikull kërkon ta kalojë këtë boshllëk, duke simuluar skenarë me të tjerë koalicione dhe formula elektorale.

Koalicione të mundshme parazgjedhore
Marrëveshja e 18 majit midis Bashës dhe Ramës, ndër të tjera, i hoqi mundësinë partive politike të konkurronin në koalicione. Për shumë vetë, ky ishte një autogol i Bashës dhe fitorja e thellë e PS, duket se e mbështet këtë arsyetim. Për të vlerësuar këtë tezë, kam analizuar katër mundësi rreshtimesh të koalicioneve dhe kam simuluar, me votat e 25 qershorit, këto katër skenarë sesi do të përktheheshin në mandate të mundshme, për të parë, se kush dhe sa përfitoi nga marrëveshja e 18 majit.

Koalicione si të 2015
Mundësia e parë (në mungesë të 18 majit) është që partitë politike të respektonin marrëveshjet e zgjedhjeve të fundit. Forcat qeverisëse do të hynin me një superkoalicion, i cili do të përfshinte PS, LSI, PDIU dhe forca më të vogla si ADK, AD, FRD, PDS, AAK dhe PKSH. Nga ana tjetër, PD do të hynte në koalicion e vetme me PR. Si përkujtesë, koalicionet e vitit 2015 ishin më të mëdha në terma numerikë, por shumë parti të vogla vendosën të mos kandidonin apo t’iu bashkëngjiteshin dy partive të mëdha. Në këtë skenar, nuk kam klasifikuar në ndonjë koalicion, partitë e reja, si SFIDA apo LIBRA, apo partitë që në 2015 nuk iu bashkëngjitën një koalicioni, si PSD e Gjinushit.
Në këtë rast, koalicioni qeveritar do të merrte 99 mandate, të ndara mes 72 të PS (-2 në krahasim me rezultatin real të 2017), 21 të LSI (+2) dhe 6 të PDIU (+3). Nga ana tjetër koalicioni opozitar do të kapte vetëm 40 mandate, të gjitha të PD (-3). Mandati i 140 do t’i shkonte PSD (po aq sa në rezultatin zyrtar) apo më saktë Tom Doshit. Pra, në këtë rast historia do të ndryshonte pak. LSI dhe PDIU do të përfitonin një rritje në mandate në kurriz të PS dhe PD, por pa arritur ta cenonin objektivin e 71 mandateve të PS.

Poli i tretë
Një tjetër mundësi rreshtimi mund të kishte qenë ai i tre koalicioneve. Pra LSI, PDIU dhe LIBRA do të formonin një pol të tretë të mirëfilltë, ndërsa dy polet e tjera do të përfshinin respektivisht, PD + PR dhe PS + ADK, AD, FRD, PDS, AAK, PKSH dhe PSD. Në rast të një prishje Rama-Meta dhe mundësi për të rishikuar koalicionet, mendoj që Gjinushi dhe Doshi do t’i bashkoheshin Ramës, ndaj kam përfshirë PSD në koalicionin e PS. Duke parë qëndrimin e Blushit, i cili gjithmonë ka qenë pro një koalicioni të gjerë anti-Rama, kam përfshirë LIBRA-n në polin e tretë. I kundërt ka qenë qëndrimi i Bojaxhiut përkundrejt mundësisë së një koalicioni të tillë, ndaj SFIDA nuk është listuar si pjesë e polit të tretë.

Ky skenar do të prodhonte një koalicion fitues me 73 mandate, ku PS dhe PSD do të mbanin respektivisht 71 (-3) dhe 2 (+1) vende në parlament. PD do të kishte 41 karrige (-2), ndërsa poli i tretë do të mbante 26 të tilla: 20 LSI (+1), 5 PDIU (+2) dhe me LIBRAN që do të arrinte të shkëpuste një mandat në Tiranë, duke qenë se pragu elektoral s’do të përbënte më një pengesë. Edhe në këtë rast, formimi i koalicioneve do të ndryshonte pak situatën, për sa i përket formimit të shumicës së thjeshtë.

Bashkimi Basha-Meta
Një tjetër mundësi që u përfol jo pak gjatë kohës së “çadrës”, ishte ajo e rikthimit të koalicionit paszgjedhor të 2009, mes PD dhe LSI. Në këtë simulim i kam bashkuar këtij koalicioni PR dhe LIBRA-n, duke parë së Blushi ishte gati të bashkonte votat që para zgjedhjeve për të hedhur Ramën. Nga krahu tjetër, hipoteza është që PS do të ruante koalicionin me PDIU dhe PSD, përveç partive të vogla të përshkruara dhe në dy rastet e mësipërme.
Votat e marra në këtë rast do të përktheheshin në 79 mandate për koalicionin e PS, ku 71 do t’i merrnin socialistët (-3), 6 PDIU (+3) dhe 2 PSD (+1), dhe 61 për krahun e PD-LSI: 40 PD (-3), 20 LSI (+1) dhe sërish një për LIBRA-n në Tiranë. Pra, dhe kthimi i koalicionit qeverisës të 2009-2013 nuk do të zhvendoste balancat e rezultatit të vitit 2017.

Të gjithë kundër Ramës
Mundësia e fundit që kam simuluar me votat e 2017 është ajo e një koalicioni të madh, PD + LSI + PDIU + LIBRA + PR kundër PS, e cila do të ruante vetëm aleatët e vegjël, të përmendur në hipotezat e mësipërme. Ky skenar do të kishte pak gjasa të realizohej, duke marrë parasysh që një koalicion Basha-Meta do të shoqërohej me një ofertë më të mirë nga Rama për Idrizin e PDIU. Sidoqoftë e kam studiuar si mundësi duke parë që marrëveshja e 18 majit, në njëfarë mënyre, u propozua nga Rama si përgjigje ndaj një sulmi nga të gjitha anët.
Në këtë rast, do të kishim një barazi totale midis koalicioneve 70 me 70, me partitë që do të merrnin përkatësisht numrin e mëposhtëm të deputetëve, 69 PS (-5), 1 PSD (-), 43 PD (-), 20 LSI (+1), 6 PDIU (+3) dhe 1 LIBRA (+1).

Efektet e marrëveshjes
Duke parë këto katër skenarë, mund të nxirren dy përfundime mbi efektet mekanike në shpërndarjen e mandateve që pati marrëveshja e 18 majit për të ndaluar koalicionet:
1) Ashtu si pritej, ky sistem elektoral favorizon partitë më të mëdha në mungesë të koalicioneve. LSI, PDIU, LIBRA dhe PSD do të përfitonin mandate nga koalicionet parazgjedhore në kurriz të dy partive të mëdha. Në terma absolutë, partia më e dëmtuar ishte PDIU, që në katër skenarët humbi mesatarisht 2.75 mandate nga mungesa e koalicioneve, ndërsa partia më e favorizuar ishte PS, e cila fitoi mesatarisht 3.25 mandate për skenar.
2) Marrëveshja luajti në favor të Ramës, por nuk ishte vendimtare në rezultat. Në tre nga katër opsionet e studiuara, PS mbajti e vetme mbi 70 mandate, duke e humbur shumicën vetëm në rastin e fundit. Sidoqoftë, ashtu si u tha më lart, kjo hipotezë do të ishte shumë e vështirë të realizohej, duke qenë se një marrëveshje Basha-Meta do të sillte më afër Ramën me Idrizin. Nga ana tjetër e medaljes, mund të thuhet se marrëveshja edhe pse nuk e ndihmoi Bashën, nuk ishte vendimtare në dështimin e PD-së.

Sisteme të ndryshme elektorale
Pjesa e dytë e analizës përqendrohet tek efekti i sistemit elektoral. Sistemi elektoral është formula që mundëson përkthimin e votave në mandate. Shqipëria ka një sistem elektoral proporcional në rang qarku të mbështetur në formulën D’Hondt. Në këtë pjesë do të konsideroj dy simulime me sisteme të ndryshme elektorale, sistemin e pastër proporcional-kombëtar, me dhe pa prag elektoral, dhe sistemin e pastër pluralist (first past the post). Sigurisht që ekziston një numër i madh sistemesh që nuk i kam përfshirë, siç janë sistemet mazhoritare, ata të votës alternative apo mikse. Këto lloj sistemesh mund të kërkojnë përkatësisht më shumë se një raund, shenjë apo votë, ndaj janë të pamundura për t’u simuluar me numrat që rrjedhin nga një sistem me një raund, një votë, dhe një shenjë në votë (në disa sisteme si ai i votës alternative, votuesit mund të rendisin kandidatët apo partitë nga më e pëlqyera te më pak e pëlqyera). Kjo lloj analize ka rëndësi, jo vetëm teorike, por deri diku dhe praktike duke parë që të dyja, PS dhe PD, janë shprehur në favor të ndryshimit të sistemit elektoral.

Proporcional-kombëtar
Një sistem proporcional-kombëtar, apo proporcional në shkallë vendi, kthen drejtpërdrejtë përqindjen e votave të një partie në përqindjen përkatëse të vendeve në parlament. Me aq sa di, çdo vend demokratik (apo çdo vend që zhvillon zgjedhje në botë) dhe që përdor një sistem elektoral proporcional, cakton një prag të caktuar elektoral (përqindje votash që një parti duhet të ketë për t’u përfaqësuar në organin legjislativ) për të shmangur përfaqësimin e partive ekstremiste dhe fragmentarizimin e tepërt të parlamentit, i cili mund të bëjë të pamundur qeverisjen.
Duke përdorur numrat e 2017 dhe një prag elektoral kombëtar prej 3% (aq sa është për partitë në Shqipëri, por në rang qarku), del që në një sistem të pastër proporcional në rang vendi, PS do të merrte 70 mandate (-4), PD 42 (-1), LSI 21 (+2) dhe PDIU 7 (+4). Megjithëse, si u tha më lart nuk ekziston vend me sistem proporcional pa prag elektoral (dhe të pakta janë ato vende që e kanë më të ulët se Shqipëria, përjashto Danimarkën dhe Holandën), për të studiuar shpërndarjen e votës kam simuluar dhe një sistem të tillë, i cili thotë se PS do të merrte vetëm 68 mandate (-6), PD 41 (-2), LSI 20 (+1), PDIU 7 (+4), LIBRA 2 (+2), PSD 1 (-) dhe FRD 1 (+1). Shifrat tregojnë qartë që heqja e pragut elektoral zvogëlon partitë e mëdha dhe rrit numrin e partive që përfaqësohen në parlament.

Pluralist- në rang bashkie dhe njësie administrative
Nga ana tjetër, sistemi pluralist është shumë i thjeshtë. Vendi ndahet në një (rasti i zgjedhjes së presidentit të SHBA) apo në shumë (zgjedhjet parlamentare në Britaninë e Madhe) njësi zgjedhore, dhe secila nga këto njësi zgjedh vetëm një përfaqësues, atë me numrin më të madh të votave. Në këtë pikë simulimi i votave të 2017 në një sistem pluralist është problematik pasi Shqipëria, pas ndryshimeve te vitit 2008, nuk ka më zona të tilla. Për këtë arsye, kam përdoruesi zona elektorale në njërin rast 61 bashkitë dhe në tjetrin 383 njësitë administrative. Kjo zgjedhje është arbitrare, në varësi të informacionit të disponueshëm, por pasqyron shkallën e përqendrimit të votave të secilës parti.
Në simulimin me 61 zona (61 bashki), PS do të fitonte 47 prej tyre, PD 9, LSI 7 dhe PDIU 4. Nëse këto 61 zona do të ktheheshin në 140 mandate — me një formulë të thjeshtë aritmetike numri i bashkive të secilës parti pjesëtohet me 61 dhe shumëzohet me 140 — PS do të kishte 108 mandate (+34), PD 21 (-22), LSI 7 (-12) dhe PDIU 4 (+1). Në rastin tjetër, me 383 njësi administrative të përkthyera në 140 mandate, PS do të fitonte po 108 vende ne parlament (+34), PD 20 (-23), LSI 5 (-14), PDIU 6 (+3) dhe PSD 1 (-).

Konkluzione
1)Rezultatet e mësipërme tregojnë që votat e PS kanë luhatje të mëdha ndërmjet zonave të ndryshme, pasi sa më shumë zvogëlohen zonat elektorale, nga proporcional në shkallë vendi në atë në shkallë qarku në pluralist, aq më shumë rriten vendet në parlament të kësaj partie. Nga ana tjetër, PD duket të ketë votat të shpërndara në mënyrë më të barabartë në të gjithë vendin, ndaj një sistem i mundshëm pluralist mund të ishte i dëmshëm për të ardhmen e kësaj partie. Për të qenë më i qartë, në një sistem pluralist, një parti mund të jetë parti e parë dhe pa qenë parti e parë në gjithë vendin, me kushtin që votat të jenë të përqendruara — mendoni rastin ekstrem ku një parti ka 51% të votave në 51% të zonave elektorale dhe asnjë votë në pjesën tjetër të vendit.
2) LSI duket të ketë një nivel të njëtrajtshëm votash në gjithë vendin, ndaj çdo sistem i mundshëm më afër pluralistit se proporcionalit do ta penalizonte në princip. Nga ana tjetër, PDIU-n, çdo sistem tjetër elektoral do ta ndihmonte më shumë se ekzistuesi — votat e PDIU-t duken të jenë të përqendruara në zona të vogla, por këto xhepa janë të shpërndara në mënyrë thuajse të barabartë në çdo qark, ndaj zonat elektorale në madhësinë e qarqeve ekzistuese e dëmtojnë këtë parti. Për sa i përket partive si PSD, LIBRA apo FRD, megjithëse sistemi i pastër proporcional i favorizon në mënyrë të natyrshëm partitë e vogla, një sistem i tillë do të kishte pak kuptim në momentin që këto parti nuk kalojnë dot pragun elektoral.

Limite të analizës
E gjithë analiza në këtë shkrim është mbështetur mbi një supozim kyç, i cili merr si të mirëqenë që ndryshimet në sistemin apo koalicionet elektorale nuk do të shoqërohen me ndryshime të votave për secilën parti. Efektet e formulave dhe koalicioneve elektorale në rezultat janë studiuar për herë të parë nga Maurice Duverger (1951) dhe më pas nga Andre Blais dhe Kenneth Carty (1991) — sigurisht këta nuk janë studiuesit e vetëm në këtë fushë, po pionierë në shumë aspekte të këtyre kërkimeve. Këta politologë dallojnë midis efekteve elektorale mekanike dhe atyre psikologjike.

Efektet mekanike janë ato të studiuara në këtë shkrim, sesi formula apo koalicione të ndryshme do të përkthenin në numra të ndryshëm vendesh në parlament një numër të pandryshueshëm votash. Efektet psikologjike mund të ndahen në efekte psikologjike të votuesve dhe partive. Për sa i përket të parit, votuesi i thjeshtë ndikohet në vendimin e tij nga perspektivat e secilës parti. E thënë në gjuhë popullore, pak vetëve i pëlqen apo kanë interes të jenë me humbësit. Për shembull, megjithëse sistemi pluralist duket i dëmshëm për PD, ky është një pohim që rrjedh vetëm nga llogaritja e efektit mekanik. Sidoqoftë, mund të ketë shumë votues të rinj që mund të duan të votojnë PD-në në rast të një ndryshimi sistemi, pasi mund të binden që kjo e fundit ka më shumë mundësi, mund të jenë më të lidhur me emra individësh që do të votojnë e të tjera. Një tjetër shembull logjik do të ishte që mungesa e koalicioneve në këtë sistem elektoral dëmtoi parti që kishin pak shanse të fitonin të vetme, si LSI. Partitë gjithashtu bëjnë llogaritë e tyre në varësi të sistemit dhe koalicioneve elektorale, dhe vendosin nëse është në interesin e tyre të futen në zgjedhje apo jo. Ky njihet si efekti psikologjik i partive, dhe në rastin e zgjedhjeve të 2017, shembulli më i mirë është vendimi i shumë partive të vogla pranë PS dhe PD për të mos kandiduar për të maksimizuar votat e këtyre të fundit.

Efektet psikologjike që vijnë si pasojë e ndryshimit të koalicioneve apo formulave elektoralë do të kishin një peshë të konsiderueshme për këtë analizë. Votuesit që do të ndryshonin zgjedhje në varësi të koalicioneve apo sistemit elektoral mund të ishin aq të shumtë sa mund të kthenin çdo gjë që thashë më lart në të pasaktë. Fatkeqësisht, këto efekte janë të pamatshme dhe tepër të ndërlikuara për t’u provuar të përafrohen në një shkrim jo shkencor si ky. Ndaj, e vetmja mbrojtje që mund të përdor është se efektet psikologjike, sidomos ato te votuesit, kryesisht formohen nga eksperienca te drejtpërdrejta dhe duan më shumë kohë se një palë zgjedhje për të vepruar në mënyrë tërësore — në gjuhë të thjeshtë, një pjesë e konsiderueshme e votuesve i kuptojnë efektet e ndryshimeve të sistemeve elektorale vetëm pasi kanë votuar të paktën një herë në atë sistem, ndaj mundet që në rast ndryshimi në 2021 efektet e parashikuara nga kjo analizë të jenë përafërsisht të sakta.
Marrë nga Reporter.al 
Sigal