Edval Nuri: Mjekësia shtetërore ka rënë në gjendje “Kome”

835
Sigal

Edval Nuri

 1- S’është për t’u vizituar në shtet ….!

Këtë ma tha gruaja, pas një sorollatje tre mujore vetëm për një analizë diabeti ! Kohë më parë bëri një analizë tek privati. Pas tri orëve mori përgjigjen. Meqenëse s’na i mbante xhepi, këtë radhë vendosi ta bëjë në shtet. Puna filloi tek mjeku i familjes. Ky e dërgoi tek specialisti, por pas disa javë se është me planifikim. Ai e rekomandoi për të bërë analizën , por dhe kjo kërkoi kohën e vet ! Nga shtatori në nëntor priti sa ti vinte radha. Pasi mori përgjigjen në 6 nëntor shkoi tek specialisti për të marrë trajtim. Ai nuk e pranoi se u dashka të vesh përsëri tek mjeku i familjes për të marrë rekomandim tjetër, edhe pse e kishte marrë një herë!

-Po pastaj ku do vete e pyeti gruaja?

-Do vish tek unë, por kur të jetë caktuar data Planifikimin” i dytë ishte në 4 Dhjetor! Ky muhabet me sorollatje tek njëri e tek tjetri për të marrë një recete shpesh me ilaçe jo cilësore në prag skadence është torturuese për çdo të sëmurë. Çmimi i metforminës për diabetin varion sipas dozës nga 150 e sipër! A ia vlen sorollatje disa mujore për kaq lekë?! Këto ece-jake do të bëhen në disa qendra shëndetësore! Nga Q.SH N.1 tek “Ura e Tabakëve”, tek “Iraniani” e disa të tjera tek”Nënë Tereza”. Sorollatja në disa javë e muaj për një analizë të sëmurin e jo të shërojnë! Pra që të marrësh një recetë, duhet të shkosh tri herë tek mjeku i familjes, dy herë tek specialisti e dy herë te laboratori. Shtatë dyer të trokitur, tre muaj të pritur për të marrë një recetë. Të sëmurët tek Q.SH.N.1 tek Ura e Tabakëve, duhet të ngjiten në 30 shkallë për të kontaktuar mjekun e familjes. E nga shtatori në dhjetor për të mbaruar punë do t’i ngjitësh disa herë këto shkallë, në dhoma 4-5 m2, që disa marrin dritë nga dhomat ngjitur! Kur e pashë gruan të mërzitur, i thashë se do të bëj një artikull për këtë trajtim skandaloz.

-Ata që i kanë nxjerrë këto rregulla i dinë, më tha.

-Edhe ne të sëmurët, që i heqim në kurriz i ndjejmë! -Atëherë kujt do t’ia thuash….?! Ka dhe më keq. Shoku im i fëmijërisë nga Berati ka katarakt në sy. U vizitua në Tiranë në nëntor 2019. Radha të vjen në 2021 i thanë. Tani po grumbullon lekët për t’u operuar tek privati. Një pensionist i nderuar që ka punuar 50 vjet pedagog më qante hall.

-Jam anemik. Analizat i bëra në një spital privat 20.000 lekë. Përdora ilaçet, por s’pata asnjë efekt, mbase ishin prodhim indian. Të njëjta ilaçe më dërgoi vajza nga Austria e kam përmirësim!

Një mjek me përvojë më tregonte:

-Ka raste që mjeku specialist i lagjes, nuk zbaton ato që ka rekomanduar mjeku i spitalit. Fjala vjen, mjeku endokrinolog i spitalit për diabetin i ka rekomanduar insulinën. Mjeku specialist i lagjes i jep përsëri kokrra duke i thënë, se e di unë këtë punë. I sëmuri bëhet më keq e shtrohet përsëri në spital. Mjeku kur je i sëmurë të duket si “Perëndi”. Edhe, nëse ti guxon e i thua: Doktor…..si kanë dalë analizat? Apo, si do të vejë… puna ime? Ai s’e ka mendjen aty, por bisedon në telefon e të thotë na recetën, mbaruam bashkë! Po dale, dok …se, unë…e kërkon të qash hallin! Ai s’të lë ta mbarosh fjalën, por të thotë, më presin të tjerët, largohu! Ka një mospërfillje të papranueshme! Sa mirë do të ishte që çdo mjek të zbatonte betimin e Hipokratit! Sa zemër do të merrte i sëmuri! Sa do t’i uronte, këta mjekë humanë! Kjo është situata, për të mos thënë më keq! Përfundimisht, shërbimi shëndetësor ka shumë probleme, në bazë e superstrukturë. Kur themi në bazë e kemi fjalën për fonde; si aparatura, medikamente cilësore . Në superstrukturë duhet një përmbysje rrënjësore i trajtimit, indiferencës, mospërfilljes ndaj të sëmurëve.

 

2-Korrupsioni, sorollatja e burokracia janë prezent në shëndetësi.

Mjekët e lagjes janë kthyer në punonjës administrate

 

Dëgjojnë ankesat e sipas shqetësimeve të çojnë tek specialisti përkatës. “Çfarë ke ti? Na rekomandimin tek kardiologu. Po ti? Tek neurologu, dermatologu, reomatologu, ORL-ja e kështu me radhë. Në fund të japin recetën. Puna tjetër është matja e tensionit! Këtu mbaron puna e tyre! Punë administrative që mund ta bëjë kushdo. Lind pyetja? Ku vajtën 6 vjet shkollë? Çfarë zbaton ai nga dhjetëra lëndë, që ka dhënë provim? Ku shkoi praktika disa vjeçare? Po mundi e shpenzimet, për mbarimin e fakultetit? Ai e ka kryer punën mirë vetëm kur i ka kartelat në rregull, se për ato pret kontroll. Megjithatë, kartela ime ka 20- vjet që i ngjan një regjistri të rreckosur me qindra analiza duke u shfletuar po kaq herë! S’është gjetur një mënyrë për t’u zëvendësuar ose informatizuar! Mësova se mjekët e familjes e paskan me normë vizitat! Në muaj duhet të bëjnë afërsisht 3000 vizita, ndryshe, s’marrin rrogën e plotë! Sa e çuditshme…?! Edhe jashtë ka planifikim për të sëmurët, por mjeku i familjes është i kualifikuar e të jep ndihmën e parë sa të vij radha tek specialisti. Del e nevojshme të rriten kompetencat e mjekut të familjes. Nga ana tjetër, mjekët kërkojnë rregullimin e kushteve, që të punojmë më mirë e me cilësi në shërbim ndaj pacientëve. Tjetër, Osteoporoza e disa analiza të tjera nuk bëhen në shtet, por tek privati. Në fakt tek privati mbaron punë për disa orë, por s’na i mban xhepi për analiza që kushtojnë nga 3000-6000 lekë, prandaj i lutemi mjekëve në shtet !

3- Shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të shërbimit shëndetësor!

Në të gjitha vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, kjo normë zbret ndjeshëm deri në rreth 10% në rastin e Sllovenisë. Mesatarja e Bashkimit Evropian ndërkohë, fiksohet në rreth 20%. Tek ne skemat qeveritare mbulojnë më pak se 10% të shpenzimeve për shëndetin. Mbetet ironik fakti që kjo gjendje e rëndë për taksapaguesin vazhdon, ndërkohë që shëndetësia është sektori ku janë dhënë mbi 300 milionë euro me P.P.P, një shifër e jashtëzakonshme për ekonominë e një vendi të varfër si Shqipëria. Kunati im, Bashkimi gjendet në Itali tek djemtë për të bërë analizat. Po kështu Dr. Piro Shtino në Amerikë për trajtim mjekësor. Marrin trajtimin mjekësor e kthehen. Me dhjetëra mijëra shqiptarë e ndjekin këtë rrugë. E pse? Se shteti ku banojnë i sorollat, duke mos dhënë asnjë siguri! Kjo është gjendja? Raporti SOS International për shëndetësinë në Shqipëri thotë: “Shqipëria vend me rrezik të lartë shëndetësor”. Ajo krahasohet me atë nivel të vendeve në zhvillim dhe vendeve ne gjendje lufte. Shqipëria dhe disa vende të rajonit paraqesin risk për shëndetin popullatës. Mjekësia ka shumë “të fshehta”. Ca dihen, të tjerët fshihen! Ca tregohen, të tjerat justifikohen! Ca kujtohen, të tjerat harrohen! Prandaj me të drejtë thonë: “Gjynahet e mjekut i mbulon dheu”