Edmond Zhulali: Këngët-himn për UÇK

97

PERSONAZH/ Flet kompozitori i talentuar
Edmond Zhulali; Këngët e mia luftëtarët e UÇK i këndonin në luftë


Gazeta Telegraf/



Kam kompozuar mbi 100 këngë për Kosovën


Kompozitori i shquar Edmond Zhulali, për veprimtarinë e tij
muzikore, për kompozimin e shumë këngëve për luftën e UÇK, u dekorua me
titullin “Mirënjohje Presidenciale e Meritave”.


Edmond Zhulali thekson: E vlerësoj këtë dekorim për arsye se
Presidenti Thaçi ka qenë vetë luftëtar i UÇK dhe një lider i saj. Pra ndihem dy
herë i vlerësuar që një ish- ushtar i UÇK, sot President të më jep mua një
dekoratë.


Dje ju  morët një dekoratë të veçantë
nga Presidenti Kosovës Hashim Thaçi, cili ishte motivacioni i këtij dekorimi
dhe cilat ishin emocionet tuaja?


Medalja e sotme (dje) ishte “Mirënjohje
Presidenciale e Meritave” . Për mua ishte e befasishme. Ishte e papritur për sa
i përket kohës së marrjes së dekoratës, pasi dihet kur fillojë 
procedurat, si zhvillohen ato, por jo kur jepen. Kjo dekoratë është e
konsideroj të merituar për kontributin e madh që kam dhënë për kompozimet e
luftës së Kosovës. Në ato vite  unë kam bërë shumë këngë së bashku me
shumë poetë dhe këngëtarë nga të gjitha trevat. 


Cilat janë disa nga këngët dhe këngëtarët me
të cilët keni bashkëpunuar për këto krijime patriotike?


Unë fillova krijimet menjëherë pas fillimit
te represionit serb në Kosovë, duke parë dhunën e madhe që ushtri regjimi
ushtarak i Milosheviçit ndaj vëllezërve kosovarë ku të gjithë shqiptarët patën
një dashuri të madhe për vendin e tyre ndërsa ne u solidarizuam menjëherë me
luftën e tyre. Natyrisht do të përjetohej nga artistët të cilët nëpërmjet
veprave të tyre bënin thirrje për luftë, solidaritet, pra do ta shprehnin 
këtë urrejtje. Artistët e shprehnin këtë dhimbje me emocion shumë të fortë. Një
ndër  ata artistë që ishte indirekt pjesë e kësaj lufte isha dhe unë.
Kënga e parë që unë kam shkruar për këtë luftë, ka qenë “Jam Kosova e
shqiptarisë” me tekst  të Gjok Becit dhe kënduar nga Arif  Vladi, që
bëri një jehonë shumë të madhe. Pas kësaj kam bërë një këngë  tjetër
“Marshi i UÇK”  me tekst të Agim Doçit kënduar nga Arif  Vladi. Më
pas  kam kompozuar këngën  “Lufton Drenica si i ka hije” kënduar nga
Manjola Nallbani me tekst të saj,  pastaj këngën me tekst i Gjok Becit për
Kastriot Tushën, “Tan Kosova është zemra jonë”, më pas “A vritet pafajësia”
kënduar nga Leonora Jakupi me tekst të Agim Doçit. Këto këngë u bënë shumë të
njohura dhe u kthyen ne lajtmotive  shumë  të dashura kudo në Kosovë,
këndoheshin nga të gjithë, ditë e natë dhe jepnin forcë për këdo. Muzika ka
fuqinë e Anteut për nxitje në luftë. Më pas ka rrjedhur një lumë i tërë këngësh
të kompozuara nga unë me temë luftën e Kosovës. Po  kam krijuar rreth 100
këngë në bashkëpunim me autorë të ndryshëm nga të gjitha trevat
shqipfolëse.  Më shumë bashkëpunim kam patur me poetët Agim Doçi, Gjok
Beci, me këngëtarët Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Niman Mushkola,  Sabri
Fejzullau, Ledina Çelo, Aleksandër Gjoka, Dava  Gjergji, Liri Rasha,
Dionis Delia, Nikoll Nikprela,  dhe shumë këngëtarë të tjerë që i kanë
kënduar luftës së Kosovës dhe çlirimit të saj.


Kur ke shkuar për herë të parë në Kosovë?


Për herë të parë kam shkuar pas luftës, në
një koncert, ku do përmblidheshin e gjithë krijimtaria ime, për Kosovën. Ishte
viti 1999. Ky koncert i kushtohej djemve të Brigadës së “Atlantikut” për ata
djem që lanë Amerikën dhe erdhën luftuan këtu në Kosovë për çlirimin e saj.
Ishte një koncert e veçantë, pasi ato këngë i kisha kompozuar unë me tekst të
Nexhat Ymeraj, një luftëtar që ishte në radhët e luftës dhe kishte parë me sytë
e tij sakrificat e panumërta. Këto këngë ishin të gjitha të muzikës së lehtë
dhe u kënduan nga Aleksandër Gjoka, Francesk Radi, Manjola Nallbani, Ledina
Çelo, Denis Delia. Ky koncert la gjurmë të pashlyeshme.  Më pas kam qenë
pas një viti në stadiumin e Prizrenit, së bashku me Gjok Becin dhe Agim Doçin,
ku organizuam një koncert me këngë për luftën e Kosovës dhe aty na dhanë nga
një vlerësim Mirënjohjeje në emër të UÇK.


Si i ruani marrëdhëniet sot me Kosovën?


Në shtator të vitit 1998, pas një koncerti të
dhënë në Tiranë, u organizua një turne i madh në 16 shtete të Evropës ku kemi
dhënë 80 koncerte, humanitare në ndihmë të luftës së Kosovës. Në këto koncerte
të organizuara në qytetet më të rëndësishme të Evropës ka pasur një numër shumë
të madh shikuesish, të cilët kanë përjetuar emocione shumë të forta. Në këtë koncert
të organizuar nga “Eurokoha” në bashkëpunim me shoqatat kosovare pro
luftës   kanë marrë pjesë këto artistë të mëdhenj: Mirush Kabashi,
Çun Lajçi, Lirie Lushi, Arif Vladi, Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Manjola
Nallbani, Eleonora Jakupi, Ledina Çelo, Niman Mushkola, Shkurte Fejza dhe Osman
Kelmendi. Në këtë koncert pothuajse të gjitha këngët ishin kompozuar nga unë me
tekste të Agim Doçit dhe Gjok Becit. Marrëdhëniet e mia me këngëtarët
kosovarë  nuk kanë reshtur asnjëherë pasi unë kontaktoj, shkruaj, kompozoj
për Kosovën dhe këngëtarët kosovarë.

 

Sot ju keni dhe një gëzim tjetër, pasi
ish-ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, 
Christopher Hill i cili kremton 25-vjetorin e ardhjes u dekorua nga Presidenti Nishani në 25-vjetorin e  rihapjes së Ambasadës në
Tiranë.
 Ai
ka theksuar, se një ndër miqtë e tij ka qenë dhe vëllai juaj, ish-Ministri
Mbrojtjes Safet Zhulali,. Si do ta komentonit këtë fakt?


Është një kënaqësi e madhe pasi SHBA janë
miqtë më të mëdhenj të popullit shqiptar. Në momentet më të vështira SHBA i
është gjendur pranë popullit tonë. Ndihem krenar që vëllai im Safet Zhulali
ish-Ministër i Mbrojtjes ka qenë mik i ambasadorit të parë por edhe të dytë të
SHBA në Tiranë, Rajerson. Safeti e kuptoi që në fillimet e demokracisë se SHBA
ishte aleati më i madh i Shqipërisë dhe mbështetësi kryesor i saj. Siç treguan
kohërat parandjenja e Safetit nuk gaboi, pasi Shqipëria shumë shpejt u bë pjesë
e NATO.


Me këtë rast çfarë urimi do të japësh?


Jam ende i befasuar nga ky çmim dhe doja të falënderoja z. Hashim
Thaçi  i cili  më dha këtë çmim. E vlerësoj këtë dekorim për arsye se
Presidenti Thaçi ka qenë vetë luftëtar i UÇK dhe një lider i saj. Pra ndihem dy
herë i vlerësuar që një ish-ushtar i UÇK, sot President të më akordojë dhe
dorëzojë mua një dekoratë.