Edmond Panariti: Të furnizohen urgjentisht hidrovorët me energji elektrike

578
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti pas inspektimit në terren tha se reshjet e mëdha të shiut po ushtrojnë presion të lartë mbi sistemin e kullimit. Sipas tij rrjeti i hidrovoreve është në gjendje funksionale, me përjashtim të hidrovoreve që nuk janë furnizuar gjatë natës me energji elektrike. “Aty ku hidrovorët janë furnizuar me energji nuk kemi patur asnjë problem me sistemin e kullimit. Uji është tërhequr nga kanalet. Ky është rasti në Shkodër dhe pjesën veriore të vendit. Por aty ku kemi patur ndërpreje të furnizmit me energji, si në Vlorë dhe Lushnje kemi patur përmbytje të pjesshme”, tha Panariti. Sa i përket hidrovorit të Vlorës, ministri tha se mosfunksionimi i pompave gjatë natës për shkak të ndërpretjes së energjisë elektrike, ka sjellë edhe përmbytjen e qytetit. Për rrjedhojë, Panariti theksoi se duhet të merren masa urgjente për furnizimin me energji elektrike të pandërprerë të të gjithë hidrovorëve në vend.
“Për sa kohë që hidrovorët nuk furniohen me energji nuk arrijnë të tërheqin ujrat nga kanalet. Për 24 orët e kaluara mund të themi që disa hidrovore nuk janë furnizuar me energji. Po kujtoj hidrovorin e Divjakës për 15 orë pa energji si dhe a ii Tërbufit. Për pasojë ka patur rritje të kuotës së ujrave dhe mosevadim të tyre” deklaroi Ministri i Bujqësisë. Ndërsa sa i përket gjendjes së baseneve ujore, Panariti u shpreh se në basenin e Shkumbinit, ka dalje të lumit të Devollit, duke shkaktuar përmbytje të pjesshme. Pa problem deri tani janë baseni i Shkodrës, Matit dhe Erzenit. Sipas tij situata mund të bëhet kritike në orët në vijim në lumin Vjosë, niveli i të cilit po rritet ndjeshëm. “Megjithatë, duhet të përgatitemi për emergjenca të kësaj natyre ditët dhe muajt në vijim. Duhet të shfrytëzojmë ditët pa reshje për të bërë riparimin e defekteve dhe për të mobilizuar strukturat e emergjencave civile” ka përfunduar Panariti.
Sigal