Edmond Panariti takon homologun gjerman: Ndihmë për laborator rajonal analizash

65
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, i cili ndodhet për një vizitë në Gjermani, takoi në Berlin ministrin Federal gjerman të Bujqësisë, Christian Schmidt.
Në fokus të bisedimeve mes dy ministrave ishin marrëdhëniet e mira të dy institucioneve dhe projektet e përbashkëta në sektorit bujqësor. Ministri Panariti kërkoi mbështetjen gjermane për zhvillimet e mëtejshme të rrjetit laboratorik të analizave fito-sanitare të produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Nga ana e tij, ministri Schmidt siguroi homologun shqiptar, për mbështetjen në krijimin e një laboratori rajonal analizash, i cili do të mbulojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, specifikisht Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Ky laborator do të asistohet nga një laborator gjerman reference, me qëllim shmangien e vonesave dhe kontestimeve mbi pastërtinë e produkteve bujqësore në pikat doganore dhe në mbështetje të lehtësimin të marrëdhënieve tregtare midis këtyre vendeve.
Gjatë bisedës, ministri Panariti informoi ministrit Schmidt për strategjinë e përballimit të sëmundjes Dermatoza Nodulare, si dhe kërkoi mbështetje financiare për të përballuar këto sëmundje të panjohura deri tani në Evropë.
Ndërsa Ministri Federal Gjerman i Bujqësisë, përgëzoi ministrin Panariti për punën e bërë dhe situatat e përballuara, si dhe konfirmoi mbështetjen financiare nga qeveria gjermane për këto situata emergjence.
Gjatë vizitës në Berlin, ministri Panariti takoi dhe Parlamentaren e Bundestagut gjerman Kordula Kovaç, e cila e siguroi ministrin për mbështetje dhe asistencë juridike nga ana e qeverisë gjermane për akses në fondet evropiane të para aderimit në BE nga Ministria shqiptare e Bujqësisë.
Interesimi i palës gjermane për të mbështetur dhe promovuar varietete autoktone të verës shqiptare, si ajo e Kallmetit, duke organizuar ashtuquajturat “rrugët e verës” ne te gjithë vendin, për t’i dhënë edhe një komponent turistik kësaj industrie.
Ministri Panariti kërkoi mbështetjen gjermane për të përcaktuar moshën e saktë të ullinjve të vjetër, me qëllim që të vërtetohet nëse ato mund të konsiderohen monumente kulturore.