Edicioni i 24-të i Panairit të Klik Ekspo Group kulmon me mbrëmjen gala në Pallatin e Brigadave

938
“Klik Ekspo Group”, panairi shumëdimensional, që fton biznesin vendas dhe të huaj për sipërmarrje të reja 
“Klik Ekspo Group” prezantoi këtë nëntor edicionin e 24-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i identifikuar tashmë si eventi më i rëndësishëm ekonomik në vend. Panairi ka hapur dyert pasditen e së enjtes në Pallatin e Kongreseve, duke iu ururar mirëseardhjen qindra bizneseve që vijnë nga mbi 20 shtete të ndryshme të botës. Jo thjesht një panair, por një event i të gjitha dimensioneve ku shpalosen ekonomia, arti, kultura, letërsia e mjedisi; me mbi 350 ekspozues të regjistruar dhe mbi 40.000 vizitorë të parashikuar përgjatë gjithë ditëve të Panairit. Ky eveniment që gëzon vëmendjen e veçantë të ekspozuesve vendas dhe të huaj, u nderua nga vizita zyrtare e Kryeministrit të Shqipërisë, SH.Tij, Z. Edi Rama. Ndërkohë pas ceremonisë së hapjes dhe vizitës në çdo stendë, evenimenti kulmoi me një mbrëmje festive organizuar në Pallatin e Brigadave, ku si çdo vit Klik Ekspo Group krahas aktiviteteve të larmishme kulturore, vlerësoi me çmimin ‘Shqiponja e Artë’ një sërë personalitetesh shqiptarë dhe të huaj nga fusha e biznesit, por jo vetëm.

Në Klik Espo Group, ministri Klosi fton biznesin, pjesëmarrës në Panair për të investuar në industrinë e turizmit shqiptar . 
Duke qenë se një vëmendje e veçantë gjatë këtij edicioni i kushtohet çështjeve klimatike dhe të mjedisit, i ftuar ishte dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit z.Blendi Klosi, i cili mbajti dhe një fjalim të shkurtër para të ftuarve duke vlerësuar maksimalisht organizatorët e këtij panairi, jo thjesht për traditën e rujatur ndër vite, por mbi të gjitha për vlerën dhe mesazhin që përcjell ky panair, duke bashkuar në pak metra katror biznese nga gjithë bota. Ndërsa iu drejtua kompanive dhe investitorëve të huaj pjesëmarrës në panair Klosi kërkoi bashkëpunim dhe projekte të përbashkëta me kompanitë shqiptare, për nxitjen e investimeve në fushën e turizmit, duke e kthyer kësisoj këtë në një industri fitimprurëse për vendin.

“Është gjithmonë kënaqësi të jesh në aktivitetet e Klik-ut. Unë kam 24 vite që i ndjek gjithmonë. Por sot ndihem mjaft mirë si ministër Turizmi, pasi shikoj kaq shumë partneritete dhe kompani të huaja, të cilat në fund të fundit janë edhe përpjekja jonë e përbashkët për të arritur që në Shqipëri të sjellim më shumë biznese, më shumë ekonomi, të sjellim sa më shumë njerëz që të kuptojnë nga brenda se si funksionon sistemi ynë, se sa ndryshe është Shqipëria nga ajo ç’ka dëgjohet, dhe të gjithë së bashku të përpiqemi për të krijuar një Shqipëri me një impuls sa më të fortë ekonomik. Sa i përket Ministrisë së Turizmit unë do të isha shumë i lumtur, nëse të gjithë ju pjesëmarrës në këtë aktivitet ndërkombëtar të keni mundësi që të bashkëbisedoni me kompanitë dhe investitorët shqiptarë, më ata që ushtrojnë aktivitetin e turizmit në Shqipëri, një aktivitet që është në kulmin e zhvillimit të tij, e po ashtu të kemi mundësinë të ndërtojmë plane të përbashkëta, projekte të përbashkëta se si këtë industri të turizmit ne ta kthejmë në një industri sa më fitimprurëse dhe me të ardhura për komunitetin tonë,”, tha ministri Blendi Klosi, ndërsa nënvizoi edhe rëndësinë që do të kenë në këtë panair çështjet e mjedisit dhe menaxhimit të mbetjeve.
24 vite ‘Klik Ekspo Group’, mbrëmje gala në Pallatin e Brigadave
Nën kujdesin e vetë Presidentit të Klik Ekspo Group z.Luan Muhametaj, ceremonia vijoi me traditën e saj të mirënjohjes, ndarjen e medaljes “Shqiponja e Artë”, që i shkoi kryesisht personaliteteve që kanë kontribuar në ndryshimet progresiste të mjedisit dhe klimës së biznesit e tregtisë në vendin tonë. Të parën, presidenti i Klik Ekspo Group z.Luan Muhametaj nderoi ambasadoren e Kinës në Shqipëri zonjën Jiang Yu, me motivacionin; Për marrëdhëniet e shkëlqyera tregtare dhe kulturore që dy vendet ruajnë mes tyre. Nga ana e saj zonja ambasadore duke shprehur falënderimet për vlerësimin e veçantë, tha se përmes këtij panairi po ndërtohet një urë komunikimi mes bizneseve nga të dy vendet, aq më tepër që dita e parë e hapjes së panairit përkon edhe me 68 -vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës.

“Jam shumë e gëzuar që munda të marr këtë medalje. Dua të shpreh edhe urimet për këtë panair në emër të 20 kompanive pjesëmarrëse nga Kina. Këtu në panair do të zhvillohet edhe takimi ‘B2B’ mes sipërmarrjeve kineze dhe shqiptare. Ne shpresojmë që përmes këtij panairi të mund të ndërtohet një urë mes sipërmarrjeve të të dy palëve për të komunikuar me njëra- tjetrën dhe për të eksploruar krijimin e partneritetit. Dita e sotme (e enjte) shënon edhe 68 – vjetorin e vendosjes së marrëdhënive diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës, ndaj dhe është me kuptim të veçantë që ne të festojmë në këtë mënyrë. Edhe java që vjen shënon 105 – vjetorin e Pvaraësië së Shqipërisë ndaj dhe dua të shpreh urimet më të mira për Ju, prosperitet për vendin dhe lumturi për popullin,” tha ambasadorja e Kinës në Shqipëri. Me çmimin ‘Shqiponja e Artë’ u nderua edhe kompania Alb Tech Energy për projektin e rëndësishëm të ndërtimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve në qytetin e Elbasanit, si dhe efektet pozitive që ky investim ka dhënë për banorët e këtij qyteti. Gjithashtu çmimi ‘Shqiponja e Artë’ iu akrodua edhe Diego Testi-t administratorit të ‘Eco Tirana’, kompania nga Verona, e cila e kontraktuar nga Bashkia e Tiranës, merret me pastrimin dhe riciklimin e mbetjeve në kryeqytet. Në vijim u nderua me të njëjtin çmim ‘Shqiponja e Artë’, një tjetër figurë italiane Enrico Mattei, sipërmarrësi dhe politikani që sot nuk jeton më, por që themeloi kompaninë e hidrokarbureve ENI (Ente Nazionale Idrocarburi) dhe pati shumë sukses. Mbrëmja gala organizuar në një ambient të veçantë siç është edhe Pallati i Brigadave, vijoi me performancën e shkëlqyer të trupës së Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të cilët krijuan një atmosphere magjike mes të pranishmve. Për më tepër, të ftuarit patën mundësi të shijonin edhe një sfilatë mode ku u ekspozuan modelet më të fundit të kostumeve dhe palltove dimërore për meshkuj, dizenjuar nga stilistri i famshëm italian z.Luca Paolorosssi. Pas më shumë se dy dekadash, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës i Klik Ekspo Group, tashmë është shndërruar në simbolin identifikues të biznesit shqiptar në botë, por njëkohësisht dhe një urë lidhëse mes bizneseve shqiptare dhe atyre të huaja. Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group, do të qëndrojë i hapur deri më datë 26 Nëntor 2017. Qëllimi kryesor i Panairit Ndërkombëtar të Klik Ekspo Group në këto dy dekada ekzistencë të tij, ka qenë prezantimi i një Shqipërie me pasuri të mëdha natyrore, të cilat presin shfrytëzimin e tyre nga bizneset më të mëdha ndërkombëtare. Klik Ekspo Group ka dashur dhe ja ka arritur në 24 vite, t’u mësojë bizneseve të huaja të flasin shqip dhe t’i nxisë ato të investojnë në Shqipëri. Në një panoramim informues mbi pjesëmarrësit dhe spikatjet e këtij edicioni, do të përmendnim Pavijonin e Republikës Popullore të Kinës nën kujdesin e ÇIP-Këshillit për Tregtinë me Jashtë dhe Investimet e Huaja në Republikën Popullore të Kinës; Pavijoni i Bosnje Hercegovinës, organizuar nga Dhoma e Tregtisë me Jashtë e Bosnje Hercegovinës; Pavijoni i Republikës së Serbisë, për të 14-tin vit radhazi në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës (këtë vit fryt i bashkëpunimit edhe me Dhomën e Tregtisë së Serbisë), si dhe pjesëmarrës nga Italia dhe Greqia, Hungaria, Turqia, Maqedonia, Kosova, Republika e Çekisë, Franca, Sllovenia, Mali i Zi, Kroacia, etj. Dhjetëra aktivitete do të zhvillohen përgjatë ditëve të këtij panairi duke ekspozuar produkte dhe shërbime të reja. Të tjera sallone të specializuara kushtuar Librit dhe Medias, Tregut të Sigurimeve dhe Institucioneve Financiare, Mbrojtjes dhe Sigurisë, do të mirëpresin vizitorët e specilizuar gjatë Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, në 23 deri në 26 Nëntor. Kalendari i eventeve dytësore, që gërshetojnë biznesin me kulturën, kërkimet shkencore me praktikat më të mira, traditën me risitë teknologjike, do të pasurohet me Forume të rëndësishme Ekonomike Ndërkombëtare si ai Shqipëri – Republika Popullore e Kinës si dhe Forumi i Biznesit Shqipëri-Serbi etj. Me një organizim të tillë, edhe këtë vit, Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group ka treguar se sa e vogël është bota dhe se ajo mund të mblidhet e gjitha në një Panair.
Sigal