Kryeministri Edi Rama është betuar mbrëmjen e sotme para presidentit të Republikës, Ilir Meta si ministër i Jashtëm.

Njoftimi i Presidencës:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme betohet para Presidentit të Republikës

Në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua ceremonia e betimit të Ministrit të ri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Sh. T. Z. Edi Rama, u betua sonte, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, duke i dorëzur dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme.

Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Rama betohet si ministër një ditë pasi Kuvendi miratoi dekretin e presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Ditmir Bushatit në krye të MEPJ dhe emërimin e Ramës edhe në postin e ministrit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati është shkarkuar dje nga Kuvendi me 77 vota pro dhe 1 abstenim. Vota abstenim ka qenë nga deputeti Spartak Braho, ndërsa vetë ministri ka votuar pro shkarkimit të tij. Sakaq, kryeministri Edi Rama është emëruar si ministër i jashtëm me 78 vota pro.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama vendosi të marrë vetë edhe postin e ministrit të Jashtëm pas refuzimit që i bëri Presidenti Ilir Meta kandidaturës së Gent Cakës me pretendimin se nuk plotësonte kriteret dhe nuk ishte pajisur me certifikatë sigurie.

Kjo çështje shkaktoi përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë, ndërsa Rama ka thënë se mazhoranca do padisë presidentin Meta për shkelje të Kushtetutës sapo ky organ të formohet.