Edhe një herë për sheshin “Skenderbej”

683
Ing. Qerim ISMENI 

Super-reklama që i bëri K/Ministri dhe Kryetari i Bashkisë, arritën me të vërtetë të shesin “sapunin për djathë”. Super-reklama, në fakt, është ironi e tallje me këtë popull në dëshpërim, që në këto ditë të nxehta një pjesë e të cilit nuk ka as edhe ujë për nevojat minimale jetike, një pjesë tjetër nuk ka ujë për vaditje. Ndërkohë që edhe pse nuk e dëshiroj pritet, që ritmi i braktisjes së vendit të shtohet edhe më tepër , megjithëse nuk është kjo zgjidhja. Kryeministri Rama në ditën e inaugurimit të sheshit me dt. 17.6.2017 thotë se: “Kur kalova në shesh… së bashku me Lindën nuk i mbajta dot lotët” si dhe “nuk do të ishim këtu sot, nëse nuk do të kishim lali Erin”. Do të ishte më mirë që z. Kr/Ministër të mos harxhojë lotët edhe fondet për tekat e tij, por për afër 40% të popullit që është nën nivelin zyrtar të varfërisë, për pasigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve të këtij vendi. E kuptoj se të ngopurit nuk duan të dinë se ç’është varfëria apo mjerimi, e kuptoj se solidariteti mes nesh gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një nocion abstrakt dhe, megjithatë i nderuar z.Kr/Ministër do të doja, që të mendoni disa sekonda se minutat me siguri ju duken shumë, për njerëzit që braktisin shtëpitë për të ikur refugjat, vetëm e vetëm se në Shqipëri ka fonde për sheshe, por nuk ka ka fonde për të varfrit, nuk ka fonde për sigurinë nga aksidentet, nuk ka fonde për ujësjllës, nuk ka fonde për Kërkim Zhvillim (Për trurin)- ku sipas një publikimi të fundi të UNESCO-s Shqipëria renditet e fundit në rajon e në botë me financim më pak se 0.2% të GDP-se dhe me vetëm 157 kërkues (Studiues) për një milion banor kur shtetet e tjera janë më lart se ne etj… Kam shkruar për këtë problem që me dt. 2 Qershor 2016 në gazetën “Telegraf” para se të fillonin punimet për Prishjen – Defunksionalizimin e sheshit “Skenderbej”. Më vjen keq, por ashtu siç e parashikoja kjo nuk solli për shumicën që ruan sadopak një ndjenjë minimale solidariteti, asgjë të mirë përveç se Defunksionalizimin e këtij Kryqëzimi si dhe rritje të borxhit të qeverisë qendrore apo lokale për më shumë se 14.7 milionë Euro të preventivuar e nuk e dimë se sa më tepër do të rezultojë Situacioni, për të cilën do t’i lutesha KLSh-së që të kontrollojë dhe të jap të vërtetën. Shqipëria është një ndër vendet më të varfra në Evropë, që po ecën me projekte që vazhdimisht shpërpjestojnë e disekujlibrojnë zhvillimin shoqëror. Në vendin tonë fatkeqësisht afër 40% e popullatës është në nivelin e varfërisë që diskuton për mbijetesë. Nga ana tjetër zyrtarisht Kr/Bashkisë zoti Erion Veliaj ka deklaruar se nuk kemi para (buxhet) për ndërtim Kopshte e Shkolla dhe se për këtë ka vendosë taksë Arsimi për çdo familje e çdo Biznes- Kuptohet taksë e jashtëligjshme, sepse Arsimi është një e drejtë themelore në Kartën e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut qysh në Dhjetor të vitit 1948 dhe për rrjedhojë kjo e drejtë garantohet nga shteti – d m th nga taksat në nivel Qendror që miratohen nga Parlamenti. Pra për detyrimet që ka shteti ndaj qytetarëve të vet Qeveria e Bashkia e Tiranës nuk kanë para , ndërsa për – Tekat e dy titullarëve ka! Sheshi “Skënderbej” ashtu siç ishte nuk kërkonte para , as bukë e as ujë – bukë e ujë kërkojnë 40% –shi i popullatës në nivel varfërie, dhe se mundë të qëndronte edhe ashtu mbase përgjithmonë meqë mbartte histori ose të paktën deri sa Shqipëria të ishte larguar nga vendi i fundit në Evropë për nivelin e mirëqenies të qytetarëve të saj. Këtu me Ristrukturimin e sheshit – popullit të Tiranës dhe të gjithë shqiptarëve ju është bërë tre herë dëm. 

1- duke i futur në borxh për 15 deri 20 mln Euro, të cilat duhet t’i paguajnë bashkë me interesa; 
2- duke iu rritur koston e lëvizjes nga një anë e Tiranës në tjetrën, kur dihet se rruga më e shkurtër midis dy pikave sipas Gjeometrisë është vija e drejtë dhe jo ajo e përkulur, por z. Kryetar i Bashkisë dhe këshilltarët e Rilindjes, që miratuan (ngritën dorën) pa ditur se ç’dëm po shkaktonin votuesve të tyre–ose nuk e dinin këtë ose kokën e kanë për të mbajtur kapelën – se për të tjerat mendon Kryetari. 
Ju i nderuar z. Kryetar vetëm nëpërmjet Trajektores së detyruar të lëvizjes automjeteve nga dera e Bashkisë deri tek ndërtesa SIGAL-it po kështu dhe krahu tjetër keni zgjatur rrugën me më shumë se 1200 metër si dhe kohën e nevojshme për të përshkruar atë në më shumë se 7 -12 minuta për më shumë se 6000 automjete/ditë. Ky zgjatim rruge rezulton me konsum shtesë karburanti 1 deri 1.2 ton/ditë e me ndotjen respektive shtesë, që jep djegia dhe se aq më keq kjo ndotje në trajektoren e diktuar është vështirë e transportueshme, e shpërndashme, meqenëse mungojnë korrentet natyrore të ajrit . Në antitezë me shpenzimin e më shumë se 15 mln EU për HOBIN Tuaj dhe të shefit Tuaj , Ju i nderuar z. Erion – kurseni –apo vërtetë s’keni para për fond page për Kujdestarët zëvendësuese në kopshte dhe i detyroni që grupet e fëmijëve që kanë Kujdestaren me leje të bashkohen me grupin tjetër, të vendosen dy fëmijë në një krevat e na i mbushni ato me morra e nga ana tjetër na bën sheshin, gjë që një mendje normale njerëzore nuk e shpjegon dot.

I nderuar z. Erion – Ju na rritët çmimin e urbanit pa asnjë arsye-argument , por thjesht për të kënaqur sponsorët Tuaj, që ju kredituan të bëheshit Kryetar Bashkie’. Kur kishe kaq para (afër 15 mln. Euro për ti çuar dëm tek sheshi) pse nuk paguaje shërbimit Urban koston për invalidët?
I nderuar z. Erion – ju patët fatin që para se të bëheshit k/Bashkie të ishit Ministër i Mirëqenies sociale ku normalisht duhet ta keni mësuar se afër 40 % e popullatës jeton nën nivelin zyrtar të varfërisë. Megjithatë ju gjatë ushtrimit të detyrës Ministrit Mirëqenies Sociale menduat vërtet për “Mirëqenien’ dhe se pikërisht për këtë arsye pa studiuar, analizuar zbatimin e ligjit ekzistues të Pensioneve e ndryshuat atë. Kuptohet, dëshira juaj mesa duket ishte që të bënit një ligj që të mbante emrin Tuaj, de fakto e bëtë dhe do të mbaheni mend ju dhe shefi juaj për atë ligj krejtësisht antipopullor të pensioneve, ku mes tjerash argumentuat se s’kishit para për pensionet dhe prandaj rritët kontributet e detyrueshme nga 35 në 40 vjet dhe moshën për pension për gratë nga 60 në 67 vjeç e për burrat nga 65 në 67 vjeç.

Ju i nderuar z. Erion dhe Ju i nderuar z. Edi , që nga viti 2013 e deri më sot gjithnjë e më tepër me veprimet e mosveprimet tuaja me ligje keni demonstruar mbështetje për të pasurit (pakicën) dhe neglizhencë e shpërfillje për masën e madhe të njerëzve dhe shpërdorim të pasurisë Kombëtare. Ligji i ri i Pensioneve apo Reforma e pensioneve (se kështu ju pëlqen ta thoni), ligji i ri për Arsimin e lartë, koncesionet skllavëruese , ulja e rentës së pasurive dhe keqpërdorimi i të ardhurave në buxhet janë pasqyra e punës tuaj në dëm të popullit shqiptar.

Z. Kr/Ministër nga viti 2013 e deri më sot jeni tallur me buxhetin e shtetit, keni marrë borxh të ri në shumën 2.5 mld $ USD dhe se nuk “dihet” se ku e keni shpenzuar. Thuhet për “Rilindjen Urbane”. Ju keni investuar afër 20 mln. Euro për gjithë ujësjellësit e Shqipërisë dhe se vetëm për qendrën e Tiranës bëtë rrush e kumbulla më shumë se 15 mln. Euro. Ju bëtë rrush e Kumbulla buxhetin 4 vjeçar duke ndërruar selitë e institucioneve, duke rregulluar, më falni duke çrregulluar qendrat e qyteteve në antitezë për të dhënë “qenieve” njerëzore ndihmën Ekonomike në sistemin e pikëzimit keni përfshirë zotërimin e një televizori, që mund ta gjesh tek kazanët e plehrave apo të një gomari për të mbajtur ujë meqë qeveria Rilindëse nuk kishte para për t’u siguruar ujë në shtëpi (megjithëse e drejta për ujin hyn në të drejtat elementare të njeriut)

I nderuar z. Kr/Minister! JU nuk anuluat as edhe një nga koncensionet e gabuara –skllavëruese të dhëna nga paraardhësi juaj, që kishit deklaruar se do ti anulonit, por dhatë edhe ato që Saliu nuk arriti t’i bënte. Ju z. Kr/Min. në mënyrë krejt jo transparente e prishët Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” -pasuri publike për ta bërë Privat, më shkurt për t’i falur truallin Privatit. Ju i nderuar për 4 vjet dhatë gjithë shërbimet shëndetësore me koncension me kosto ne buxhet 2 deri në 4 herë më shtrenjtë se sa mund të bëheshin si shërbime publike.

Ju i nderuar keni para pa hesap për propagandë, por nuk keni për strehimin social apo për të sjellë në standard minimale infrastrukturën e rezidencave sociale. Ju keni para për sheshin por nuk keni për të përfunduar rrugën Tiranë- Elbasan. Keni para për Sheshin, por nuk keni për të mbyllur “MINIERËN”- burim i sëmundjes se silikozës që përshkon Tiranën nga Monumenti Zogu i Parë (Veriu) deri tek Universiteti Politeknik (Jug) Keni para më shumë se 15 mln. Euro për sheshin, por nuk keni 1/15 apo 1/30 për Bibliotekën Kombëtare. Kuptohet se para gjithë këtyre fakteve qytetarët duhet t’i thërrasin ndërgjegjes për përgjegjësinë që kanë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre në përdorimin e të drejtës së votës. Ne qytetarët e Tiranës duhet të ndërgjegjësohemi se nuk po vidhemi (ku vjedhja si përkufizim quhet marrja e parave apo sëndit nga dikush fshehurazi), por po grabitemi dhe po shohim se si grabitja po na shitet si investim për ne. Ne qytetarët e Tiranës e të gjithë Shqipërisë nuk ushqehemi me gurët që keni sjellë në sheshe , e as me mermerin që e keni shtruar , ne nuk duam rritje artificial të kostos së jetesës, nuk duam taksë mbitaksë që ju të shisni tangërllëk sikur po dërgoni raketën në Hënë. Edhe ato pak punë të mira që keni bërë, për të cilat keni marrë shpërblimin dhe ofiqet e tjera i keni sfumuar me zullumet që keni bërë. I nderuar z. Erion, si dhe i nderuar z. Edi ju jam drejtuar vazhdimisht të dyve, sepse kam bindje se CD veprim i juaj z. Erion siç dhe e keni pohuar me dhjetëra herë në këtë fushatë është ide fillestare nga i nderuari Kr/Minister. Së fundi, mund të them se Ju bëtë mirë disa gjëra, por prishët qendrën, përkeqësuat ligjin e pensioneve, rritët koston e lëvizjes me urban, nuk zgjidhët problemin e ndotjes me Silikozë të bulevardit, dhe për ta mbyllur përkeqësuat për jetë trafikun në qendër të Tiranës, iu shtuat ndotjen banorëve të rrugës së Barrikadave etj.
Sigal