Edhe filozofët kishim mangut

735
Nga Enkel Demi
Shqipëria është një vend qesharak, sepse ka një mangësi të rëndësishme; nuk ka elitë. Shteti i Ismail Qemalit zbuloi sheshit, pikërisht që paria përbëhej nga dallkaukë, fjala vjen si Esad Pasha apo Haxhi Qamili. Prandaj, shpesh aksionet e tyre edhe kur ishin gjakatare, ishin qesharake. Dyert e mëdha apo mendjet e larta ishin për t’i numëruar me gishtat e dorës, kurse përçmimi ndaj tyre sporti më popullor. Në historinë e shkurtër të shtetit shqiptar, gjithmonë ka qenë në kult cubi dhe poshtë këmbëve bujari.
Shoku Enver me ardhjen në pushtet e fshiu nga faqja e dheut dhe atë dorë parie që pati mbijetuar, por nuk e bëri veç me aparatin e dhunës, por me një ngazëllim dhe mbështetje popullore të jashtëzakonshme. Patër Zefi shkruan në kujtimet e tij, që kur priftat po i çonin nga Kuvendi françeskan për në gjykatore, njerëzit i pështynin, i shtynin, jua sillnin me flakaresha dhe i shanin ndytë, sa ai vetë në libër thotë: “Kurrë nuk kisha mendu që ky popull kishte kaq shumë rrugaça”.
Me regjimin komunist, elita vdiq dhe nuk pati më fat të rilindë. Fillimisht e zëvendësuan me opingat që vinin era përç të katundarit Hysni Kapo, bijtë e të cilit krijuan të mirënjohurin Bllok. Prandaj, kur erdhën vitet ’90 dhe u transmetuan do shirita, të tërë u skandalizuam sa injorantë, sa vulgarë ishin në të folme dhe kulturë, Enver Hoxha, Ramiz Alia, por dhe pasuesit e tyre që patën mbushur barkun më mirë se të tjerët, por nuk kishin mbetur trutharë.
Gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit askush nuk vuri ujin në zjarr jo për elitat, por për ardhmërinë. Ka përherë përpjekje për ta zënë parinë nga grupe politike, mediatike, spitullaq mesoresh. Janë sak këto përpjekje që e bëjnë këtë vend qesharak dhe guximtarët karagjozë.
Vetëm në një tokë si Shqipëria të del biri i botës dhe të thotë që është filozof pa mbushur 30 vjeç, politikan duke qenë berber, mendimtar duke vjedh’ xhepat në qeveri. Kryeministri i këtij vendi i jep mend peshkatarëve, sipërmarrësve, mjekëve, juristëve, hidraulikëve, bujqve, gazetarëve dhe e ka shumë seriozisht. Është i bindur që është i zoti t’ua gjejë ilaçin të tërëve në male, kodra, fusha, det, qytet e fshat. Ka kohë që ka rrjedhur, por nuk e shkund njeri, pasi nuk është i vetmi që noton në përroin psiqik.
Në këtë panair të kotësisë mungonin vetëm filozofët që i njohëm më në fund në programin më filozofik që prodhojnë televizionet shqiptare. Veç në Shqipëri bën vaki që filozofët intervistojnë dikë, sepse zakonisht janë ata që intervistohen. Filozofi në atdheun tonë është një djalë i ri, me dialekt të rëndë tosk, me fjalor të zgjeruar deri në plot 1500 fjalë, pa asnjë vepër të shkruar, pa asnjë shkollë mendimi të veçantë, i cili njeh pak ose aspak at Anton Arapin apo Isuf Luzajn. Por, filozofi është një dukuri interesante mediatike që mund të shitet për një tip cool. Së shpejti, filozofi duhet të ngujohet në ndonjë shtëpi të reality show ose të marrë pjesë në programe se kush kërcen a këndon më bukur.
Kam gjithë paraditen që kërkoj të gjej një filozof të huaj me identikitin “shqipo” dhe më vjen të plas që nuk po e qëlloj dot. Prandaj, më pëlqen për vdekje ky vend që ka ose shpik vetëm ngjarje e dukuri unike, të papërsëritshme askund në botë. “Pra, i kjofshim falë ksaj Shqipnie!”, do të thoshte i moçmi.
Sigal