Edhe Europa rrëzon PPP-të, vetëm Shqipëria nuk pyet

678
Deri më tani, vlera e kontratave të dhëna me Partneritetin Publik-Privat ka arritur në 111 miliardë lekë, që dominohen nga kontrata shërbimesh në shëndetësi dhe tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, Fier dhe Elbasan, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave. Gjatë vitit që vjen do të jepen me koncesion edhe 156 miliardë lekë, duke e çuar vlerën e përgjithshme të PPP-ve më shumë se 268 miliardë lekë, e cila është sa 17% e PBB-së. Institucionet financiare ndërkombëtare këmbëngulin që kjo shumë të përfshihet në borxhin publik. Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi që ndikimi i projekteve me PPP, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik, në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare. Banka Botërore ka thënë se “kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë. Vlerësimi dhe bërja publike e këtyre detyrimeve është një hap i rëndësishëm për menaxhimin e ndonjë rreziku të mundshëm fiskal”. Por edhe nga një raport i ri Gjykatës Evropiane të Llogarive, publikuar nga “shtetiweb”, del se financimi i përbashkët i BE-së për Partneritetin Publik-Privat (PPP), nuk mund të shikohet më si një mundësi ekonomike e suksesshme për të mbështetur infrastrukturën publike. Sipas raportit, gjetjet e auditimit të PPP-ve në disa shtete evropiane, treguan se vlera për paranë dhe transparenca ishin gjerësisht të dëmtuara sidomos nga mungesa e politikave dhe strategjisë së saktë, por edhe nga mungesa e analizave të përshtatshme, mbajtja e llogarive të PPP-ve jashtë bilancit dhe mungesa e ekuilibrit në marrëveshjet e ndarjes së riskut. Nga 2000 deri në 2004, BE-ja ka dhënë 5.6 miliardë për 84 PPP, me një kosto totale projektesh prej 29.2 miliardë. Auditimet vlerësuan 12 PPP të bashkë-financuara nga BE-ja. Këto Partneritete ishin të vendosura në Francë, Greqi, Irlandë dhe Spanjë, në fushën e transportit rrugor dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), me një kosto totale prej 9.6 miliardësh dhe financim nga BE-ja prej 2.2 miliardësh. Në përgjithësi, këto PPP lejonin autoritetet publike të prodhonin infrastruktura të mëdha me vetëm një procedurë, duke rritur kështu riskun e konkurrencës së pamjaftueshme që prodhon pozicion më të dobët negociues për autoritetet kontraktuese.
Sigal