Edhe certifikatat do të jepen online

686
Njësoj si bankomatet, edhe njësitë administrative të Tiranës do të ofrojnë shërbim “e-Kioskë”, ku çdo qytetar, përmes monitorit mund ta komandojë vet nxjerrjen e një certifikate. “Ne duam të ulim fillimisht fluksin e njerëzve që paraqiten në njësitë administrative për të marrë këto certifikata dhe për të ndihmuar pjesën tjetër që është e zënë gjatë 8-orarëshit. Këto do të jenë 24 orë të hapura, e fillimisht do të shërbejnë për të marrë certifikatat kryesore: familjare e personale. Bashkia e Tiranës ka 60 shërbime, e nga këto janë identifikuar 29 që mund të bëhen me një ndërveprim. Pra qytetari mund të vijë me një kartë identiteti, të kryejë identifikimin dhe të printohet certifikata”, tha Ermir Puka, drejtor IT-je në Bashkinë e Tiranës, për TCH. Por, përmes “e-Kioskë” qytetarët do të kenë edhe shërbime të tjera. “Ata edhe mund të ankohen, apo të bëjnë kërkesa të ndryshme, praktikisht sikur të jenë para një kompjuteri në shtëpinë e tyre. Nuk duam të zhdukim vajtjen në sportel, duam që të jenë të dyja, se mund të ketë raste kur njerëzit s’janë të familjarizuar, duan të kenë ndërveprimin me personin”, tha më tej Ermir Puka. Sipas drejtorit të Teknologjisë dhe Informacionit në Bashkinë e Tiranës, menjëherë pasi printohen certifikatat “online” janë të vlefshme. “Këto certifikata do të firmosen, do të vulosen, e më pas do të futen në ‘e-Kioskë’. Qytetari thjesht do të printojë, ato e kanë vlerën e sigurisë së tyre”, deklaroi Ermir Puka.
Sigal