Edhe 550 milionë lekë shtesë për “makijazhin” e Ministrisë së Brendshme, 150 milionë riparimi i bunkerit

593
Marifetet e “çunave” që drejtojnë ministritë e “Rilindjes” për të përmbushur e çuar deri në fund garën e babëzisë së shfrenuar në zhvatjen e fondeve publike me qëllim shtimin e pasurive personale e të klientëve të tyre, po përdoren edhe në shtimin e vlerave të tenderëve pas mbylljes së procedurave e madje edhe në fund të investimit. Një skandal i tillë ka ndodhur e shpallur publikisht me njoftim zyrtar, lidhur me miliardat e dhëna nga taksat e shqiptarëve, për rikonstruksionin e ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nuk e kemi fjalën për afatin e përfundimit të këtyre punimeve, mbasi ato nuk janë shpallur publikisht nga ministria, paçka se punimet vazhdojnë prej 1 viti e nuk po përfundojnë e nuk dihet se kur do të përfundoj si afat, mbasi nuk ka asnjë të dhënë prej ministrisë e as ndonjë tabelë informuese prej firmës që po kryen punimet. Por përveç afatit “enigmë” të përfundimit të punimeve, rezulton se nuk dihet as vlera përfundimtare e këtij rikonstruksioni, ose “makijazhi” që po i bëhet kësaj ministrie. E mbuluar prej 1 viti me “duvak”, godina e Ministrisë së Brendshme, përveç 2.8 miliardë lekëve të akorduara nëpërmjet ofertës së fituesit të tenderit, do të “gëlltisë” edhe miliona të tjera jo ta pakta si vlerë! me një njoftim zyrtar, të shpallur në Buletinin e Prokurimeve publike Nr. 26, datë 4 korrik 2016 (dje), Ministria e brendshme deklaron se ka bërë një shtesë kontrate në vlerë financiare 550 milionë lekë, që nevojitet për përfundimin e punimeve të rikonstruksionit të kësaj ministrie. Pra, ministria e Brendshme, që në qershor 205, deklaroi se vlera e tenderit 2.8 miliardë lekë me TVSH ishte e studiuar mirë dhe nevojitej për kryerjen e këtij rikonstruksioni, sot pas një viti deklaron se nevojiten edhe… 550 milionë lekë shtesë! Me gjithë shtesën që është bërë me kontratën e lidhur në 24 qershor 2016, vlera totale për “makijazhin” e ndërtesës së Ministrisë së Brendshme shkon në mbi 3.3 miliardë lekë! Sipas specialistëve, me kaq lekë mund të ishte ndërtuar një ministri e re e madje edhe me 15% mjedise shtesë si sipërfaqe! Sipas burimeve të gazetës “telegraf”, mendohet se kjo shtesë nuk ka asnjë lidhje me vlerën reale të punimeve që po kryhen, por me një “thelë mbi bisht” që po i bëhet vlerës fillestare, duke e justifikuar me punime kosto e punime të paparashikuara, ku fitet 150 milionë për rindërtimin e bunkerit të shkatërruar gjatë një proteste të shoqatës së ish-të përndjekurve politikë shqiptarë. Ndërsa pjesa tjetër, thuhet se do të përdoret për krijim hapësirash, komoditete e infrastrukturë zyrash, sidomos për zyrën e Ministrit të Brendshëm dhe të një mjedisi relaksimi “kafeje pune” për drejtuesit e ministrisë dhe të vizitorëve “VIP”. Tashmë, fondi është akorduar qysh në datën 24 qershor 2016 dhe thuhet, se nuk do të ketë më shtesa, por zëra nga brenda financave të Ministrisë së Brendshme, deklarojnë se historia e përfundimit të “makijazhit” të ministrisë nuk është “mbyllur” ende, mbasi janë lënë hapësira për shtesa të tjera fondesh, “zërat” e të cilave nuk dihen si me çfarë “punimesh” do të justifikohen! 
————————————————–
Ja kontrata e datës 24 qershor 2016, për shtesën 550 milionë lekë mbi vlerën e tenderit 
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME 
Objekti i kontratës: “Shtesë kontrate për objektin “Restaurimi i godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme” 
Fondi limit: 54 500 000 lekë me TVSH Vlera totale përfundimtare e kontratës : Vlera 54 494 594 (me TVSH) 
Data e lidhjes së kontratës: 24.06.2016 
Emri dhe adresa e kontraktorit: “FUSHA” SH.P.K Adresa Sauk, Tiranë NIPT J61922018S
——————————————————
Ja njoftimi i datës 9 qershor 2015, për tenderin 2.8 miliardë lekë për “lustrën” e godinës së Ministrisë së Brendshme
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME, DREJTORIA E PROKURIMEVE TË PËRQENDRUARA,TIRANË
Autoriteti Kontraktor: Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara, Tiranë; Adresa: Sheshi “Skënderbej”, Nr. 3, Tel. +355 42 256 851
Procedura e Prokurimit është “Procedurë e hapur”
Objekti: “Restaurimi i godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme”
Fondi limit 229 378 112.73 (dyqind e njëzetë e nëntë milionë e treqind e shtatëdhjetë e tetëmijë e njëqind e dymbëdhjetë pikë shtatëdhjetë e tre lekë (pa TVSH)
Burimi i financimit: Buxheti i shtetit.
Afati i ekzekutimit te kontratës: deri në 31.12.2015
Hapja e Ofertave do të bëhet në datën 09/06/2015 Ora: 12:00.
Afati i fundit për pranimin e dokumenteve në datën 09/06/2015 Ora: 12:00.
Sigal