Eagle Mobile “vret” nëpërmjet reklamës

570
Sigal

Tabelat reklamuese buzë rrugëve kryesore, apo qendrave të banuara shpesh janë burime aksidentesh, me pasojë vdekjen. Ky është skandali i radhës, që na servirin kompanitë Albtelekom apo Eagle Mobile, të cilat përfitojnë reklamimin e bizneseve të tyre, në këmbim të jetës së qytetarëve shqiptar. Vënia e reklamave nga ana e tyre vend e pa vend, bëhen, shpesh, burime aksidentesh. Zbukurimi i pemëve, sikur të ishin fryte natyrale, me tabela reklamash, jo vetëm që i tërheq vëmendjen drejtuesve të automjeteve nga ngjyrat e forta, por njëkohësisht janë rrezik dhe për çdo kalimtar që kalon poshtë tyre. I njëjti shqetësim paraqitet dhe nga tabelat reklamuese në autostradë, apo në rrugët kombëtare. Kjo është mizoria që na servir kompania Eagle, e cila përfitimet e saj i korr në kundërshtim me Kodin Rrugor. Në Nenin 23, në pikën 1 dhe 7 të Kodit Rrugor thuhet se “1. Përgjatë rrugëve dhe në vende të dukshme nga mjetet që kalojnë në rrugë, është e ndaluar të vendosen shenja, parulla, impiante reklamimi etj., që për nga përmasat, forma, ngjyrat, pamja dhe vendndodhja mund të shkaktojnë konfuzion me sinjalizimin rrugor, ose ta bëjnë të vështirë kuptimin, dallimin apo efikasitetin e tij, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore a të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës me pasojë rrezikimin e sigurisë së qarkullimit. Në çdo rast impiante të tilla nuk duhet të formojnë pengesë apo gjithsesi vështirësi për qarkullimin e invalidëve. ..  7. Është e ndaluar çdo lloj reklame përgjatë ose e dukshme nga itineraret ndërkombëtare, autostradat, rrugët interurbane kryesore dhe hyrjet e tyre. Në këto rrugë lejohet reklamimi vetëm në zonat e shërbimit ose parkimit, kur për këtë është marrë autorizimi nga enti pronar i rrugës, si dhe kur kjo reklamë nuk është e dukshme nga rruga”. Pra, vetëm nga këto pika duket qartë që të gjitha këto tabela reklamuese janë ngritur në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Policia duhet të ndërhyjë për të hequr të gjitha  tabelat reklamuese që bien ndesh me ligjin dhe që rrezikojnë jetën e qytetarëve shqiptar. Gjithashtu, gazeta “Telegraf” është duke bërë një investigim për kompaninë Eagle Mobile dhe shumë shpejt do të bëjë publike, gjithçka ka zbuluar rreth kësaj kompanie.