E vërteta e varkës së Byrosë Politike

Bardhyl BERBERI

Thoma Simaku është një burrë rreth 65 vjeç me një trup të shkurtër dhe krahë muskulorë. Njihet nga të gjithë pasi ai është mjeshtër i peshkimit. Është një zanat që e kam trashëguar nga babai thotë Maqua siç njihet në Pogradec. I thashë se dua të shkruaj diçka për atë dhe për peshkatarët dhe veçanërisht për varkën e tij që njihet në Pogradec si varka e Byrosë Politike të asaj kohe. Ah, thotë, eja me mua në gjueti dhe bisedën ta zhvillojmë aty në barkën e peshkimit. Ekskluzivisht për gazetën “Telegraf” ai tregon intimitete nga gjuetia me Byronë Politike. Është mëngjes herët. Peshkatarët fillojnë dhe vijnë njëri pas tjetrit tek moli i qytetit. Liqeni shtrihet tej e ndanë me shkëlqimin me ngjyra të buta dhe nuancë të ndryshme dhe shëmbëllen me një qilim të madh ujor, i cili fillon dhe zbulohet gradualisht. Zëmë vend në varkën e madhe të Maqos. Motori gjëmon në ujë dhe varka u shty para duke krijuar një masë të madhe shkume ndërsa mbrapa ngelej gjurma e madhe e valës që krijonte motori duke e lënë pas si një ugar i trazuar që e ndan liqenin në dy pjesë.

Bluja e liqenit sa vjen dhe theksohet më tepër dhe uji duket blu i errët si i lyer në mellan. Jemi në një thellësi 100m, thotë Maqua. Mbrapa na shoqëron një tufë me pulëbardha që me klithjen e tyre krijojnë një atmosferë romantike. Në këtë kohë fillon një erë që peshkatarët i thonë, llackë. Kjo erë e trazon ujin në thellësi dhe e çorodit peshkun është shenjë e mirë për gjueti të mbarë. 

-I bukur liqeni, thotë Maqua. 
-Kur do t`i hedhësh rrjetat?, e pyes unë. 
-Pse t`i hedhim këtu, ma pret Maqua, këtu nuk ka gjë, peshku është më poshtë . 

-Dëgjo, thotë Maqua, po i hodhëm rrjetat këtu ato grisen, këtu ka shkëmbinj nën ujore edhe këtu tek gryka e Çervenakës edhe në Piskupat... 

Maqua është nga ata peshkatarë që e njeh liqenin me pëllëmbë. Atëherë ku do t`i hedhim rrjetat e pyes përsëri. Ja sapo të kalojmë drejtimin e lumit. Aty ka koran me shumicë sepse ka drava dhe virçe (vendi ku buron uji në tabanin e liqenit. Korani lëviz në këtë zonë se do ujë të pastër dhe të ftohtë. Maqua ka hedhur rrjetat, pikërisht tek vendi që ai beson se ka Koran. Pas pak kaculi (koshi i rrjetës ) nuk duket se po të kishte kapur belushka do të ishte ngritur lart. Kur ai nxori rrjetat dhe pamë që peshqit e porsa kapur në rrjetë ishin që të gjithë koranë. Maqua pothuajse të gjithë jetën e tij e ka kaluar në liqen. Babai i tij Jorgji e ka marrë Maqon në gjueti në liqen që kur ai ishte shtatë vjeç. Ndërkohë që në moshën 14 vjeçare kur ndodhej babai i Maqos, Jorgji me Kadri Hazbiun në varkë i thotë: 

-Shoku Kadri ky djali nuk më mëson në shkollë si t’ia bëjmë 
.-Bëje peshkatar siç je dhe vetë, tha Kadr Hazbiu duke qeshur 
- Sapo mbarova shkollën shtatëvjeçare, thotë Maqua, kam filluar punë si peshkatar i rregullt nga viti 1966.

Në sytë e mi liqeni tashmë nuk ishte vetëm një fushë e kaltër e paanë, ku mund të bredhësh për të kërkuar fatin, por një shkencë e vërtetë që një mjeshtër peshkimi si Maqua e njeh atë me pëllëmbë.

Më pas Maqua na tregon për gjuetinë që ka bërë me anëtarët e Byrosë Politike. 

-Në këtë varkë, thotë ai kanë hipur të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. 

Maqua tregon se, kur ata vinin me pushime në Pogradec kohën më të madhe e kalonin në liqen duke gjuajtur peshk në varkën e Maqos. Dhe pse ata gjuanin me Maqon e kishte një arsye se nuk dilnin asnjëherë bosh nga gjuetia. Ai kujton gjuetinë që ka bërë me Adil Çarçanin, Beqir Ballukun, Kadri Hazbiu, Abdyl Këllezin, Koço Thoedhosin, Haki Toska, Hekuran Isajin, Lenka Çukon, kjo na vinte në siklet se na hipte në varkë me fustan apo fund …

Por thotë Maqua nuk vinin në gjueti vetëm një ditë por p.sh nga 30 ditë që ata pushonin në Pogradec mbi 20 ditë dilnin së bashku me mua në gjueti duke qëndruar deri në 6 orë pa ndërprerje në liqen si p.sh Adil Çarçani dhe Beqir Balluku ishin më të papërmbajturit ishin gati të qëndronin edhe natën në gjueti me mua. Në fund të gjuetisë e ndanim peshkun së bashku.Aq hijerëndë, sa dukeshin të televizor, po aq të thjeshtë ishin me mua. Më pyesnin, nëse kisha ndonjë hall për të zgjidhur, se si jetonim ne, a na dilnin të ardhurat që fitonim. Shpesh herë drekonim së bashku. Në varkën time kur niseshim për gjueti vinte edhe një shoqërues i armatosur.

Por Maqua ka qenë peshkatari që gjuante koranin për Enver Hoxhën 
Ndërkohë që unë shkoja në gjueti për koran për Enver Hoxhën më vinte pas një varkë dhe vëzhgonte gjuetinë me dy shoqërues të Enver Hoxhës.

-Sapo unë nxirrja rrjetata me Koran, thotë Maqua, shoqëruesi vinte në varkën time dhe e nxirrte vetë nga rrjeta koranin, më pas e merrte të futur në një kastë frigoriferike dhe largohej me varkën e tij direkt nga liqeni tek vila e Enver Hoxhës në Pogradec. Ne nuk e preknim fare me dorë peshkun që konsumonte Enver Hoxha.

-Ndërkohë, thotë Maqua, për hir të së vërtetës edhe kur ata ishin me pushime në pjesën e bllokut të vilave na linin që ne të bënim gjueti përballë vilave në liqen në zonën e bllokut edhe kur ishte Enver Hoxha me pushime. Por që kur ka ardhur demokracia u hap rruga e vilave ku kalojnë njerëzit në tokë dhe na kanë bllokuar liqenin këta bllokmenët e rinj. Ky është vërtet një skandal ose më mirë do ta quaja një turp. Çfarë shqetësimi sjellim ne nga gjueti në thellësi vetëm se jemi në drejtim të vilave?!

-Jo, na thonë ata të gardës, mos peshkoni përballë vilave në liqen se është X ministër dhe i prishni qetësinë. 
-Kjo është për të vënë duart në kokë, thotë peshkatari tjetër Petrit Merko, kujt ia kemi treguar është shkrirë së qeshuri është vërtet për tek “Portokallia”.

Por Maqua tregon edhe një moment të vështirë kur prill të vitit 1978 ai së bashku me shokët e tij Jovan Hilën, Shaban Topçiu dhe Ramazan Blloku. 

-Tetë orë kemi luftuar me dallgët, të cilat kanë qenë si asnjëherë tjetër në liqen...Era na ka përplasur në liqen që nga Tushemishti deri në Hudënisht rreth 20km gjatësi…Të gjithë u alarmuan, madje u njoftuan edhe disa anëtarë të Byrosë Politike, se Maqua me disa peshkatarë është duke u mbytur në liqen. Ata dërguan një helikopter menjëherë, pasi jeta jonë kishte shkuar në fije të perit. Ne, thotë Maqua i premë shpresat se mund të shpëtonim…madje kujton Maqua, dallga e ngrinte varkën tonë aq lart sa ne shikonim Gurin e Topit në horizont... Helikopteri nuk kishte se çfarë të na bënte, pasi dallgët ishin ngritur 7-8 m lartësi që na ngrinin lart e na fundosnin poshtë. Ende, thotë Maqua, pas tetë orësh lufte më dallgët edhe sot nuk e shpjegoj dot si kemi shpëtuar…

Por, thotë Maqua, kam patur qindra fotografi më të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, madje foto edhe mbi kalin e Petrit Dumes, kur dolën armiq më thirrën dhe më thanë: 

-E dimë që ti Maqo ke shumë foto me ata armiqtë, bën mirë që t`i djegësh se e kupton vetë po t`i gjetëm…

Por thotë ai ajo që më shqetëson më tepër është prishja e ekonomisë së krapit në Gurras aty prodhoheshin 930 mijë rasate në vit. U ndërtua impianti i ujërave të zeza dhe prishi një investim shumë serioz që këto rasate janë fidanishtja e krapit… Krapi në liqenin e Pogradecit ashtu si korani nga gjuetia pa kriter dhe 600 varka pa licencë që gjuajnë po e shfarosin. Duke biseduar me Maqon i jemi afruar gadishullit të Linit. Pjesa shkëmbore me shtëpitë anash të futura në liqen ngjan tamam si një kryqëzor i madh i ankoruar në breg. Liqeni fillon të ngrohet në diell si një konvaleshent dhe buzëqesh aty këtu me brigjet. Në liqen fillojnë e kalojnë rryma të lehta dhe ai vazhdon nanuritjen e tij të lehtë me valëza si të lara me argjend .

-Dhe tani duket i bukur liqeni, i them Maqos. 
-Po, thotë ai, akoma më i bukur duket tani në kthim pas kësaj gjuetie të mbarë…

Ai është i kënaqur nga ky zanat që na ka mbajtur me bukë, thotë Maqua dhe nuk e ndërron me asnjë tjetër, madje dhe djalin e vetëm të tij, Erionin e ka bërë peshkatar...