E rëndë/ Berat, minoreni abuzon me kushërirën 6-vjeçare, babai: Ta dënojnë ose do ta vras!

508
Sigal

Një 6-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht në banesën e saj nga kushëriri 13-vjeçar. Djali po hetohet në gjendje të lirë nga policia, ndërkohë që babai i vajzës, apelon që të merren masa ndryshe do bëjë vetëgjyqësi.

Ngjarja ka ndodhur 3-ditë më parë në banesën e vajzës 6 vjeçe, me inicialet S.H. në lagjen “Donika Kastrioti” në qytetin e Beratit.

13-vjeçari, K.S., që dyshohet të ketë abuzuar seksualisht me të miturën ka qenë duke luajtur në një nga dhomat e shtëpisë me vajzën ku edhe ka ndodhur ngjarja. Pasi ka parë vajzën të tronditur e të trembur nëpër shtëpi e ëma e ka pyetur dhe vajza i ka treguar se çfarë i kishte bërë kushëriri i saj.

Prindërit e kanë dërguar të miturën tek mjeku dhe pasi është konfirmuar abuzimi seksual që është kryer me të kanë shkuar dhe e kanë denoncuar në polici 13-vjeçarin. Policia e Beratit e ka shoqëruar të dyshuarin e ngjarjes dhe më pas e ka liruar, duke vazhduar hetimin ndaj tij në gjendje të lirë.

Fakti që 13-vjeçari po hetohet në gjendje të lirë nga policia dhe po lëviz lirisht ka irrituar mjaft prindërit e vajzës, të cilët kanë qëndruar sot përpara dyerve të policisë për të kërkuar shpjegim dhe arrestimin e abuzuesit.

Babai i vajzës, Ëngjëll Haruni, deklaron për mediat se edhe pse 13-vjeçari ka pranuar në polici gjithçka që ka kryer me vajzën e tij, policia po e heton në gjendje të lirë.

“Dua që djali të arrestohet për këtë krim që ka kryer, në të kundërt do ta vras me duart e mia sepse vajza ime është vetëm 6-vjeçe”, është shprehur babai, i  cili i ka bërë apel shtetit dhe Ministrisë së Drejtësisë të marrin masa.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, kanë lëshuar për mediat vetëm një komunikatë të thjeshtë zyrtare në lidhje me këtë ngjarje dhe nuk kanë dhënë më pas asnjë shpjegim tjetër rreth saj.

KOMUNIKATA

Nga Seksioni për Krimet, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin:

K.S. 13 vjeç, banues në Berat, pasi në bazë të kallëzimit të shtetases M.Zh 22 vjeçe, banuese në Berat, dyshohet se shtetasi K.S ka kryer marrëdhënie seksuale me fëmijën e saj shtetasen S.H. 6 vjeçe, banuese në Berat.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale në gjini ose nën kujdestari”.