“E papranueshme që gazetarët të kërcënohen për atë çka shkruajnë”

585
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kryetari i Radhës i OSBE-së Steinmeier dhe Përfaqësuesja e OSBE-së Mijatović theksojnë rëndësinë e medias së lirë dhe të pavarur. VJENË, 3 maj 2016 – Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias Dunja Mijatović theksuan rëndësinë e medias së lirë dhe të pavarur për zhvillimin e demokracisë. “Sot, ne shprehim vlerësimin tonë për gazetarët në të gjithë botën, që përballojnë me trimëri dhunën, përndjekjen dhe kërcënimet për të dokumentuar dhe për të raportuar të vërtetën,” tha Steinmeier.“Media e lirë dhe e pavarur është një gur themeli i pazëvendësueshëm për shoqëritë e lira dhe demokratike. OSBE-së i takon të luajë një rol vendimtar në vendosjen dhe respektimin e standardeve të përbashkëta për promovimin e këtij parimi.” 
“Dita e sotme është një kujtesë për rëndësinë e medias së lirë dhe për rolin themelor që ajo luan në shoqërinë civile,” tha Mijatović. “Gazetarët në të gjithë botën dhe jo më pak në rajonin e OSBE-së po i kryejnë detyrat e tyre në kushte gjithmonë e më të vështira.” Mijatović përmendi me shqetësim të madh numrin në rritje të sulmeve ndaj anëtarëve të medias nëpër botë. “Është thjesht e papranueshme që gazetarët të kërcënohen për atë çka thonë apo shkruajnë. Qeveritë duhet të bëjnë të pamundurën për të garantuar sigurinë e gazetarëve,” tha Mijatović. “Vala e kërcënimeve online, me në qendër gazetarët, po e rëndon edhe më shumë situatën tashmë të përkeqësuar. Veçanërisht shqetësuese është mënyra se si po veçohen dhe po vihen në shënjestrën e sulmeve gazetaret.” Tema gjithëpërfshirëse e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit këtë vit, mbajtur në Helsinki, Finlandë, është aksesi në informacion dhe liritë themelore, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë te ndërlidhja midis lirisë së shtypit, kulturës së transparencës, të drejtës së lirisë së informimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në epokën dixhitale. 
“Aksesi në informacion është një e drejtë themelore bazë e njeriut. Pa të, anëtarët e medias nuk janë në gjendje të kërkojnë dhe të marrin informacion në lidhje me çështje me rëndësi për publikun,” tha Mijatović. “Në kohë krize, kjo e drejtë është vendimtare për të luftuar elementët e egër të propagandës.” “Fatkeqësisht, kohët e konflikteve janë edhe kohë propagande dhe imazhesh të shtrembëruara. Kjo është arsyeja pse Gjermania, si Kryesuese e OSBE-së, po i kushton vëmendje të veçantë lirisë së medias dhe mënyrës se si duhet të sigurohet aksesi në informacione të pavarura në kohë krize,” tha Steinmeier.
Sigal