E ngatërruan me një person tjetër, shqiptari u mbajt 36 ditë në burg gabimisht

91

Gjykata e Fierit ka vendosur të lirojë nga qelia Dhimitraq (Mikel) Ramën, pasi ky i fundit ka rezultuar se është arrestuar në mënyrë të gabuar, nga policia dhe prokuroria e këtij qyteti.

44-vjeçari Rama është ngatëruar me një person tjetër që kërkohej nga drejtësia italiane, për akuzën e përfshirjes së tij në “organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, dhe për pasojë u arrestua menjëherë nga oficeri i policisë së Fierit Niko Kurti, duke u mbjatur 36 ditë në burg.

Në 11 tetor 2019 “Shqiptarja.com” denoncoi këtë rast flagrant të shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, ku një qytetar vetëm se ka disa të dhëna të njëjta me një person që kërkohet nga drejtësia italaine, është arrestuar dhe mbajtur për më shumë se 30 ditë në burg.

Rasti është i rëndë dhe që duhet të trajtohet në rrugë administrative nga instatncat shtetërore por edhe në rrugë gjyqësore nga vetë personi që i janë cënuar të drejtat dhe liritë themelore.

Ky rast tregon skandalin e rradhës të drejtësisë shqiptare, pasi i arrestuari Dhimitraq Rama, ka pretenduar që në fillim të arrestimit duke këmbëngulur me forcë se nuk ishte personi që vërtetë kërkojnë për ekstradim autoritet e drejtësisë italiane.

Rama dhe avokatët e tij kanë pretenduar në gjykatën e Fierit, se nuk është 44-vjeçari personi i duhur, por një person tjetër që quhet Mikel Rama, ndaj të cilit gjykata e Milanos, në 24 tetor 2018 ka lëshuar një urdhër-arresti për akuzën e përfshirjes së tij në “organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Por materiali identifikues që kanë sjellë italianët në prokurorinë e Fierit, ka ndryshim të madh me gjeneralite dhe të dhënat që ka i arrestuari Dhimitraq Rama. Këto ndryshime dalloheshin qartë në krahasimin e fotografive ku konstatohet se janë dy njerëz të ndryshëm dhe jo të njëjtë. Fotoja e Dhimitraq Ramës të arrestuar dhe Mikel Rama që kërkojnë italianët rezulton se është krejtësisht e ndryshme.

Njëherësh këtyre dy personave nuk i korrespodon muaji i lindjes ku Mikel Rama që kërkojnë italianët ka lindur në 14 shtator 1975 ndërsa Dhimitraq Rama që kishte arrestuar policia e Fierit, ka lindur në 14 gusht 1975. Në dosjen e mbërritur nga Italia janë të skanuara dhe gjurmët e gishtave të Mikel Ramës, për të cilin kanë sjellë material italianët. Bashkë me këtë informacion Italia ka sjellë dhe një raport individual me të dhënat e Mikel Rama, si foto, gjurmë gishti, ditëlindjen etj.

Mbi këtë bazë, policia e Fierit dhe më konkretisht oficeri Niko Kurti ka arrestuar me iniciativë të vetë personit, Dhimitraq Ramën,duke e informuar se ndaj tij në 2008 ishte lëshuar një urdhër-arresti në mungesë nga prokuroria e Milanos. Arrestimi i tij është kryer në datën 25 shtator 2019 dhe vetë personi i ndaluar ka pohuar se nuk është marrë asnjëherë me veprimtari kriminale në formën e trafikimit të narkotikëve, dhe se fotoja në fjalë sipas tij bën fjalë për një shtetas tjetër dhe se ekziston mundësia që gjeneralitetet e tij të jenë përdorur nga persona të tjerë dhe të panjohur.

Kjo pasi sipas Dhimitraq Rama, ai disa vite më parë ka humbur pasaportën e vjetër së bashku me dokumentet e gjendjes civile. Të njëjtin version ka dhënë edhe në gjykatën e Fierit, por kjo e fundit në datën 27 shtator 2019 ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” 40 ditor për Dhimitraq Ramën megjithëse vetë gjykata ka konstatuar se fotoja kishte një ndryshim shumë të madh. Për të shmangur qëndrimin e 44-vjeçarit në burg, është kërkuar ekspertimi i gjurmëve të gishtave dhe ekspertimin sinjalistik të fotografive.

Pas kryerjes së këtyre ekspertimeve është konstatuar se Dhimitrar (Mikel) Rama është tjetër person me shtetasin Mikel Rama.Nisur nga ky rezultat në datën 1 nëntor 2019, gjyqtarja e Fierit Igerta Hysi ka pranuar kërkesën e prokurorit Andi Pogaçe, për lirimin nga qelia të 44-vjeçarit Dhimitraq Rama. Rasti është i rëndë dhe që duhet të trajtohet në rrugë administrative nga instatncat shtetërore por edhe në rrugë gjyqësore nga vetë personi që i janë cënuar të drejtat dhe liritë themelore.