E jëma e Zeqos dhe analistët e thekur

968
Fejton nga Hyskë BOROBOJKA
Ka shprehje që mileti s’u jep dot përgjigje, aq sa janë bërë enigma historike. Hajde e gjeje, të kam rixha e të lutem shumë: Cili ishte Xhaferi që humbi simiten, kush e gjeti e kush e hëngri?! Ose çfarë forme kishte opinga e xha Sheros?! Jo po Habili? Nga ishte ky Habil, si e kishte shtatin, të gjatë a të shkurtër, cilës zone apo krahine i takonte?! Pordhi kali në derë të hanit! Në cilën derë e bëri marifetin, në derën e jashtme të hanit apo të brendshme?! E shumë e shumë shprehje të tilla, që s’i zgjidhim dot e na mbetet sharra në gozhdë e s’i japim dot përgjigje. Por kësaj radhe mua më ka mbetur vërtet sharra thënia: “Si e jëma e Zeqos, që fliste majë thanës?” Këtë nyjë gordiane mund ta zgjidhin analistët e shquar, që janë kompetentë për çdo fushë të jetës në tokë e për çdo mrekulli në qiell. Ata janë specialistë të politikës, kur vete mbarë e kur dështon, të ekonomisë kur ecën përpara e kur merr rrokullimën, kur në vend të lindë me këmbë të mbarë dështon. me prapësi. Këta analistë të thekur, specialistë për gjithçka, janë pajtuar, jo ç’do ditë, por çdo javë në disa studio televizive. Ata nuk janë me mendimet e Sokratit të antikitetit grek, që thoshte: “Di një gjë, që s’di asgjë!” Këta zotërinj të nderuar të japin ujë në bishtin e lugës e të pajisin me njohuri të vlefshme, që s’i ke ditur e s’i ke mësuar kurrë. Si bie fjala: Pse e humbi Napoloni betejën e Vatërlosë, e humbi këtë betejë të madhe, nga që astrologu i tij nuk kishte ditur të shpjegonte lëvizjet e planetit Mars, që bënte një lakore me koostelacionin e gaforres. E përse nuk janë kompetentë këta analistë me emër?! Analizojnë shëndetësinë me rrënjë e degë, jo vetëm si profesorë me tituj, por edhe me mjekër. Shtrohet problemi për të analizuar sistemin arsimor ata janë më specialistë se vetë babai i saj, Hipokrati. Kur analizohet “bujqësia çështje e të gjithëve” janë agronomë përmbi agronomët. Mjeshtra mbi mjeshtrat në biznese. Ata janë aq të ditur e të informuar dhe dine të tregojnë ku janë plazhet më të bukura të botës e ku të përkëdhelin e të ledhatojnë valët e detit. Si lind e zhvillohet dashuria apo si mund të bëjnë karrierë gratë. Por kësaj here janë mbledhur të analizojnë thënien e vjetër: “Si e jëma e Zeqos në majë të thanës” .

-Mendoj, – e mori fjalën i pari, njëri nga analistët, – se ajo grua e rrallë kishte bërë një sakrificë të madhe duke u ngjitur deri në majë të thanës, nga ku mund të rrëzohej e të thyente kokën. Por qëllimi i saj ishte fisnik, t’u fliste fshatarëve nga maja lart, të bënin gjithnjë punë të mbara me bereqet.

-Fshatarëve apo deleve do t’u fliste nga maja e thanës?- e ndërpreu tjetri.

-Ç’rëndësi ka kjo, i nderuari koleg! Deri sa në këtë botë jallane ka bagëti me katër këmbë e me dy. Fjala e saj nga maja e thanës ka ardhur si përvojë edhe sot e kësaj dite. S’ke parë e s’ke dëgjuar si flasin disa deputetë në Parlament, ca qeveritarë në qeveri, mjaft nëpunës në dikastere e në bashki, – sqaroi tjetri.

-Unë them se e jëma e Zeqos kishte hipur në majë të thanës të shijonte kokrrat e saj më të pjekura! – ndërhyri analisti përballë.

-Dëgjo, i dashur koleg! Po të ishte për të ngrënë thana, përse të sakrifikonte, të mundohej e të ngjitej majë thanës. Fare mirë mund ta tundte pemën dhe kokrrat e pjekura binin vetë dhe mund t’i priste jo me dorë, por edhe me gojëhapur! – arsyetoi tjetri.

-Unë, të nderuar kolegë, mendoj se analizën e kësaj teme të rëndësishme e kini nisur gabim. Së pari, duhet të gjejmë nga cila krahinë e vendit ishte e jëma e Zeqos? – e mori fjalën një tjetër.

-Ma merr mendja se ajo duhet të ishte nga veriu i Shqipërisë, sidomos nga fshati ku ka shumë thana!
-S’jam dakord!
-Pa na thuaj pse s’je dakord, zotrote?! 
-Po të ishte nga Veriu, mbi lumin Shkumbin, Zeqos i thonë Zeki, ndërsa më në Veri e thërrasin Zekir! Mos harroni kolegë, se shumë njerëz të shquar mbajnë mbiemrin Zeqo!

-U lutem shumë, mos bëni gabime gramatikore, duke ngatërruar e bërë sallatë emrat me mbiemrat. Ne duhet të gjejmë emrin e nënës së Zeqos, pasi mbiemrin e saj e dimë. Në këto e sipër u hodh njëri nga analistët, sikur u zgjua nga gjumi e tha:

-Pse s’thonë babai i Zeqos, por nëna e tij?

-Nëna dihet me siguri e jo babai! – e qortoi tjetri. Pas kësaj u ndez debati rreth kësaj teme, duke bërë pyetje e duke pritur përgjigje pa mbarim. Njëri foli si nëpër gjumë:

-Mund të na thoni, të nderuar kolegë, hipi vetë e jëma e Zeqos në majë të thanës apo e hipën?!

-Pyetje prej budallai, – iu përgjigj ai që kishte zënë vend pranë tij, – Hipi vetë apo e hipën kjo për çështjen që po diskutojmë s’ka asnjë rëndësi. Ka mundësi të na thoni ku ishte Zeqoja, kur e jëma hipi majë thanës e fliste çfarë i vinte nga poshtë e nxirrte lart.

-Zotërinj kolegë! Mos harroni se rreth nënës së Zeqos nuk kemi asnjë dokument të shkruar, prandaj jam i mendimit që të gjitha analizat duhet t’i përqendrojmë në gojëtarinë popullore. Duhet të sqarojmë, cila ishte e jëma e Zeqos, si e kishte emrin, në cilën epokë apo shekull ka jetuar. dinte shkrim e këndim apo ishte analfabete dhe, nëse e kishte kryer kursin kundër analfabetizmit apo jo?! Pse fliste në majë të thanës dhe jo në bythën e saj?! Debati rreth kësaj teme delikate vazhdoi deri pas mes nate duke arritur në konkluzion se kjo e uruar dhe e bekuar, e jëma e Zeqos, u ka lënë trashëgimi shumë njerëzve të flasin qesim e të tregojnë kodra pas bregu, si ilaç për gjumë.
Sigal