Sigal

Humanistja me origjinë shqiptare Nënë Tereza është kujtuar sot në shumë vende të botës. Nje sërë aktivitetesh në përkujtim të saj janë mbajtur ne Kalkuta dhe Vatikan, ku ajo dhe u shenjtërua 2 vjet më parë.

Në përvjetorin e 21-të të vdekjes se shenjtores Nënë Tereza e gjithë bota ka kujtuar misionaren dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, për dedikimin e saj ndaj të varfërve dhe te semurëve.

Lutje të veçanta jane mbajtur për ta rikujtuar në Kalkuta të Indisë, ndërsa qytetar dhe murgesha kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule në “Mother House”, e cila është edhe selia globale e Misionarëve të Bamirësisë (MoC), e krijuar prej shenjtores në vitin 1950.

Edhe Kisha Katolike në Indi mbajti një meshë paraditen e sotme në nder të Nënë Terezës.

Adhurues të shumtë dhe besimtarë katolikë po kujtojnë shënjtoren sot edhe në Vatikan, aty ku Papa Françesku e shpalli “Shën Tereza e Kalkutës”, dy vite më parë.

Edhe mediat ndërkombëtare i kanë dhenë gjërësisht hapesirë të veçantë përkujtimit të Nënë Terezës.

Përvjetori i vdekjes së saj shënon edhe ditën ndërkombëtare të bamirësisë sipas kalendarit të Kombeve të Bashkuara.

Nënë Tereza ndërroi jetë pas nje ataku kardiak më 5 shtator të vitit 1997 në Indi në moshën 87 vjeçare.