E dhimbshme/ Dalin detaje të tjera për ngjarjen makabre në Korçë, nëna e fëmijëve 4 dhe 2 vjeç punonte në lokal nate

85

Detaje të tjera dalin në dritë pas ngjarjes makabre të ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Korçë, ku një 41-vjeçar vari veten dhe më pas dy fëmijët. Mësohet se nëna e dy fëmijëve 4 dhe 2 vjeç, që gjetën të pajetë në banesën e tyre, ishte vetëm 24 vjeç.

Marsela Toshi, punonte në një lokal nate, dhe burri i saj nuk ia lejonte këtë. Me sa duket nga këto ka nisur edhe konflikti mes çiftit, duke pasuar me largimin nga banesa të 24-vjeçares dy muaj më parë.

Sipas fqinjëve të tyre, gruaja ishte kthyer në banesë mbrëmjen e djeshme, ku ka qëndruar deri në orën 2 pas mesnate, me pretendimin për të marrë fëmijët e saj. Por pasi nuk e ka arritur këtë gjë është larguar.

Nga ky moment fqinjët rrëfejnë se kanë dëgjuar të bërtiturat dhe ulërimat e fëmijëve, por nuk e kanë menduar se 41-vjeçari do të arrinte deri aty sa të mund të kryente një krim të tillë.

Mësohet se gruaja e re, e cila kishte fëmijën 4 vjeç nga martesa e parë, dhe fëmijën 2-vjeçar nga martesa me Naum Toshin, e kishte denoncuar këtë të fundit, për faktin se e pengonte të punonte.

Ende nuk dihen nëse 41-vjeçari e ka kryer këtë krim makabër për t’u hakmarrë ndaj gruas së tij, por do të jenë hetimet e mëtejshëm ato që do të hedhin dritë mbi ngjarjen.